Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha po zhvillon këtë të shtunë, më 11 prill, një bashkëbisedim me ndjekësit e tij në rrjetet sociale.
Duke folur lidhur me situatën e çmimeve të karburanteve në vend, të rritura si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme, Berisha u shpreh se java që kaloi “ishte përsëri një javë ndëshkimi” për shqiptarët. Kjo sa i takon masave të qeverisë.
Sipas tij, “Qeveria e Edi Ramës, në dallim nga çdo qeveri tjetër në Europë dhe botë, mbajti qëndrim cinik ndaj rritjes së çmimit më të lartë në botë për naftën. Nafta 224 lekë për litër shënoi çmimin rekord botëror dhe kjo jo se nafta u rrit kaq shumë për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, por për shkak të ngarkesës më të lartë fiskale që Edi Rama ka vendosur për çdo litër naftë, për shkak të taksës më të lartë që ua merr qytetarëve shqiptarë në çdo litër naftë prej 1.1 euro.
Jo vetëm që refuzon të përgjysmojë barrën fiskale apo ta sjellë në nivelin e ngarkesës fiskale që ka Kosova dhe Maqedonia në mënyrë që çmimi i naftë të arrijë në këto nivele, por ai njoftoi këto ditë se do heqë edhe subvencionet për naftën e fermerëve.
Domethënë, miliarderët që vijnë dhe marrin nga 1 milion litra naftë me jahtet e tyre superluksoze në portin e Durrësit, e marrin naftën me 60 lekë litrin, kurse fermeri detyrohet ta paguajë naftën me 220 lekë litrin, çka do të thotë se sipërfaqe qindra e mijëra hektarë do mbeten djerrë dhe qindra mijëra fermerë do falimentojnë.”











