• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, June 19, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
    • Exlibris
    • Intervistë
    • Kuzhinë
    • Në plan të parë
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Skara punon: aty ku Trump i përzhit mysafirët

by Enver Robelli
05/06/2025 20:37
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Enver Robelli

Oval Office është zyra më e rëndësishme në botë. Sepse aty punon politikani më i rëndësishëm – ose më mirë të themi -: politikani më me ndikim në botë. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Donald Trump. Oval Office nuk është zyrë e madhe. Sall 76 metra katrorë. Sa një banesë që mërgimtarët e përvëluar dhe përmalluar për Kosovën e blejnë në Prishtinë, Gjilan a Pejë për të kaluar 5 ditë në të nga 365 sa i ka dymbëdhjetëmuajshi.

Mobiliet e Oval Office janë kryesisht ngjyrë kremi. Ashtu kanë qenë edhe më 29 maj 1998, kur aty hyri udhëheqësi i atëhershëm i shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova, me delegacionin e tij. Biseda u zhvillua me tone të buta, të qeta, dashamirëse – përkundër situatës dramatike në Kosovë. Në një fotografi shihen Ibrahim Rugova dhe Bill Clintoni duke qëndruar në kolltukë (natyrisht ngjyrë kremi), gishtat e duarve i mbajnë të lidhur. Duken si dy teologë budistë duke medituar në një tempull të Birmanisë.

Skena e vetme e rrezikshme është ajo kur Rugova ia dorëzon Clintonit një gur të madh e të çmuar të Trepçës. Astrologët e Velanisë thonë se sa më i madh guri që Rugova ia dhuronte dikujt, aq më i vlerësuar ishte nga ana e tij personaliteti që pranonte dhuratën. Dhe e kundërta: sa më i vogël guri, aq më e vogël edhe rëndësia e personalitetit (në sytë e Rugovës).

Po sikur Rugovës t’i rrëshqiste nga duart ai mega-mineral nga Mitrovica dhe t’ia lëndonte gishtin e madh të këmbës së djathtë apo të majtë Bill Clintonit? Shyqyr që s’ndodhi gjë atëherë. Por edhe sikur të kishte ndodhur (zoti mos e bëftë!), situata e sikletshme do të ishte tejkaluar me zotnillëk (pse kjo fjalë nuk është në fjalorin zyrtar të gjuhës shqipe?). Kohëra të tjera, adete të tjera, tabiate të tjera.

27 vite më vonë shumë gjëra nuk kenë ndryshuar në Oval Office, por banori i saj është tjetërkush. Ka ndryshuar edhe stili i komunikimit. Tani Oval Office është bërë një lloj skare ku Donald Trumpi i përzhit para botës, para kamerave, para fotoaparatëve ata burrështetas që s’i ka fort për qejfi. Viktima e parë dhe më prominente ishte kryetari i Ukrainës, aktor me profesion (plus jurist), i cili ra në kurth. Si të ishte një nxënës i padëgjueshëm ai, ukrainasi, u qortua nga presidenti amerikan (dhe nga zëvendësi i tij) dhe u akuzua për mosmirënjohje. Një kalemxhi i afërt me Trumpin e pyeti kryetarin ukrainas se përse nuk ishte veshur me kostum. Këtë pyetje Trump nuk ia bëri asnjë emiri arab kur para disa ditësh qëndroi në Gjirin Persik. Ata e pritën presidentin amerikan me veshje tradicionale të quajtur dishdasha apo kandora dhe me sandale. Kur ke shumë miliarda, qindra miliarda, mund të vishesh si të duash edhe para presidentit amerikan. Kur ia dhuron Trumpit një avion luksoz (siç e ka ndërmend Katari), atëherë liria e veshjes është e pakufishme, përfshirë lirinë e ekspozimit të gishtave të këmbëve. Me atë rast mysafirët mund të shohin se kur i ka prerë thonjtë sundimtari arab.

Ra vdekja e Papës nga Argjentina dhe presidenti ukrainas u takua në një pallat mermeri të Vatikanit me Donald Trumpin. Folën 15 minuta dhe marrëdhënia e tyre u rregullua pak, por jo përfundimisht. Trump nuk ka kohë t’ju kushtojë shumë vëmendje bashkëbiseduesve. Njeriu më i pushtetshëm në botë ka plane të tjera.

Pas liderit të Ukrainës, radha për ta vendosur në hekurat e skarës i erdhi presidentit të Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa. Trump e akuzoi mysafirin për aparteid kundër të bardhëve në Afrikën e Jugut, prezantoi disa fotografi si dëshmi (të cilat nuk ishin nga Afrika e Jugut, por kush bëhet merak për këtë), pastaj Trump urdhëroi hyzmeqarët e tij të ndalin dritën për të parë një klip, i cili gjoja dokumentonte gjenocidin kundër të bardhëve në Afrikën e Jugut. Me talentin e aktorit, Trump e shndërroi Zyrën Ovale në kinema. Ramaphosa e kaloi këtë përzhitje kryesisht pa lëvizur tiparet e fytyrës. Ai nuk kishte shkuar në Oval Office i papërgatitur. Jo. Me vete kishte marrë edhe disa biznesmenë të racës së bardhë. Njëri prej tyre lojtar golfi. Delegacioni jugafrikan i solli Trumpit edhe një libër për lojën e golfit, 14 kilogramë të rëndë.

Kryeministri i Kanadasë Mark Carney kaloi relativisht lehtë në Oval Office. Pasi fitoi zgjedhjet me qëndrimin e qartë se Kanadaja nuk do të bëhet pjesë e SHBA-ve, siç kishte kërkuar (dhe provokuar) Trump, Carney hyri në Shtëpinë e Bardhë me vetëbesim dhe i tha presidnetit amerikan se vendi i tij, Kanadaja, kurrë nuk do të jetë në shitje. Trump u përgjigj: “Never say never”, kurrë mos thuaj kurrë. Por Kanadaja është tjetër kalibër në krahasim me Ukrainën apo Afrikën e Jugut.

Presidenti finlandez Alexander Stubb zgjodhi një metodë tjetër. Nuk shkoi në Oval Office, por i bëri një vizitë Trumpit në pallatin e tij në Floridë. Stubb e ka një përparësi në krahasim me burrështetasit e tjerë: është diplomat dhe politikan me përvojë, ka studiuar në SHBA dhe në Belgjikë, ka dhënë mësim në një universitet europian në Firence të Italisë. Kryepërparësia e tij është se di të luajë golf. Dhe këtë e bëri në Floridë me Trumpin.

Sot, ditë e enjte e 5 qershorit të vitit 2025, mysafiri i radhës në Oval Office e ka emrin Friedrich Merz. Kancelar gjerman. Para se të kalojë pellgun e madh dhe të aterrojë në Washington, Merz është përgatitur për takimin me Trumpin. Ka folur në telefon me presidentin jugafrikan dhe me atë finlandez. Muhabete serioze hallexhinjsh. Tema: si të shpëtosh pa u përzhitur nga Trumpi. Pas zgjedhjes në postin e kancelarit Merz ka telefonuar me Trumpin. Mediat gjermane njoftojnë se biseda ka shkuar mirë. Trump ka folur për rrënjët e tij gjermane, Merz ka treguar se bash në atë pjesë të Gjermanisë e ka kryer shërbimin ushtarak. Dhe e ka njoftuar se ka punuar në Chicago. Trump ka thënë: “Chicago is a great city”.

Cili është leksioni që po nxjerrin burrështetasit nga takimet me Trumpin? Në Oval Office mos shit mend, bëhu masazhist i egos së presidentit, lavdëroje, thuaji se është më i madhi, tregoji se përherë ka pasë të drejtë dhe se do të ketë të drejtë edhe në të ardhmen, para së gjithash përmend investime, miliarda, para, përgëzoje që heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë.

Kryeministri britanik Keir Starmer e përdori edhe një kartë që mund ta përdorin vetëm britanikët: ia dorëzoi Trumpit një letër nga Mbreti Charles. Ishte një ftesë për një vizitë shtetërore në Britaninë e Madhe. Do të jetë e dyta, pas vizitës më 2019. Vizita e radhës do të jetë “historike” dhe e “paprecedent”, tha Starmer. Qe edhe një mësim: kur e takon Trumpin, mos u bë koprrac – shpërndaj superlativë e komplimente pa hesap.

Si do të kalojë Merz në Zyrën Ovale? Një zot e di. Disa politikanë gjermanë janë të shqetësuar se Trump mund të gjejë ndonjë arsye për të acaruar situatën. Për shembull mund të jetë xheloz që Merz me gjatësinë e tij prej 198 centimetra është 7,62 centimetra më i madh se presidenti amerikan. Gabim, gabim, gabim – jo më i madh, por më i gjatë. Më i madhi dihet se kush është.

Kur po dorëzohet ky tekst për botim, takimi mes Trump dhe Merz s’ka filluar ende. Gazetarët gjermanë që po e shoqërojnë kancelarin janë të shqetësuar, të brengosur, në siklet, në hall. Pse? Ka qenë e planifikuar që Merz së pari të drekojë me Trumpin, pastaj të shkojë në Oval Office. Në çastin e fundit pala amerikane e ka ndryshuar planin. Së pari dalja para mediave (dhe para botës) në Oval Office, pastaj dreka. Gjermanët shpresonin se nëse së pari do të hahej dreka, atmosfera do të shtendosej.

Jo vetëm për arsye zbavitëse duhet ëndërruar një vizitë të Edi Ramës në Shtëpinë e Bardhë. Do të ishte një shou i madh nëse ky qyfyrexhi jodiplomatik do të ulej aty ku më 1998 ishte ulur Ibrahim Rugova – në Oval Office. Nuk do të sillte gurë të çmuar si Rugova, por për t’u dukur si Trumpi mund të vë parukë ngjyrë portokalli. Kjo është më e pakta që pritet prej tij. Dhe nja 10 peshqirë me logon Trump për plazhin e Sazanit. Por situata mund të marrë një kahje të padëshiruar nëse Trump e shndërron në kinema Zyrën Ovale dhe e emiton një intervistë të Edi Ramës nga prilli i vitit 2016. Në CNN, jo në një televizion të Rrogozhinës, ai kishte parlajamëruar pothuaj fundin e botës nëse fiton Donald Trumpi në zgjedhjet presidenciale.

Next Post

Vendosja e gabuar e tabelave të shpejtësisë, eksperti: Shkak për aksidente automobilistike

Comments 5

  1. L.Xh says:
    2 weeks ago

    Robell, je tepër cinik, dashakeq dhe i poshtër në shpirt, njesoj si Albin Kurti i yt, me shprehje të tillë, që edhe më i ndyri i kabinetit të tijë, nuk do ti thoshte.
    Pafytyresia yte, arrin deri këtu, sa të thuash ……” duhet ëndërruar një vizitë të Edi Ramës në Shtëpinë e Bardhë. Do të ishte një shou i madh nëse ky qyfyrexhi jodiplomatik do të ulej aty ku më 1998 ishte ulur Ibrahim Rugova – në Oval Office”.
    Je pis njeri, pis burrë.
    Karakteristike e pothuaj gjysmes së kosovareve, prandaj edhe u thonë koqevarë.

    Reply
  2. V.F.L.P. says:
    2 weeks ago

    L.Xh. Mund të të lejohet ta kritikosh shkrimin e Gazetarit por nuk të lejohet ta fyesh një popull të tërë! Qenke shovenist si serbët.

    Reply
  3. L.Xh says:
    2 weeks ago

    As pikë, e as presje nuk heq.
    Kosovarët janë BUKËSHKALË, janë SKUTHA, janë BESËPREMË, ta fusin PRAPAKRAHËVE, etj, etj, dhe pak më të lehta si mashtrues, me nga tre e katër gra e po kaq palë fëmijë, injorantë, obskurantistë, megallomanë., etj….
    Prandaj, RROFTË SHQIPËRIA.
    Vdekje tradhetareve o i nderuari V.F.L.P (vdekje fashizmit liri popullit – një sllogan komunist gjate luftes dytë boterore).

    Reply
    • V F L.P. says:
      2 weeks ago

      Pikëpamjet tuaja janë fashiste, prandaj: V.F L.P.
      Përgjithësimet bëhen nga njerëz jointeligjentë dhe nga njerëz që urrejnë. Ti qenke i mbushur me urrejtje. Ose je nga pala armike, si serbët.
      Sa shqiptarë nga Shqipëria kanë sjellje kriminale dhe të pabesë por nuk më shkon mendja t’i përgjithësoj. Natyrisht, sepse e dua popullin tim shqiptar pa dallim krahine. Ka edhe këtej kufirit që mendojnë si ti për shqiptarët e Shqipërisë.

      Reply
      • L.Xh says:
        2 weeks ago

        Rroftë Shqipëria.
        Poshtë tradhetorët.
        Nuk merrem më me ju.
        Nuk kam urrejtie për asnjë,,por urrej SKUTHËT, BUKËSHKALËT, BESËPREMIT, TË VËNË DORËN NË QAFË E GISHTIN NË B…., të pa MORALSHMIT, OBSKURANTISTET, MEGALLOMANËT DHE gjithë ata që bëjnë sikur janë atdhetarë, por bëjnë punën e SËRBIT apo GREKUT si njerëz të blerë prej tyre.
        Këto sa thashë, nuk mund të mos i shpreh,,paçka se ndokujtë, si puna juaj, mund tp mos i pëlqejnë.
        Sa për Rovellin tënd (o Rovell), nuk lëviz asnjë pikë e presje sa kam shkrojtur.
        Poshtë të shiturit,
        Rroftë Shqipëria e Shqipëtaret.

        Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Dalin imazhet satelitore, si e kanë dëmtuar sulmet e Izraelit reaktorin bërthamor iranian

Dalin imazhet satelitore, si e kanë dëmtuar sulmet e Izraelit reaktorin bërthamor iranian

June 19, 2025
“Si e konsideroni Shqipërinë?” Përgjigjet gjenerali izraelit: Ne po luftojmë edhe për ju, për gjithë Ballkanin!

“Si e konsideroni Shqipërinë?” Përgjigjet gjenerali izraelit: Ne po luftojmë edhe për ju, për gjithë Ballkanin!

June 19, 2025
“Vizioni i PS, Shqipëria 2030″/ Klosi për listat e PS: Askujt nuk i pengohet e drejta për të kandiduar, për sa kohë nuk është dënuar

Rishikim të Kodit Zgjedhor? Kodi Elektoral? Klosi në ‘Real Story’: Problemin nuk e ka sistemi, por duhet të…

June 19, 2025
“Ke një fëmijë të paligjshëm”, kryeministri armen sherr me kreun e Kishës

“Ke një fëmijë të paligjshëm”, kryeministri armen sherr me kreun e Kishës

June 19, 2025
Nga Bufi te Noc Rroku; pse po bie opozita e Berishës në kurthin e Ramës?

“Shteti në shërbim të partisë”/ Noka: Ramiz Alia me më pak ndikim në shtet se ç’ka sot Edi Rama

June 19, 2025
Panik në aeroportin grek, avioni përplaset me një objekt në pistë

Panik në aeroportin grek, avioni përplaset me një objekt në pistë

June 19, 2025
Shqipëria pret Samitin e NATO-s në vitin 2027, konfirmimi vjen nga Holanda

Shqipëria pret Samitin e NATO-s në vitin 2027, konfirmimi vjen nga Holanda

June 19, 2025
Asambleja e Përgjithshme e OKB/ Ministri Hasani mbërrin në Nju Jork, zbardhet axhenda e takimeve

Ministri Hasani i prerë: Shqipëria mbështet Izraelin dhe të drejtën për vetëmbrojtje!

June 19, 2025
Kosova do të presë emigrantë nga SHBA-të, reagon DASH: Mirënjohës ndaj partneres sonë

Departamenti i Shtetit thirrje amerikanëve: Largohuni nga Irani menjëherë!

June 19, 2025
VENDIMI / Ish-punonjësit e Mjekësit, Gramshit e Poliçanit do të marrin pagat e prapambetura

VENDIMI / Ish-punonjësit e Mjekësit, Gramshit e Poliçanit do të marrin pagat e prapambetura

June 19, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
    • Exlibris
    • Intervistë
    • Kuzhinë
    • Në plan të parë

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com