Pas shkrimeve të shumta se aktorja Olta Gixhari do të zhvishej nudo në skenë në balet-teatrin “Penetrimi i Shpirtrave”, aktorja ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook ku tregon revolton dhe kundështinë e saj ndaj një fakti të tillë. Ajo thekson se pranoi të ishte pjesë e kësaj shfaqe për hir të koreografit e njëkohësisht regjisorit të saj Arjan Sukniqit, i cili sipas saj e ka përdorur imazhin e Gixharit për famë.
“Në atë pjesë, m’u kërkua nga A.S. të luaja edhe unë katër minuta, m’u lut që të isha pjesë e shfaqjes si një suport për jehonën mediatike për të cilën ai kishte nevojë. Pranova si profesioniste, pranova edhe si frymë solidariteti mes kolegësh. Por pikërisht jehona mediatike që ato katër minuta të lojës time i falën kësaj shfaqje, u kthyen papritur kundër meje.
Ndonëse në moshë madhore, koreografi A.S. nuk i bëri dot ballë avujve të kësaj jehone mediatike.
Si një shenjtan budalla, ai e përdori emrin tim për të mbajtur gjallë dehjen nga deliri që i shkaktuan artikujt e shtypit dhe kronikat televizive. Dhe në këtë varësi të re, tentoi të shkonte më thellë duke prodhuar një lajm të rremë, një histori të sajuar. Për pak dozë publicitet, shiti në mënyrë të shpifur bashkëpunimin tim.”-shkruan Gixhari. Gjithashtu aktorja e njohur thekson se është hera e parë që reagon pas shkrimeve të tilla në adresë të saj nga mediat duke I konsideruar të nxituar dhe që nuk ishin përpjekur të kontaktonin për të mësuar të vërtetën e saj.
Shkrimi i plotë i aktores Olta Gixhari në Facebook:
Gjatë karrierës time si aktore kam lexuar shumë për veten time. Kam lexuar kritika dhe vlerësime. Kam lexuar edhe thashetheme, herë të vërteta e herë gjysëm të vërteta. Asnjëherë nuk jam mërzitur apo lënduar. I kam marrë si pjesë e çmimit që paguan çdokush që është apo kërkon të jetë pjesë e mainstream-it shqiptar. Për këtë arsye kurrë nuk kam bërë rolin e kryeneçes apo inatçores me gazetarët, as kur kanë shkruar me lehtësi për jetën time private. Gjithnjë i kam mirëkuptuar ata në punën e tyre dhe pozicionin tim që shpesh më vendos nën fokusin e tyre. Kam folur sa herë që më janë drejtuar, u jam përgjigjur sa herë më kanë kërkuar, u kam thënë po sa herë më kanë ftuar.
Për herë të parë, rreth një javë më parë, provova zhgënjimin e parë. Krejt papritur. Papritur sepse bënte fjalë për një ngjarje krejt të shpikur, dhe jo ndonjë thasheshem rozë për të cilin edhe toleroj, por për diçka tepër serioze që ka të bëjë me profesionin tim. Papritur sepse lajmi ishte botuar në gazetën “Panorama”, me të cilën kam qenë gjithnjë e hapur të bashkëpunoj. Papritur sepse gazetarja Ani Jaupaj, as kishte marrë mundimin të më kontaktonte më parë.
Bëhet fjalë për shfaqjen “Penetrimi i shpirtërave”, një performancë dance- teatër bazuar mbi një tekst të Rita Petros dhe që u vu në skenë nga koreografi A.S. që tentoi të bënte edhe regjisorin. Në atë pjesë, m’u kërkua nga A.S. të luaja edhe unë katër minuta, m’u lut që të isha pjesë e shfaqjes si një suport për jehonën mediatike për të cilën ai kishte nevojë. Pranova si profesioniste, pranova edhe si frymë solidariteti mes kolegësh. Por pikërisht jehona mediatike që ato katër minuta të lojës time i falën kësaj shfaqje, u kthyen papritur kundër meje.
Ndonëse në moshë madhore, koreografi A.S. nuk i bëri dot ballë avujve të kësaj jehone mediatike. Si një shenjtan budalla, ai e përdori emrin tim për të mbajtur gjallë dehjen nga deliri që i shkaktuan artikujt e shtypit dhe kronikat televizive.
Dhe në këtë varësi të re, tentoi të shkonte më thellë duke prodhuar një lajm të rremë, një histori të sajuar. Për pak dozë publicitet, shiti në mënyrë të shpifur bashkëpunimin tim. Gazetarja A. Jaupaj botoi tek “Panorama” një shkrim ku citonte A.S., sipas të cilit Olta Gixhari paskësh dashur të zhvishej në një moment të interpretimit të saj, por ky nuk kishte pranuar sepse dëmtohej pjesa. Në fakt në katër minuta mund të bëhen shumë gjëra, mund të ndodhë që një burrë të humbasë edhe burrërinë, por zhveshja ime as në mendjen më të guximshme nuk mundet dot të përfytyrohet për katër minuta. Shkurt, ky A.S. ka stisur një fabul si një injeksion për të mbetur gjallë në tregun artistiko- mediatik. Mirëpo ky aq di dhe aq bën. Problemi mbetet tek ata me të cilët gjithnjë kam patur mirëkuptimin dhe tolerancën më të madhe, me gazetarët, me Ani Jaupajn, me “Panoramën”.
Si munden ata t’i servirin si të vërteta deklaratat e një personazhi të tillë? Si mundet të mos më kontaktojnë më parë, por të më vënë përballë faktit të kryer, me një artikull ku me gërma të mëdha shkruhet një e pavërtetë? Si mund të ndihet njeriu pas kësaj?
Këtu nuk bëhet fjalë për lajme të llojit me kë është Olta në plazh, me kë po del, ka nxjerrë apo ka mbuluar të pasmet. Këtu bëhet fjalë për profesionin tim, atë për të cilin jetoj dhe nga i cili arrij të mbijetoj. Prandaj ndihem e lënduar, prandaj po i shkruaj këto radhë, prandaj për herë të parë vendosa të reagoj. Aktrimi është jeta ime dhe jo çdo i papërgjegjshëm mund të luajë me të. Përpara se të ulen për të mbushur rubrikën e radhës, gazetarët të paktën të mendojnë një minutë për pasojat që mund të shkaktojnë.
Dhe mua ma kanë shkaktuar një të tillë, kanë bërë që disa, apo qoftë dhe një njeri i vetëm, të ngatërrojë thashethemet me punën time. Sigurisht e kanë bërë nga papërgjegjshmëria dhe jo nga dashakeqësia, por megjithatë tek unë kanë shënjuar një thyerje të madhe.
Në vend të përgënjeshtrimeve, gjykatave e demaskimeve, vendosa të shkruaj këto radhë. Në emër të së vërtetës dhe si shenjë të zhgënjimit tim, që ndoshta i bën edhe të tjerët të mendohen.