Profesor Ross Stein, drejtor ekzekutiv i kompanisë Temblor Incorporated, thotë se tërmetet nuk mund të parashikohen por në vend të kësaj është e nevojshme të përcaktohen prioritetet për mbrojtjen nga tërmetet. Në një intervistë që i dha nga San Franciskoja kolegut tonë Ilir Ikonomi, Profesor Stein tha se rajonet rreth Tiranës dhe ato përgjatë bregdetit të Shqipërisë kanë rrezikun më të madh dhe janë zonat ku duhet përqendruar vemendja. Puna e kompanisë Temblor në Shqipëri dhe Ballkan financohet nga zyra amerikane e ndihmës për fatkeqësitë ndërkombëtare.
Zëri i Amerikës: Profesor Stein, a ishte tërmeti në Shqipëri diçka që shkencëtarët e kishin parashikuar në një farë mënyre?
Profesor Ross Stein: Në një kuptim të gjerë, po. Nga pikëpamja sizmike, kjo është pjesa më aktive e rajonit të Ballkanit dhe në fakt ka një histori tërmetesh më të mëdha e më të shpeshta, edhe më të shpeshta se sa Italia. Për nga aktiviteti vjen ndoshta vetëm pas Greqisë veriore në Evropë.
Zëri i Amerikës: Si do ta krahasonit tërmetin e tanishëm me tërmetet që kanë goditur Ballkanin në të kaluarën?
Profesor Ross Stein: Natyrisht, tërmeti i vitit 1963 që goditi Shkupin, rreth 165 kilometra në lindje të këtij tërmeti, ishte shumë më shkatërrimtar megjithëse ishte mjaft më i vogël. Ai ishte sa një e pesta në përmasa, por mori 10 herë më shumë jetë dhe pothuajse e shkatërroi plotësisht Shkupin. Pra, fatmirësisht, ky tërmet, ndonëse më i madh, bëri më pak dëme, ndoshta sepse ishte më larg qëndrave të mëdha të banuara.
Zëri i Amerikës: A ka Shqipëria një histori të pasur me tërmete?
Profesor Ross Stein: Shqipëria ka qenë mjaft aktive gjatë kohërave dhe ekzistojnë të dhëna për tërmete që datojnë nga viti 1000 i Erës Sonë, të cilët tregojnë se ky është një rajon ku, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën, mund të presim tërmete të mëdhenj në të ardhmen.
Zëri i Amerikës: Çfarë tregojnë rrudhat e terrenit apo vijat tektonike që përshkojnë këtë rajon?
Profesor Ross Stein: Më lejoni të kthhem pak prapa. Arësyeja që Shqipëria është kaq e bukur është sepse ajo ka një topografi të mrekullueshme me kodra dhe lugina dhe kjo ndodh nga që rajoni ka pësuar shtypje nga lindja dhe perëndimi. Është njëlloj si një qilim, që kur e shtyn nga të dyja anët, ai krijon rrudha. Këto janë ishujt e Kroacisë dhe kodrat apo luginat e Shqipërisë. i tërë rajoni është i shtypur dhe janë krijuar linja tektonike poshtë shumë prej këtyre rrudhave, duke përfshirë atë që u trondit disa ditë më parë.
Zëri i Amerikës: Besoj se këto janë shenja shumë të rëndësishme për të kuptuar se çfarë mund të sjellë e ardhmja për Shqipërinë, apo jo?
Profesor Ross Stein: E vërtetë. Shkencëtarët kanë kuptuar relativisht vonë se këto rrudha mund të fshehin linjat aktive tektonike poshtë tyre. Pra, këto tërmete ndodhin përgjatë një rrudhe që vjen duke u ngritur me një gjatësi prej rreth 100 kilometrash. Kjo rrudhë fsheh linjën tektonike poshtë saj. Gjatë 10 viteve të fundit, gjeologët kanë filluar të bëjnë hartat e këtyre rrudhave, për të gjetur me përafërsi vendndodhjen e linjave tektonike, gjë na lejon të shpjegojmë më mirë tërmetet që historikisht kanë goditur rajonin dhe të parashikojmë më saktë se ku mund të ndodhin ato në të ardhmen në një kuptim të gjerë.
Zëri i Amerikës: Ju thoni “në një kuptim të gjerë”, por njerëzit duan të dinë se kur do të ndodhë tërmeti i radhës. Kjo është një pyetje mjaft e zakonshme që bëhet sot në Shqipëri.
Profesor Ross Stein: Dhe kjo është një pyetje që bëhet kudo. Shpresoj që shkencëtarët të mund të ndihmojnë ose të parashikojnë tërmetin tjetër. Por ne nuk mundemi. Ka një variacion tepër të madh sa i përket përmasave, periudhës nga njëri tërmet te tjetri. Në një farë mënyre, tërmetet ndodhin në mënyrë rastësore në gjithë globin tonë dhe jo rregullisht. Prandaj, asgjë nga ato që kemi gjetur nuk na zbulon se kur do të ndodhë tërmeti tjetër. Edhe ky tërmet u parapri nga 4 ose 5 paragoditje. Ju mund të pyeni: Nëse kishte paragoditje, përse të mos e parashikojmë tërmetin e madh? Mirëpo, nëse shohim këto paragoditje, atë i ngjajnë çdo tërmeti tjetër. Në vend të kësaj, ajo që mund të bëjmë ne është të flasim se cilat janë zonat më të rrezikuara në Shqipëri dhe si duhet t’i ndërtojmë prioritetet për mbrojtjen nga tërmetet. Rajoni rreth Tiranës dhe ato përgjatë bregdetit të Shqipërisë kanë rrezikun më të madh dhe kjo na tregon se pikërisht këtu duhet të përqendrojmë vemendjen tonë.
Zëri i Amerikës: Si i shpjegoni kaq shumë pasgoditje? A mund të pritet që ndonjëra nga këto pasgoditje të jetë aq e madhe sa të sjellë të njëjtën shkallë shkatërrimi?
Profesor Ross Stein: Kjo është një pyetje e rëndësishme. Nuk është e pazakontë që pas një tërmeti të madh të vijë një tjetër, siç ndodhi me tërmetin e Izmitit në 1999. Prandaj ne duhet t’i themi vetes: Edhe pse ndodhi ky tërmet, rreziku nuk është pakësuar. Në fakt rreziku është shtuar për një fare periudhe të rëndësishme kohe.
Zëri i Amerikës: Dhe natyrisht pyetja është se për çfarë periudhe kohe bëhet fjalë. Njerëzit duan të dinë. Pyetja tani për tani është nëse duhet të kthehen nëpër shtëpitë e tyre apo të qëndrojnë jashtë dhe të presin deri sa të ndërtohen banesa më të mira.
Profesor Ross Stein: Kjo është një pyetje me shumë rëndësi dhe përgjigja varet nga cilësitë e ndërtesave, sa të forta janë ato. Përgjigja e shkurtër është: Sa më gjatë të qëndrosh jashtë një ndërtese të dobët, aq më mirë. Nuk mund të ketë një moment kur shkencëtarët të thonë: Në rregull, rreziku tani ka kaluar. Rreziku do kohë që të kalojë, kjo kohë mund të jetë një dekadë por mund të shkojë deri në 100 vjet. Këshilla ime është: Ajo që duhet të bëjnë njerëzit tani është të marrin specialistë për të inspektuar ndërtesat e tyre. Nëse cilësia e ndërtimit është e mirë, kthimi nëpër banesa është ndoshta gjëja më e sigurtë. Përndryshe, nëse ndërtesa është e dobësuar, duhet qëndruar jashtë sepse ekziston rreziku që ajo të shembet nga një pasgoditje.