Kryeministri Edi Rama ka marrë, pjesë këtë të mërkurë, 1 korrik, në forumin europian të inovacionit dhe sipërmarrjes “Ruhr Summit”, në Gjermani, ku ka ndarë vizionin e tij mbi ndryshimin e konceptit të pushtetit dhe rëndësinë e dijes në epokën digjitale.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë theksoi se sot pushteti nuk matet më me forcë fizike apo pasuri të grumbulluara, por me inteligjencë dhe informacion, duke e cilësuar këtë transformim si një “revolucion të heshtur”.
Ai nënvizoi se inteligjenca dhe lënda e parë e dijes tashmë po shpërndahen kudo, pa pasur rëndësi madhësia gjeografike e një shteti. Rama u shpreh i nderuar që ishte ftuar në këtë samit si përfaqësues i Shqipërisë, të cilën e konsideroi si një prej “laboratorëve më të vegjël inteligjentë” në Europë.
“Njerëzit e këtij rajoni qëndruam brenda skeletit të ekonomisë së vendit. Unë mendoj që nuk mendoj se ka vend më të mirë për të ngritur të njëjtën pyetje, si shfaqet pushteti sot dhe kush e zotëron. Për gjatë gjithë historisë njerëzore, pushteti ishte diçka që mund të matej. Pushteti ishte i rëndë dhe akumulohej dhe historia u shndërrua në historinë e atyre “fatlumë” ose “njerëzore”.
Inteligjenca është e lehtë. Nuk iu përket natyrshëm atyre që kanë lindur në lumenj. Lënda e parë dhe më e rrallë në historinë tonë ishte dija dhe kjo po bëhet gjithnjë më e rëndësishme. Ky është revolucioni i heshtur, që po shpërndahet në të gjithë vendet. Më kanë ftuar si përfaqësues të një prej laboratorëve më të vegjël inteligjentë në Europë”, tha Rama.
Më tej, kreu i qeverisë u ndal te transformimi digjital i vendit, duke theksuar se Shqipëria ofron tashmë rreth 95% të shërbimeve online përmes një “revolucioni administrativ” që ka shmangur korrupsionin, pasi siç ai thekson, algoritmi nuk merr ryshfet.
Ai prezantoi asistenten virtuale “Diella” dhe projektin “Gof AI”, duke sqaruar se integrimi i inteligjencës artificiale në qeverisje nuk synon zëvendësimin e njerëzve, por forcimin e institucioneve dhe rritjen e transparencës.
Me një notë humori, Rama shtoi se ky sistem inovativ po fuqizohet me qëllim që në të ardhmen t’i shitet edhe vetë Gjermanisë.
“Bëmë një revolucion, jo të rishpiknim shtetin, por të krijonim një marrëdhënie të qytetarit me shtetin. Shqipëria ka më shumë se 1 mijë shërbime digjitale. Me 95% të shërbimeve digjitale, qytetarët nuk kanë më nevojë të takojnë njerëz. Të vetmet shërbime që nuk janë ende online janë martesat dhe shenjat e gishtave. I dhamë një fytyrë kësaj inteligjence, i dhamë emrin “Diella” dhe bëmë atë që nuk e ka bërë asnjë qeveri, i dhamë një titull.
Ne e sollëm inteligjencën artificiale në qeveri jo për të zëvendësuar nëpunësit. Jo për të zëvendësuar njerëzit, por për të forcuar institucionet. Synimi ynë është që ta fuqizojmë dhe më pas t’ia shesim Gjermanisë. Më thanë që të flas shkurtimisht, por nuk është gjë e mirë që të ftosh dikë nga Ballkani dhe më pas t’i kërkosh që të flasë shkurt. Inteligjenca Artificiale u jep më shumë informacion dhe i bën gabimet e dëmshme të pamundura për t’u fshehur. Algoritmi nuk merr ryshfet.
Nëse Diella është fytyra jonë, “Gof AI” është identiteti. Mendojeni si një inteligjencë institucionale. Inteligjenca Artificiale përshkruhet shpesh si revolucioni i ardhshëm industrial, por në fakt unë mendoj që është revolucioni administrativ. Me inteligjencën artificiale kapaciteti vjen jo vetëm duke u zgjeruar, por duke u bërë më i mençur”, shtoi më tej kreu i qeverisë.
Duke u ndalur te sfidat e teknologjisë, Rama mori si shembull protestat në Shqipëri, “Revolucioni i Flamingove”, për të treguar sesi realiteti digjital dhe algoritmet mund të zhdukin kontekstin e një proteste, duke shndërruar vëmendjen artificiale në një mjet indinjate.
Në mbyllje, kryeministri tërhoqi vëmendjen se demokracitë po dëmtojnë veten duke mos bërë dallimin mes lirisë së fjalës dhe lirisë së shpërndarjes, pasi algoritmet sot po mbytin çdo gjë tjetër përveç zemërimit pa pasur nevojë për polici sekrete.
“Inteligjenca artificiale nuk do të negociojë me Brukselin. Inteligjenca Artificiale mund të shkurtojë kohë. Për Shqipërinë ky nuk është vetëm një inovacion teknologjik, është një motor strategjik. Flasim pafund për Inteligjencën Artificiale dhe flasim shumë pak për vëmendjen artificiale. Algoritmi ka vetëm një synim: objektivizimin.
Disa ditë më parë vendi im u njoh me një laborator. Revolucioni i Flamingove u shndërrua në një mesazh për mua si kryeministër, duke u përpjekur t’i kuptoj shqetësimet dhe ankthet që i sollën njerëzit atje. Qeveria që rresht së dëgjuari, rresht së qeverisuri. Ajo që dua të them është se pas kësaj të mire, erdhi e keqja, protesta u shndërrua në arenën e aktorëve dashakeqë. Konteksti u zhduk.
Protesta online nuk po përshkruante protestën. Realiteti digjital u bë më shumë ndikues se protesta fizike. Demokracitë janë duke dëmtuar veten, sepse demokracitë… të mëdhatë, ende nuk kanë gjetur kurajon për të bërë dallimin mes lirisë së fjalës dhe lirisë së shpërndarjes. Çdo diktaturë mbështetet te shpërndarja, duke shtypur çdo alternativë tjetër. Algoritmi nuk ka nevojë që të shtypë përmes një policie sekrete, algoritmi thjesht mbyt gjithçka tjetër përveç indinjatës”, përfundoi Rama.











