Drejtori i Rajonal i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Pjerin Xhuvani si dhe administratori i farmacive, Hysni Roci janë lënë në burg nga Gjykata e Tiranës deri në përfundim të hetimeve lidhur me skandalin e barnave. Në seancën e sotme Gjykata e Tiranës ka vendosur sot masën e sigurie “Arrest me burg” për Xhuvanin dhe Rocin.
Nga hetimet, ata akuzohen të jenë organizatorët e skemës së mashtrimit. Ndërkohë që për 3 punonjës të fondit është dhënë masa e sigurisë “Arrest shtëpie”, ndërsa masa “Detyrim paraqitje” u dha për 4 drejtues teknik të farmacive.
Më 5 qershor, të paktën 9 persona, 4 prej të cilëve zyrtarë të Drejtorisë Rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Tiranë dhe 5 drejtues farmacie në kryeqytet u vunë në pranga, pasi dyshohet se kanë krijuar një skemë të madhe mashtrimi me rimbursimin e medikamenteve. Në bazë të një vlerësimi paraprak, i është shkaktuar shtetit një dëm rreth 56 milionë lekë të reja.









