Partisë Demokratike nuk i mjafton opinioni i Komisionit të Venecias. Ndonse dihet tashmë botërisht se PD është kundër vetting-t, zyrtarisht ajo i kërkoi sot Gjykatës Kushtetuese që ta rrëzojë ligjin e vetting-ut. Ajo iu kërkon GJK që të vijojë të shqyrtojë ligjin sipas kërkesave të PD-së, ku kërkesa bazë është rrëzimi i ligjit.
Në një farë mënyre PD i kërkon Gjykatës Kushtetuese që të rishkruajë ligjin për Vetting-un. Në një reagim pas bërjes publike të opinionit final të Komsiioonit të Venecias, PD pasi shprehet me një frazë komplimentuese sa “për të larë gojën” në adresë të Venecias, i kërkon Gjykatës Kushtetuese sërish që të rrëzojë ligjin e vetting-un. Sipas saj, Vetting-u të bëhet nga organet kushtetuese dhe jo nga kryeministri, “ku DSIK dhe SHKB të jenë në mbikqyrjen e komisionit të pavarur”. Në fakt ajo që kërkon PD është largimi i SHBA dhe BE nga prania në vetting për ti lënë dorë të lirë sërish PD-së që të vijojë të mbajë në këmbë kastën e kriminaliziuar e të korruptuar në sistemin e drejtësisë.
PD thekson se ‘Venecia’ në paragrafin 64 ka shprehur qartë qëndrimin se disa organe që janë nën ndikimin e Kryeministrisë, duhet të mbikëqyren nga Komisioni i Pavarur i Vettingut. Më tej PD shton se: Vettingu, sipas Kushtetutës është garancia e vetme për largimin nga sistemi të gjykatësve dhe prokuroreve të korruptuar. Vettingu, sipas ligjit antikushtetues të Edi Ramës mbron të korruptuarit dhe kriminelët në pushtet.”.
DEKLARATA E PD
Komisioni i Venecias, në paragrafin 64, ka shprehur qartë opinionin se grupi i punës i përbërë nga organet që janë nën varësinë apo ndikimin e Kryeministrit (sic janë DSIK, SHKB në Ministrinë e Brendshme, DPPPP, etj), duhet të jetë domosdoshmërish nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e plotë të Komisionit të Pavarur të Vettingut. Konkretisht, paragrafi 64 thekson se: “Për Komisionin e Venecias, konkluzioni themelor është që grupi i punës, i cili ka rolin kryesor në kontrollin e figurës dhe që përbëhet nga personel sigurie, të funksionojë nën mbikqyrjen dhe kontrollin e organeve të rivlerësimit dhe që të gjitha materialet në dispozicion të grupit të punës duhet të jenë në dispozicion të tyre”. Ky konkluzion themelor i Komisionit të Venecias konfirmon tërësisht qendrimin e Partisë Demokratike, se; procesi i kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetting) duhet të bëhet vetëm nga organet kushtetuese të rivlerësimit, dhe se cdo organ tjetër qeveritar duhet të veprojë nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e organeve kushtetuese të rivlerësimit (Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve dhe Kolegji i Apelimit). E thenë qartë, paragrafi 64 i Opinionit të Komisionit të Venecias, sanksionon se vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të bëhet jo nga Kryeministri, por nga organet kushtetuese të rivlerësimit.
Komisioni i Venecias në paragrafët 46 dhe 58 çmon se është Gjykata Kushtetuese që duhet të vlerësojë nëse organet kushtetuese të rivlerësimit, kanë kontrollin e plotë mbi organet qeveritare, si kusht që ligji të jetë në përputhje me nenet 6 dhe 8 të KEDNJ-së. Ne nxisim Gjykatën Kushtetuese që të përfundojë në një kohë të shkurtër shqyrtimin e kushtetutshmërisë së ligjit të vettingut, sipas të gjithë çështjeve të ngritura në kërkesën e Partisë Demokratike. Komisioni i Venecias shprehet qartë në paragrafin 15, se nuk merr përsipër të analizojë përputhshmërinë ligjit me Kushtetutën dhe legjislacionin e brendshëm. Kjo detyrë i takon vetëm Gjykatës Kushtetutës, e cila duhet të garantojë që ligji i Vettingut të jetë në përputhje me Kushtetutën. Vettingu, sipas Kushtetutës është garancia e vetme për lagimin nga sistemi të gjykatësve dhe prokuroreve të korruptuar. Vettingu, sipas ligjit antikushtetues të Edi Ramës mbron të korruptuarit dhe kriminelët në pushtet.
ma.me











