Senatorja amerikane Jeanne Shaheen, anëtarja më e lartë demokrate në Komitetin për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit të Shteteve të Bashkuara, zhvilloi këtë të premte një takim në Tiranë me të rinj dhe përfaqësues të programeve të lidershipit, ku përcolli mesazhe për stabilitetin rajonal, forcimin e demokracisë dhe perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë fjalës së saj, senatorja Shaheen u përqendrua në tri çështje kryesore për të ardhmen e rajonit, mundësitë ekonomike dhe zhvillimore, stabilitetin politik dhe forcimin e demokracisë.
Duke iu referuar zhvillimeve në Bosnje dhe Hercegovinë, ajo shprehu kundërshtimin ndaj vendimit të administratës amerikane për heqjen e sanksioneve ndaj Milorad Dodikut, ish president i Republikës Srpska.
“Nuk jam dakord me heqjen e sanksioneve ndaj Dodikut”, u shpreh senatorja, duke nënvizuar se stabiliteti duhet të mbetet një ndër objektivat kryesore të angazhimit amerikan në Ballkan.
Shaheen theksoi se politika e Shteteve të Bashkuara duhet të synojë forcimin e institucioneve dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të vendeve të rajonit.
Sipas saj, zhvillimet politike dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor nuk mund të shihen të izoluara, pasi situata në një vend ndikon drejtpërdrejt edhe te fqinjët.
Ajo solli si shembull Bosnjën dhe Kosovën, duke vënë në dukje se zhvillimet në këto vende kanë ndikim edhe në Shqipëri dhe në stabilitetin e përgjithshëm të rajonit.
Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutimit ishte demokracia dhe shteti i së drejtës. Senatorja amerikane rikonfirmoi mbështetjen për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, duke theksuar rëndësinë e reformave demokratike dhe forcimit të institucioneve.
Ajo vlerësoi se këto reforma janë veçanërisht të rëndësishme për Shqipërinë, ndërsa procesi i integrimit duhet të jetë i besueshëm dhe të ofrojë një perspektivë konkrete për vendet kandidate.
Shaheen theksoi se vendeve të rajonit u janë kërkuar reforma të vazhdueshme, por procesi i anëtarësimit nuk mund të mbetet i hapur pafundësisht.
Në përfundim, senatorja iu drejtua brezit të ri me një mesazh për përgjegjësinë që ka në ndërtimin e së ardhmes së Ballkanit.
“Brezi im e kujton Ballkanin që vuante nga lufta. Brezi juaj ka një sfidë tjetër, të ndërtojë vende demokratike dhe që ofrojnë shpresë”, ishte mesazhi i saj.
Aktiviteti, i organizuar nga Atlantic Council në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro Amerikan për Zhvillim (AADF), u moderua nga gazetarja Ilva Tare, Senior Fellow në Qendrën për Europën të Atlantic Council.
Vizita e Shaheen në Tiranë është pjesë e një turi rajonal të delegacionit të Kongresit amerikan, nga 6 deri më 13 tetor, që përfshin Bosnjën dhe Hercegovinën, Shqipërinë, Malin e Zi, Kroacinë dhe Kosovën. Në delegacion merr pjesë edhe senatori demokrat Dick Durbin.
Takimi në Tiranë u zhvillua në kuadër të nismës Balkans Forward të Atlantic Council, e cila synon të mbështesë zhvillimin politik dhe ekonomik të rajonit përmes integrimit euroatlantik, duke përfshirë të rinjtë në diskutimet për të ardhmen demokratike dhe europiane të Ballkanit Perëndimor










