Nga Bajram Peçi
Shumica e qytetarëve shqiptarë për një kohë të gjatë nuk kanë patur besim te drejtësia dhe institucionet e saj në zbatimin e parimit “Barazia para ligjit”. E mbajmë veten si demokraci për shkak të ligjeve që i kemi shkruar (pasi u kopjuan), por që në praktikën e përditshme zien korrupsioni në gjithë hallkat e sistemit të drejtësisë. Të gjithë e dinin se avokati bënte sekserin mes palëve prokuror-gjykatës, se prokurori me gjyqtarin e kishin “vaj” sepse luan leku, pasi palët mirëkuptohen të shtrembërojnë të vërtetën.
Të drejtën natyrore, nga rrjedhin ligjet njerëzore, korrupsioni shqiptar e deformoi, ligjin e kish grryer, ngrehinën e drejtësisë e kish rrënuar, besimi te ajo nuk egzistonte! Përfunduam kështu për shkak të një njeriu, një autokrati i cili e mbushi sistemin e drejtësisë me fanatikë të Partisë Demokratike dhe me sojin farefisnor e klanor. Parimi, “para ligjit janë të gjithë të barabartë”, në kohën e Sali Berishës tingëllonte si një tallje, çka mori trajtë me futjen në burg të kryetarit të partisë në opozitë!
Ishte kjo arsyeja që nën nxitjen e Partisë Socialiste në pushtet dhe angazhimin e drejtëpërdrejtë të kryeministrit në marrëdhënjet me mdërkombëtarët, të krijohej Vettingu, prokurori e gjykatë e posaçme për të pastruar llumin dhe qelbin e mbledhur, para se ta kalbte tërë organizmin shtet.
Po, ç’ne kryeministri me ndërkombëtarët?! Po, duhej, sepse krijimi i një institucioni kushtetues kërkonte vota të cilësuara, të cilat PS nuk i kishte, ndaj duhej ndihma e tyre. Nuk ka nevojë të kesh qenë i pranishëm atje për të kuptuar se si Departamenti i Shtetit përmes Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e detyruan opozitën që të ngrinin kartonin jeshil. Votimi i sforcuar, ku fytyrat e vrenjtuara e të myrrëtyera të një pjese të PD-së dhe LSI-së e rrëfenin vetë pakënaqësinë e votës që dhanë jashtë dëshirës. Ata ndjenin rrezikun, ndaj dhe lanë të kalonin veçse pak javë që të kundërshtonin hapur vendimmarrjen. Madje i vunë dhe emër: Ramaforma.
Vettigu bëri goxha punë, shporri nga sistemi një shumicë prokurorësh dhe gjyqtarësh të koruptuar. U jemi mirënjohës! Vendimet kryesisht bazoheshin te pasuria e pajustifikuar dhe shumë më pak te profesionalizmi. Gjithsesi, një pjesë korruptive, e paaftë, mbetën atje. Dyshimi për besueshmërinë që ende ndjek sistemin e drejtësisë rrjedh pikërisht prej tyre, si në prokurorinë speciale ashtu dhe në Gjykatën speciale.
Të dy këto organe, pasi u je referuar disa praktikave “të lëna pas dore”, si vrasje, korrupsion, etj., shihen dhe bindesh se nuk janë shembulli që do çonte te një drejtësi e besueshme.
Së pari, sepse, duke u nisur nga rasti i Erion Veliajt, në ato organe punojnë individë me bindje e përkatësi politike, të cilët vullnetshëm i shërbejnë partisë! Këto ditë kanë dalë në publik plot shembuj që tregojnë se si krerët e Partisë Demokratike vihen në dieni për përmbajtje dosjesh dhe pragvendimesh për egzekutim.
Së dyti, sepse nuk kanë guximin e duhur për të vepruar! Në një dosje super të kompletuar si ajo e 21 janarit, ngjarje ku Berisha vrau dhe nëpërkëmbi gjithë institucionet shtetërore, këto organe speciale heshtin dhimbshëm dhe turpshëm. Ndonëse mbi atë rëndon akuza si vrasës, e cilësuar kjo edhe nga Gjykata ndërkombëtare e Hagës, që vendosi t’i cilësoj vrasjet e 21 janarit si vrasje nga shteti, ende gjykatës nuk i është dhënë dosja. Shteti që përmend Haga, atëbotë ka qënë Sali Berisha kryeministër e Lulzim Basha, ministër i Rendit Publik. Asnjë prej tyre nuk është thirrur deri tani të pyetet. Një prokuroi e aftë, e moralshme, e ndërgjegjshme për funksionin që i është besuar në emër të popullit, do ja kish çuar dosjen gjykatës menjëherë, gjë që nuk ndodhi.
Pse nuk ndodhi? Sepse, pavarësisht nga ndryshimet e ndodhura në organet e drejtësisë, ajo përsëri është e mbetet e tejmbushur me simpatizantë e anëtarë të Partisë Demokratike, çka ligji e ndalon. Dhe do ndodhte kështu, se deri në vitin 2013 gjithë sistemi i drejtësisë ishte cip më cip me rrethin fisnor të Saliut, që detyrimisht do ishin pjesë e saj vetëm pasi të kishin provuar besnikërinë ndaj Sali Berishës.
Nuk ndodhi edhe sepse krerët e saj dhe prokurorë që kanë dosjen, jo druhen, por kanë frikë! Frika është pjesë njerëzore. Vetëm idiotët nuk kanë frikë! Berishën e rrethin e tij, siç e njohim ne, e njohin dhe ata. Kujto, lexues i nderuar, sulmin mbi selinë e partisë!
Një pjesë ikën, por një pjesë e besnikëve të tij janë ende atje, nga organet e ulta, deri te më të lartat, të shëndetshëm, të pasur e plot besim ne vetvete, madje disa besojnë se “do ta shkrijnë administratën e shtetit të Partisë Socialiste”.
Prokurorë që ndërtojnë pallate dhe gjyqtarë të lartë me hotele na “bëjnë drejtësi”!? Lumi që s’na merr! Kanë kaluar Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, Vettingun!? Është e natyrshme të habitesh, pasi shtypi bën publike pasuri marramendëse që është sheshit, të gjithë i dinë dhe u njohin hoteleve pronarët, përpos komisionit të vettingut! E gjithë kjo na shërben të kuptojmë dy shkaqe prej nga rrjedhin: paaftësinë e institucionit Vetting dhe sidomos nepotizmin e qokat brënda institucionit. Kë kanë dashur, në funksion të njohjeve dhe simpative personale, e kanë lënë. Kjo ka ndodhur si në rastin e prokurorit të Veliaj, të cilin ligji e ndalonte të kalonte nga noter te detyra prokuror si dhe te ky gjyqtari pasanik. Kaq mjafton që besimi te drejtësia të shkërmoqet, madje dhe besimi te administrata e lartë qeverisëse, ku vegjetojnë një sërë organesh antikorrupsion, ato të kontrollit financiar, Ministria e drejtësisë, ato të krimit ekonomik, pse jo dhe vetë hipoteka!?
Populli e kish humbur me kohë besim te drejtësia dhe ende nuk e ka rivendosur këtë besim sa kohë te drejtësia, në këtë organizëm kushtetues, vepron vendim-marrja subjektive në zgjedhje e përzgjedhjen e atyre qe duhet të jenë pjesë e organizmave të larta!? Si është e mundur vallë që asnjë prej të përjashtuarve nga sistemi i drejtësisë prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, prej Komisionit të Vettingut, për shkakun se nuk justifikonte pasurinë, nuk u dërgua për ndjekje penale? Si mund t’i thuash një drejtësie, prokurori e gjykatë, se kanë kryer detyrën ndaj popullit, kur prej tyre (pas përjashtimit nga sistemi) nuk ka dalë asnjë vendim për sekuestrimin e pasurive të vëna përmes korrupsionit, nga shpërdorimi i detyrës, nga grabitja e pasurisë publike përmes vendimeve të padrejta?
Nuk është e thënë që organet e drejtësisë të jenë doemos me profesionistë të aftë, por pritet që ata të jenë me ndërgjegje të sprovuar nga ndikimi prej parasë e botës së krimit, prej simpative e fanatizmit partiak, ndaj, beteja për reformimin kuptojmë se është ende në fazën foshnjore!? Me ndjesën e një dite para, që Berisha i kërkoi me përulësi prokurorit që arrestoi Veliajn, duke tërhequr akuzat e paradokohëshme, të nesërmen u lehtësoi shqiptarëve të kuptonin arsyen pse e bëri? E paska ditur zotëria e tij se do ndodhte! Kush nga mbetjet “otomane” në SPAK ja tha? Kush nga kjo prokurori, te e cila pas arrestimit të Veliajt s’mund të kesh më besim, ja tha Palokës para se të bëhej fakt arrestimi? Kush nga SPAK njoftoi x TV të nxirrte para bashkisë kamerën e regjistrimit të momentit të arrestimit? Nga sa sipër, pyetjet marrin natyrshëm përgjigjen: kemi të bëjmë me sjellje e veprime tërësisht politike, pastërtisht politike, dukshëm në funksion të zgjedhjeve parlamentare pas 90 ditësh.
Ka |
Erion Veliaj do jetë i akuzuari që do u japi përgjegje kur tja sjellin, por specialistë e juristë vënë në pah gabimin e rëndë për ta hetuar me gjëndje pas hekurave, pasojë kjo e arrogancës dhe keqpërdorimit të kodit penal. Ka ende shpresë se shpërdorimit të besimit që ju është dhënë prokurorëve për t’i shërbyer interesave vetëm të popullit, një ditë do ju vijë fundi përmes procesit të pastrimit. “Të barabartë para ligjit”, përcaktohet e varet nga edukata dhe formimi i shtresës së punonjësve e drejtuesve të sistemit të drejtësisë. Këtu vëmendja, zoti kryeministër, sa kohë ke përmes Kuvendit votën shumicë për emërtesën e nomenklaturës!