Bashkia e Lushnjës ka reaguar për rastin e rezervuarit të Kasharajt që po përballet me një situatë të pazakontë. Shkak është bërë rënia e ndjeshme e nivelit të ujit dhe si pasojë sipërfaqja e rezervuarit është mbushur nga peshqit.
Ndërkohë Bashkia e Lushnjës ka njoftuar se ka ndërmarrë hapa ligjore me qëllim zbardhjen e të gjithë dinamikës dhe evidentimin e personave që ‘prodhuan’ problematikën serioze të ngordhjes së peshqve në këtë rezervuar.
Gjithashtu bëhet e ditur se Bashkia Lushnje ka kallëzuar penalisht pranë Prokurorisë Fier, bashkimin e kompanive që kanë fituar të drejtën për rehabilitimin e digës dhe shkarkuesit në rezervuarin e Kasharajt.
Reagimi zyrtar:
“Bashkia Lushnjë, pas verifikimit paraprak të informacioneve të lidhura me situatën në rezervuarin e Kasharajt, vendosi të ndërmarrë hapa të mëtejshëm ligjore me qëllim zbardhjen e të gjithë dinamikës dhe evidentimin e personit/personave që “prodhuan” problematikën serioze të ngordhjes së peshqve në këtë rezervuar. Bashkia Lushnjë kallëzoi penalisht pranë Prokurorisë Fier, bashkimin e kompanive që kanë fituar të drejtën për rehabilitimin e digës dhe shkarkuesit në rezervuarin e Kasharajt.
Kallëzimi penal u bë pasi gjatë punës për rikonstruksionin e digës së dëmtuar të rezervuarit, firma që po kryen këto punime nuk ka marrë masat e duhura për menaxhimin e ujërave të rezervuarit, duke sjellë si pasojë dëmtimin e rëndë të faunës dhe të mjedisit në këtë ujëmbledhës. Në bazë të kontratës, pas ndërprerjes së punimeve ( kërkuar nga vetë firma) në 9 shkurt të këtij viti, bashkimi i dy kompanive që po rehabilitojnë digën e rezervuarit, duhet të kishte njoftuar institucionet publike dhe veçanërisht Bashkinë Lushnjë për rinisjen e punimeve në shtator, gjë e cila nuk ka ndodhur! Bashkia Lushnjë mirëkupton sensibilitetin publik të ngjarjes dhe shpreson që organet ligjore ta zbardhin atë sa më shpejt të jetë e mundur”.











