Klubi i futbollit Vllaznia është gjetur me shkelje të rënda ligjore dhe abuzive. Kjo është konfirmuar pas një auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit. “Panorama Sport” ka siguruar dje ekskluzivisht raportin e haruar pas një hetimi të kryer mbi klubin shkodran.
Bëhet fjalë për qindra milionë lekë që janë pjesë e shkeljeve ligjore në mënyrë krejt të hapur për tre vite me radhë: 2014, 2015, 2016. Në këtë raport, mes të tjerash, KLSH-ja ka evidentuar edhe dy arkëtime nga FSHF-ja për klubin, që janë pa kontratë dhe në kundërshtim me ligjin. Më e rëndë është situata me kontratat e lojtarëve dhe stafit teknik në këto tri vite, teksa klubi nuk ka paguar as sigurimet shoqërore.
KONTRATAT DHE BORXHI
Sipas auditit të KLSH-së, lojtarët e ekipit të parë të Vllaznisë dhe stafi i trajnerëve dhe mjekëve janë trajtuar me kontrata shërbimi. Kësisoj, nuk i janë përmbajtur rregullores për të bërë kontrata pune. Mirëpo, as për kontratat e shërbimit nuk janë derdhur kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Kështu, janë 350 milionë lekë me efekt negativ në skemën e sigurimeve shoqërore.
Nga auditimi rezulton se 15 për qind e tatimit në burim me një shumë totale prej 230 milionë lekësh të vjetër për lojtarët dhe stafin sportiv nuk janë derdhur në degën e Tatim-Taksave në Shkodër. Kontratat e lojtarëve, sipas auditit të KLSH-së, janë në kundërshtim me rregulloren e FSHF-së. Gjithashtu, kontratat me lojtarët e huaj që ka pasur Vllaznia janë në shkelje të ligjit.
LOJTARËT DHE PAGESAT
Po ashtu, në raport theksohet se përzgjedhja e lojtarëve nuk është bërë sipas rregullores së FSHF-së. Për sezonin 2014-2015 janë paguar 35 lojtarë dhe një sezon më pas 32 lojtarë nga 25 që kanë qenë të federuar në FSHF. Pra, në rastin e parë janë paguar 10 lojtarë më shumë dhe në rastin e dytë 7 lojtarë më shumë.
Gjithashtu janë kryer pagesa pa procedura tenderimi si blerje karburanti në vlerën 13 milionë lekë të vjetër, akomodim lojtarësh në vlerën 84 milionë të vjetër, shpenzime transporti 42 milionë lekë të vjetër apo shpenzime ushqimi në vlerën 55 milionë lekë të vjetër, që në total janë 194 milionë lekë të vjetër.
LOGOJA DHE FSHF-ja
Vllaznia ka vlerësuar edhe logon në vitin 2011 me shumën 639 milionë lekë të vjetër, por që nuk është regjistruar në kapitalin e shoqërisë sipas ligjit. Në vitin 2014, Vllaznia ka një humbje prej 556 milionë lekësh të vjetër, ndërsa në 2014-n 725 milionë.
Pasqyrat financiare, ndërkaq, kanë mangësi të theksuara në paraqitjen e llogarive. Në vitin 2014, FSHF-ja ka arkëtuar një shumë prej 70 milionë lekësh të vjetër dhe shumën prej 15.500 euro në vitin 2016 për Vllazninë, por pa një kontratë të lidhur dhe nuk është deklaruar si e ardhur në klub, në kundërshtim me ligjin.
BUXHETI DHE DEKLARIMET
Projektbuxheti për vitet 2014, 2015, 2016 nuk është hartuar në përputhje me kërkesat e ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, si dhe projektbuxhetet në këto vite nuk janë miratuar në Këshillin Bashkiak, sipas zërave të shpenzimeve, pra të detajuara për paga e sigurime shoqërore e shëndetësore.
Nuk ka rregullim të brendshëm, për përgatitjen e programeve ekonomike-financiare. Organika dhe niveli i pagave për personelin teknik dhe administrativ të shoqërisë nuk është miratuar në Këshillin Bashkiak, veprim i realizuar nga ish-administratorët dhe administratori aktual dhe që bie ndesh me ligjin “Për kompetencat dhe caktimin e pagave”.
Në fund të raportit, KLSH-ja bën të ditur se klubi Vllaznia shumë shpejt duhet të marrë masa për këto shkelje dhe të nisë përmirësimin për rekomandimet e lëna.
Disa nga shkeljet e gjetura te Vllaznia
1. Në vitet 2014, 2015 dhe 2016 lojtarët e ekipit të parë të Vllaznisë, stafi i trajnerëve dhe mjekëve, janë trajtuar me kontrata shërbimi dhe jo kontrata pune.
2. Klubi nuk ka derdhur kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për lojtarët dhe stafin. Shuma prej 230 milionë lekësh të vjetër nuk është derdhur në degën e Tatim-Taksave në Shkodër.
3. Kontratat me lojtarët e huaj janë në shkelje të ligjit. U konstatua se formati i tyre është lidhur në kundërshtim me rregulloren e FSHF-së.
4. Në sezonin 2014-2015 janë paguar 35 lojtarë në shumën totale 317 milionë lekë të vjetër, ndërsa në FSHF janë federuar 25 lojtarë.
5. Në sezonin 2015-2016, nga 25 lojtarë të federuar në FSHF, janë paguar 32 të tillë në shumën totale prej 277 milionë lekësh të vjetër.
6. Vlerësimi i logos së klubit me 639 milionë lekë të vjetër nuk është regjistruar në kapitalin e shoqërisë sipas kërkesave të ligjit.
7. Janë kryer arkëtime nga FSHF-ja në shumën 70 milionë lekë të vjetër në vitin 2014 dhe 15.500 euro në 2016-n, pa kontratë të lidhur dhe e deklaruar si e ardhur në shoqëri në kundërshtim me ligjin.
8. Organika dhe niveli i pagave për personelin teknik dhe administrativ të Vllaznisë nuk është miratuar në Këshillin Bashkiak, veprim i realizuar nga ish-administratorët dhe administratori aktual, që bie ndesh me ligjin “Për kompetencat dhe caktimin e pagave”.
9. Janë kryer pagesa pa procedura tenderimi, si blerje karburanti në vlerën 13 milionë lekë të vjetër, akomodim lojtarësh në vlerën 84 milionë të vjetër, shpenzime transporti 42 milionë lekë të vjetër apo shpenzime ushqimi në vlerën 55 milionë lekë të vjetër.
Precedenti me klubin shumësportësh
Klubi shumësportësh Vllaznia ka hyrë në morsën e Bashkisë Shkodër në një audit që vetë bashkia ka bërë për një periudhë 4-vjeçare nga viti 2012 deri në 2015-n. Janë nxjerrë në pah disa shkelje ligjore dhe administrative që vazhdojnë në të njëjtën mënyrë prej disa vitesh me radhë.
Një prej gjetjeve më të rëndësishme është shkelja e ligjit minimalisht që nga viti 2008 teksa “Sport Klub Vllaznia” nuk duhet të jetë në varësi të bashkisë, por kësaj të fundit duhet t’i kërkohet fillimi i procedurave për ta kthyer në shoqëri aksionere. Kjo do të thotë se edhe shumësportëshi do të duhet të funksionojë si Vllaznia e futbollit, si një sh.a. dhe jo më institucion varësie. sepse sipas auditit bie në kundërshtim me ligjin.
Auditi në fillim thotë se sistemi i proceseve organizative ka një risk të lartë sepse nuk ka rregullore dhe ka mangësi në përcaktimin e funksioneve. Sistemi buxhetor, ai i shpenzimeve, raporti financiar janë vlerësuar me risk të mesëm, ndërsa paraqiten me mangësi të ndryshme. panorama
ma.me