Deputetë të pushtetit në Kosovë do të vazhdojnë të marrin mëditjet për punën që nuk e bëjnë.
Kjo, ngaqë nuk do të ketë kurrfarë mase ndëshkimi apo disiplinimi për ata ligjvënës që firmosen si pjesëmarrës në seanca e që, në fakt, nuk i çojnë deri në fund ato, shkruan Koha Ditore.
Disa mbledhje plenare kanë dështuar të mbahen, në mungesë kuorumi. Dhe, në to, prova mashtrimi kanë dhënë deputetët që u përkasin subjekteve politike të koalicionit qeverisës.
Historia është përsëritur edhe në seancën e së mërkurës. Ajo ka filluar punimet me praninë e vetëm 53 deputetëve, pa pasur kuorum për të marrë vendime, dhe po për shkak të mungesës së kuorumit ishte ndërprerë kur në sallë kishin mbetur vetëm 56 deputetë. (b.an)