Aludimeve për një takim sekret me kryeministrin Rama, kreu i opozitës Lulzim Basha u është përgjigjur në mënyrë të prerë.
“Nuk ka asnjë takim sekret të Lulzim Bashës me asnjë nga bashkëpërgjesit e gjendjes ku është katandisur vendi.
Në këto kushte është jo vetëm qesharake, por edhe e papranueshme, e refuzueshme, unë e refuzoj me përbuzje çdo insinuatë për pakte me ta” deklaron ai në një intervistë për DW.
Ndërsa përsa i përket skandalit me CEZ, kreu i PD, shprehet se përgjigjet e pyetjeve se kush i ka vjedhur milionat e shqiptarëve mund t’u japin përgjigje vetëm ndërkombëtarët.
“Kush ka përfituar dhe sa ka përfituar nga kjo marrëveshje, ku kanë shkuar 500 milionë euro të shqiptarëve, këto janë pyetje legjitime, të cilat mund dhe duhet të marrin përgjigje përmes një hetimi ndërkombëtar.
PD ka çuar në parlament draftligjin për këtë, në bazë të një përvojë të mëparshme, kërkesë e cila për fat të mirë, ka marrë edhe mbështetje nga brenda mazhorancës”.