Rektori i Universitetit të Gjirokastrës, Gëzim Sala, e cilësoi skandal dokumentarin për Vorio Epirin, hedhur në faqen zyrtare nga Departamentin i Gjuhës, Letërsisë dhe Qytetërimit Grek, shkruan Gazeta Shqiptare.
Sala pohoi se nuk disponon asnjë dokument zyrtar nga ana e Departamentit të Gjuhës, Letërsisë dhe Qytetërimit Grek lidhur me përmbajtjen dhe financimin e këtyre dokumentarëve, që nuk kanë marrë miratimin e asnjë strukture shkencore e administrative të këtij universiteti. Ai u shpreh se publikimi i këtyre dokumentarëve me teza antishkencore nën logon e Departamentit të Gjuhës, Letërsisë dhe Qytetërimit Grek në faqen zyrtare të Universitetit të Gjirokastrës është veprim individual i përgjegjësit të këtij departamenti, Panajot Barka.
“Në kontekstin institucional jemi duke verifikuar problemin e krijuar dhe do të marrim masat e nevojshme për të nxjerrë përgjegjësit, në mënyrë që në të ardhmen të mos përdoret institucioni për projekte që nuk kanë të bëjnë me misionin akademik të Universitetit “Eqrem Çabej” Gjirokastër”, tha rektori Sala.
I akuzuar nga rektorati i universitetit si përgjegjës për përdorimin e logos dhe departamentit për përdorimin e dokumentarëve që bien ndesh me përmbajtjen e tezave në fushën e historisë dhe arkeologjisë, Panajot Barka, pohoi se “brenda ligjeve e Kushtetutës së Shqipërisë çdo departament ka të drejtën të zhvillojë një veprimtari shkencore të pavarur edhe brenda vetë universitetit”.
Ai hodhi poshtë pretendimet për përmbajtje nacionaliste dhe antishqiptare në dokumentarët e publikuar në gjuhën greke. Sipas Barkës, dokumentarët janë një fiksim i fakteve të thëna e të stërthëna nga historiografia shqiptare dhe të gjithë këtë debat e quan thjesht një manipulim mediatik i përdorur ndaj tij për të nxitur ekstremistë nacionalistë shqiptarë.
Ndërsa, kreu i departamentit të historisë në këtë universitet, Shyqyri Hysi, tha se “problemi i historisë së Epirit nuk është një problem i sotëm dhe as nuk mund të zgjidhet nga rrethana e pozita të sotme. Edhe pse mund të rishkruhet, historia e Epirit nuk mund të tjetërsohet, pasi ajo është e konfirmuar jo vetëm nga autorë të antikitetit, por edhe në të gjitha kronikat e udhëtarëve që kanë shkelur territorin e Epirit”. Ai e quajti tepër të gabuar tentativën e qarqeve të ndryshme që nisen nga rrethana politike dhe u intereson të marrin segmente të kësaj historie e duke u nisur nga ditët e sotme, tentojnë të formojnë historinë e kaluar të Epirit, duke e deformuar atë.
BW