Nga Fatmir Merkoçi/
Sistemi është forma e regjimit të një shteti. Kjo formë përcaktohet në Nenin Një të Kushtetutës. Pas përmbysjes së diktaturës, ne kërkuam që të ndryshonim sistemin, mirëpo, me sa duket nuk ndryshuam dot bash rrënjën e saj. Duket se forcat e atij regjimi ishin më të forta e më të mirëpregatitura për ta vazhduar sistemin e tyre, por tashmë me një emër të ndryshuar. Për ata nuk kishte rëndësi emri, por e rëndësishme ishte vazhdimësia dhe ruajtja e vetë sistemit. Kjo lojë e tyre u duk që në hapat e para, pasi Shqipëria doli nga diktatura me një Paketë Kushtetuese. Mbi këtë paketë u ndërtuan dhe ligjet. Kjo amulli kushtetuese, bëri të kishte një anarshi në drejtimin e vendit, e kjo amulli solli si pasojë dhe “ rebelimin e popullit “ Preteksti, Fajdetë !. Fill pas këtyre ngjarjeve u aprovua me “ referendum” Kushtetuta e Republikës.
Kushtetuta, si pjesa më themelore e Shtetit, kishte bashkautorë. Një artist e një oficer ushtrie (Nuk di nëse Ligji i Dosjeve do t’i lejonte këta persona të merreshin me kushtetutën, por në dijeninë time të paktën njërin jo.) Kjo kushtetutë përcakton dhe formën e regjimit. Pra, Shqipëria është Republikë Kuvendare.
Nëse themi sot, kur po kërkohet dhe është nisur Reforma në Drejtësi, se duhet të bëjmë Ndryshim e jo Reformë e themi në mënyrë të padiskutueshme, pas gjithë këtij tranzicioni të tejzgjatur. Sistemi ka rënë. Pra, sistemi kuvendar është i dështuar. Për të ecur përpara duhet të ndryshojmë sistemin. Duhet të ndryshojmë formën e regjimit. Nëse do vazhdojmë me këtë formë regjimi, sado të bëjmë reforma, sado të arnojmë Kushtetutën, sado të kërkojmë të “fshihemi” me ligjet e dekriminalizimin, dekomunistizimin, reformat në arsim etj., reformat e ndryshme, e me talljen se do hapen dosjet e sigurimit të shteti, asgjë nuk do bëhet. Kur dosjet e Komiteteve të Partisë nuk i përmend njeri, Shqipëria vetëm do zvarritet edhe për shumë dekada edhe në një tjetër tranzicion. Ky do të quhet “Tranzicioni pas reformatores”. Shqipëri do mbetet në nivelet e vendeve të pa zhvilluara ku, zhvillimi më i madh do të jetë korrupsion, krimi i organizuar, ku, do lulëzojë normalisht pandëshkueshmëria. Më këtë sistem aktual, Shqipëria duket se nuk mundet të ndahet dot nga e kaluara.
Sistemi parlamentar në Shqipëri nuk ka sjellë demokracinë, apo lejimin e zhvillimit të vendit në mënyrë lineare. Ky sistem, është sistemi i dështuar në këtë pikë. Është po ky sistem, i cili ka lejuar që të plotësojë dëshirat e individëve në kohëra të ndryshme. Mbi këtë formë regjimi Shqipëria ka prodhuar vetëm Mbret e Diktatorë. Mbi këtë sistem u prodhuan dhe diktaturat dhe pse në forma e emra të ndryshëm. Sistemi nuk duhet të merret si një dëshirë për të ndryshuar, por duhet analizuar se përse ky sistem duhet të vazhdojë.
Çdo vend, zgjedh sistemin e tij qeverisës, formën e regjimit, dhe mbi to nxjerr ligjet e kodet, të cilat janë gjithnjë në përputhje të sistemit. Në Shqipëri, duke pasur një sistem kuvendar, të trashëguar, shohim qartazi se individët që marrin pushtetin, kërkojnë të bëhen zotër të vendit. Gjatë gjithë këtyre viteve, Kryetarët e partive politike, me marrjen e pushtetit, sillen ose si Mbretër o si diktatorë, o si padronë të vendit. Këtë sjellje ja lejon vetë pikërisht ky sistem.
Kuvendi, nuk është asgjë më shumë se një vend ku mblidhen të përzgjedhurit e partive politike. Kuvendarët tanë, nuk hynë në kuvend si pasojë e vlerave apo kontributeve të tyre personale. Nuk janë njerëz të cilët i kanë dhënë vendit apo shoqërisë. Ata janë thjesht manekina partie. Ngritës të kartonit me urdhra partie. Janë njerëz të cilët, fliten e përfliten, sot e gjithë ditën, si njerëz të korruptuar, apo bashkëpunëtorë me krimin, njerëz me të kaluar të dyshimtë. Janë njerëz që dhe pas 25-së vjetësh përfliten për dosje. Janë njerëz që detyrojnë ndërkombëtarët që të kërkojnë një ligj për dekriminalizimin e Kuvendit. Kjo e fundit është sa e dhimbshme aq dhe e turpshme për vetë shtetin.
Këta njerëz, që hynë e dalin nga Kuvendi pa j’ua mësuar njeri emrin si kuvendarë, janë dhe njerëzit më të manipulueshëm. Askush nuk mundet të mohojë se, nga ai Kuvend, janë aprovuar ligje në kundërshtim, jo vetëm me moralin, jo vetëm kundër dokeve, zakoneve e traditave tona, por dhe kundra të drejtës ndërkombëtare. Kjo vërtetohet nga të gjithë. Jemi i vetmi vend që dënojmë me burg për shkelje administrative. Kjo ndodh se: Kryeministri ynë kështu e ka dhënë direktivën ose ashtu i pëlqen. A nuk janë po këta kuvendarë që aprovojnë ligje për rritje taksash. Ligje dhe se si ti paguajmë spiunët e tatimeve. Pra ne bëjmë ligj për largimin e spiunëve nga organet shtetërore dhe po me ligje krijojmë spiunët e ri, madje dhe me pagesë.
Por, e keqja vazhdon dhe më tej. Po ky Kuvend aprovon dhe ndryshimet kushtetuese. Shfuqizon nenet për zgjedhjen e Presidentit, i shton kompetenca K/Ministrit, duke e kthyer atë në një njeri të “ fortë” apo duke e përgatitur si një diktator të ri. Pra, ky kuvend, po bën çdo gjë. Po abrogon apo miraton ligje sipas dëshirës së K/Ministrit apo Kryetarit të Partisë. Kjo linjë domosdoshmërisht e çon vendin drejt Partisë-Shtet, e si pasojë e kësaj lind dhe Diktatorin e radhës. Kështu ka vazhduar për 25-së vjet kjo gjendje. Diktatura nuk vjen në një ditë. Ajo instalohet ngadalë duke krijuar çdo ditë e më shumë terren deri sa shpallet përfundimisht.
Ndoshta jemi ndër vendet e rralla, ku individi komandon në mënyrë bajraktareske. Duket se kësaj tradite nuk i kemi shpëtuar dot, përkundrazi po e respektojmë si një vlerë. Kjo ka bërë që drejtuesit e partive të kenë oreksin për t’u bërë vetëm të parë. Pushteti absolut, ju jep hapësira individëve të sillen si të tillë. Dhe sot, po ndodh e njëjta gjë. Duket se rrota e historisë për ne shqiptarët rrotullohet jo vetëm shpejt, por dhe në një rreze mjaft të vogël. Gabimet sa vijnë dhe rëndohen pasi, përsëritja e tyre është virtyt i politikës tonë.
Duke e parë problemin në tërësi, them se gabimet vijnë nga mentaliteti i shqiptarëve. Gabimet e bëra janë pasojë e vazhdimësisë së sistemit të zgjedhur. Ky sistem, nuk prodhon demokraci, prandaj duhet pranuar nga të gjithë se ky sistem, jo vetëm është i rënë por, është një sistem i dështuar. Nëse nuk e pranojmë këtë, jo si pasojë e dëshirës, por si pasojë e një koncepti dhe analize, atëherë nuk e ka më fajin sistemi, por vetë mentaliteti ynë. Pra, lind domosdoshmëria e ndryshimit të mentalitetit tonë.
Ndryshimi i mentalitetit është i vështirë. Vështirësia qëndron në faktin se politikanët tanë, nuk njohin institucionin e dorëheqjes. Ata njohin vetëm institucionin e përjetësisë. Duke qenë të indoktrinuar me Unin, kryetarët e partive, që në momentin që marrin pushtetin, kthehen në njerëz plot egoizëm primitiv. Vartësit e tyre i përdorin si shërbëtorë, apo si njerëz të cilët vetëm duhet të binden. Ata nuk duhet të mendojnë. Ata duhet vetëm të zbatojnë urdhrat e dëshirat e njëshit. Kështu ndodhi dhe me zgjedhjen e Mbretit. Kështu u zgjodh dhe diktatori. Po të njëjtin stil, përdorin dhe pasardhësit e tyre, por të gjithë kanë përdorur të njëjtën metodë zgjedhjeje. Kjo ka ardhur si pasojë e vetë sistemit, i cili e ka lejuar një gjë të tillë. Nëse duhet një argument bindës për ketë, mundet të përdorim vetëm Kodin Zgjedhor. Kod të cilin e bënë për t’i dhënë forcë Kryetarit të partisë. Ai zgjedh kandidatët. Ai vendos edhe radhën në lista. Me pak fjalë: Ai është i plotfuqishmi i çdo gjëje.
Sot, kërkohet të bëhet reforma. Kjo reformë do bëhet sipas urdhrit të partisë. Sipas atij që vendos diktatin. Atij që çdo gjë e di, e thotë siç do vetëm Ai, të tjerët duhet vetëm ta zbatojnë duke ja plotësuar dëshirën. Nëse politikanët dhe aq më shumë kuvendarët tanë, do kishin sadopak dinjitet profesional, do të gjykonin dhe do deklaronin se sistemi ka dështuar. Ata, vetë, do kërkonin një sistem të ri. Si pasojë do kërkonin bërjen e një Kushtetute të re. Si pasojë do kishim dhe një reformë natyrore e jo reformë për reformë. Prandaj Komisioni i Reformës në Drejtësi fshihet pas kuintave. Ata dalin me deklarata e jo në debate publike.
Askush nga anëtarët apo dhe specialistët që merren me këtë reformë nuk japin opinionet e tyre në shtyp. Maksimumi është ai i z. Xhafa, si kryetar që jep ndonjë intervistë në media. Gjithmonë jep intervista partie e jo profesionale. Por çudia vazhdon dhe më tej. Tek mungesa e debatit mediatik me oponencën. Kjo dhe për arsye të përzgjedhjeve të personave që bëjnë. Ata gjithmonë po mundohen të shpjegojnë se e kanë kryer këtë debat, po ku dhe si, nuk e thonë. Mungesa e debatit është mungesë transparence. Populli dëgjon e sheh po të njëjtat fytyra. Janë po ata që kanë qenë drejtues të drejtësisë. Janë po ata Ministra, K/Prokurorë, që sot po rishfaqen si Komisioni e grupi i specialistëve të reformës në drejtësi.
Kjo reformë (duke e pranuar të mirëqenë) është një nga reformat më delikate në të gjithë kohën e ekzistencës së shtetit shqiptar. Ajo prek si Kushtetutën ashtu dhe ligjet që rrjedhin prej saj. Prek çdo institucion. Prek pushtetin e gjyqësorit. Atij gjyqësori që është sa i përfolur aq dhe i korruptuar. Nëse kjo reformë nuk bëhet transparent e gjithëpërfshirëse, atëherë lind e drejta e dyshimit mbi këtë reformë. Po lind e drejta për të thënë edhe se kjo reformë është e dështuar që në embrion të saj. Ajo mbetet një reformë sa partiake, aq dhe shtytëse drejt një sistemi, i cili do pjell domosdoshmërisht diktaturën. Shenjat drejt saj nuk po mungojnë. Sot, njerëzit dënohen me burg. Fjala e K/Ministrit është vetëm burg për çdo gjë. A nuk është kjo shenja më e pa kundërshtueshme ?. Nëse do aprovohet kjo reformë (për të cilën kartonaxhinjtë janë të gatshëm ta ngrenë kartonin), atëherë askush nuk do ketë më të drejtë të thotë fjalën e tij. Askush nuk do kundërshtojë gjendjen ekonomike. Pasi, kësaj reforme nuk i mungon as neni i prerjes së fjalës së lirë, e kush do guxojë, do burgoset. Pra, kuvendarët që do aprovojnë këtë reformë, nuk do pyesin se çfarë është shkruar. Ata do tregohen të kujdesshëm për t’u treguar sa më servil karshi Kryetarit të tyre. Kjo se nesër duan të jenë përsëri në listat e tij. Pasi, janë këta kuvendarë që janë të inkriminuar si më krimin ashtu dhe me korrupsionin apo me dosjet e sigurimit të shtetit. Prandaj sot lind domosdoshmëria e ndryshimit të sistemit e jo vazhdimësia e tij, që lind vetëm diktatorë.