Regjistrimi audio i seancave gjyqësore synon rritjen e transparencës dhe kontrollit mbi gjyqësorin, por gjykatat më të mëdha dështojnë ta përdorin sistemin e ri për shkak të mungesës së sallave të gjyqit, ndërkohë që tetë gjyqtarë dyshohet se e kanë shmangur atë me dashje.
Gjyqtari i Kavajës, Osman Aliu u përball me një procedim disiplinor në qershor të vitit 2014 pasi injoroi përdorimin e sistemit të regjistrimit audio në 227 seanca gjyqësore. Gjykata e Kavajës ishte ndër të pakëtat gjykata në atë kohë që garantonte infrastrukturën e përdorimit të sistemit të ri, por gjyqtari Aliu pretendoi se “regjistrimi nuk ishte i detyrueshëm dhe as tregues i mosbesimit ndaj tij”.
Ndryshe nga gjyqtari i Kavajës, Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë gjykoi se ky ishte rasti që duhej bërë shembull, për t’i dhënë një shtysë përdorimit të sistemit audio në gjykatat e vendit-një sistem që synon rritjen e transparencës dhe lehtësimin e procedurave gjyqësore.
Gjyqtari Osman Aliu është i pari dhe i vetmi i proceduar deri më tani për shmangien me dëshirë të përdorimit të sistemit audio, për të cilën mori “vërejtje me paralajmërim” nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Megjithatë, dyshimet se gjyqtarë të tjerë e shmangin me qëllim përdorimin e sistemit audio nuk mungojnë.
Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë i tha BIRN se tetë gjyqtarë janë në proces verifikimi, pasi rezultojnë se kanë një përdorim të ulët të sistemit audio gjatë verës së vitit 2016. Sipas Inspektoriatit, në verifikim janë dy gjyqtarë të Gjykatës së Durrësit, një gjyqtar i Shkodrës, 4 gjyqtarë të Gjykatave Administrative të Apelit dhe 1 gjyqtar i rrethit gjyqësor Kavajë.
Kryeinspektorja Marsida Xhaferrllari i tha BIRN se gjyqtarët në proces hetimi kanë një masë të ulët të përdorimit të sistemit audio në muajt qershor dhe korrik 2016, në raport me të dhënat e tyre dhe të gjyqtarëve të tjerë.
“Megjithatë duhet të jemi të qartë se nuk do të thotë apriori se të tetë rastet do të shkojnë në procedim disiplinor, pasi duhet të vërtetohet se kemi të bëjmë me një veprim me dashje në mospërdorimin e sistemit audio,” paralajmëroi Xhaferrllari për BIRN.
I financuar nga projekti JUST i USAID-it si një mekanizëm që rrit kontrollin dhe transparencën brenda sistemit defektoz të gjyqësorit shqiptar, niveli i përdorimi i sistemit audio është tregues i performancës së gjyqtarëve, por edhe i gjykatave në krahasim me njëra-tjetrën.
Për gjyqtarët, shmangia me dëshirë e përdorimit të sistemit audio përbën shkelje të Kodit të Procedurës Civile dhe shkak për nisjen e procedimit disiplinor. Në nivel gjykate, përdorimi i ulët nxjerr në sipërfaqe problemet e infrastrukturës dhe garancitë e ulëta që këto institucione ofrojnë në dhënien e drejtësisë.
Të dhënat e siguruara nga BIRN në Inspektoriatin e KLD-së tregojnë se ndonëse në disa gjykata është arritur regjistrimi i 100 për qind i seancave, në disa gjykata të tjera ky nivel është në pragun e 20 për qindëshit.
Gjykata të rëndësishme si ajo e Tiranës, e Elbasanit apo e Durrësit si dhe disa gjykata administrative të shkallës së parë apo të Apelit rezultojnë të kenë ende një nivel minimal të regjistrimit të seancave gjyqësore përmes sistemit audio për shkak të problemeve të rënda me infrastrukturën.
Gjyqe nëpër zyra
Kryeinspektorja Marsida Xhaferrllari e cilëson një histori suksesi “me kosto të ulët” futjen në përdorim të sistemit audio në gjykatat shqiptare. Ajo shpjegon se sistemi shërben njëherazi për lehtësimin e punës së gjyqtarëve, për një kontroll më të mirë të tyre nga Inspektoriati si dhe ofron më shumë transparencë për çështje të ndjeshme dhe me interes të lartë publik.
“Ne kishim deri vonë procesverbale me shkrim dore, që e vinin gjyqtarin në vështirësi pune…dhe dëshmitarin në sallën e gjyqit të mbante ritmin e shënimeve me dorë nga sekretari,” kujton Xhaferrllari.
Duke iu referuar raportimeve të përmuajshme që merr nga kryetarët e gjykatave, Xhaferrllari pohon se gjatë vitit 2016 ka gjykata si ajo e Korçës, të cilat arrijnë të realizojnë 100 për qind regjistrimin audio të seancave gjyqësore, ndërkohë që gjykata të tjera më të mëdha realizojnë vetëm 20 për qind të regjistrimeve.
Xhaferrllari bën përgjegjës mungesën e sallave të gjyqit për këtë situatë.
“ Nuk duhet të harrojmë se ky sistem është instaluar në sallat e gjykimit dhe ne duhet të pranojmë që kemi ende gjyqe që zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve,” thotë ajo.
“Kemi ende gjykata që kanë infrastrukturë të dobët, që nuk kanë ende standardin e duhur-numri i gjyqtarëve të përputhet me sallat e gjykimit”.
Gjykata e Tiranës-e cila ka në organikën e saj numrin më të madh të gjyqtarëve dhe realizon një numër të lartë çështjesh gjyqësore është më problematikja në këtë drejtim. E ndarë në dy godina për proceset e saj penale dhe civile, Gjykata e Tiranës kryen më shumë seanca në zyrat e ngushta të gjyqtarëve sesa në sallat e gjyqit.
Enkelejdi Hajro, e cila drejton prej dy muajsh Gjykatën e Tiranës i tha BIRN se Dhoma Civile arrin të regjistrojë vetëm 19 për qind të seancave, ndërsa Dhoma Penale 20 për qind. Sipas saj, 55 gjyqtarët e Dhomës Civile kanë në dispozicion vetëm 20 salla gjykimi, ndërsa 21 gjyqtarët Penalë ndajnë mes tyre vetëm 7 salla.
“Problemi i gjykatës së Tiranës është një problem i njohur-është gjykata më e madhe në vend që përbëhet nga 76 gjyqtarë dhe duhet ta pranojmë se përmirësimi i gjyqësorit në vend do të vijë vetëm nga gjykata e Tiranës,” tha Hajro për BIRN.
Monitorimi i gjykatave
Ndërkohë që Gjykata e Tiranës pret prej vitesh ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë për t’u dhënë fund problemeve të zvarritura infrastrukturore, gjykata të tjera në vend nuk kanë asnjë shpresë për përmirësimin e kushteve.
Gjykata e Elbasanit, e cila ka 12 gjyqtarë dhe vetëm dy salla gjykimi shënon nivelin më të ulët të përdorimit të sistemit audio në rang vendi, ndonëse gjyqtarët e saj e kanë njësoj detyrim ligjor përdorimin e tij.
Të dhënat e Inspektoriatit të KLD-së tregojnë se gjatë muajve janar-shtator 2016, kjo gjykatë ka mundur të regjistrojë në audio nga 11% -14 % të seancave gjyqësore. Me një performancë më të mirë, por gjithsesi nën nivelin e përgjithshëm është edhe Gjykata e Durrësit, e cila nuk arrin të regjistrojë më shumë se 50 për qind të seancave gjyqësore.
Gjykatat e Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit mbajnë peshën më të lartë të çështjeve gjyqësore në total që zhvillohen në Shqipëri.
Në listën “e zezë” të Inspektoriatit të KLD-së për nivelin e përdorimit të sistemit audio janë edhe Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë ose të Apelit. Mes tetë gjyqtarëve në proces verifikimi, katër i përkasin këtyre gjykatave, por drejtuesit e saj pretendojnë se sistemi audio përdoret shumë më tepër sesa raportohet.
Kreu i Gjykatës Administrative të Tiranës, Eriol Roshi i tha BIRN se për shkak të specifikës së saj, kjo gjykatë zhvillon séanca përgatitore në dhomën e këshillimit-të cilat kryhen pa praninë e palëve dhe séanca normale, të cilat i nënshtrohen regjistrimit.
“Për një çështje kërkohen mesatarisht një ose dy seanca gjyqësore, por në sistem regjistrohen 10 veprime. Këto veprime regjistrohen artificialisht si seanca gjyqësore dhe duke u rritur numri i këtyre veprimeve pakësohet edhe niveli i përdorimit të sistemit audio,” shpjegon Roshi.
Roshi pohon se në gjykatën që ai drejton nuk ka asnjë rast të shmangies me dashje të përdorimit të sistemit audio, që sipas tij ka sjellë plot risi në gjykim.
“Sistemi audio në radhë të parë garanton transparencën, por edhe një ekonomizim të punës gjyqësore, pasi edhe gjyqtari është më komod të ndjekë atë çfarë thonë palët në gjykim…dhe të formojë bindjen e tij të brendshme,” përfundon ai. / BIRN /b.d