Grupet kryesore të opozitës siriane, të mbledhura në Riad, njoftuan sot marrëveshjen e tyre për negociata me regjimin e Bashar al Asadit, por kërkuan largimin e tij dhe fillimin e një periudhe tranzicioni.
Konferenca e Riadit, që mbledh rreth 100 përfaqësues të opozitës siriane politike dhe të armatosur, synon të unifikojë radhët e kësaj opozite për realizimin e bisedimeve të mundshme me regjimin për t’i dhënë fund konfliktit sirian.
”Pjesëmarrësit u shprehën të gatshëm për të filluar negociata me përfaqësues të regjimit sirian mbi bazën e Deklaratës së Gjenevës1 (30 qershor 2012) dhe të rezolutave të tjera ndërkombëtare”, sipas komunikatës së tyre përfundimtare pas disa ditë bisedimesh.
Të deleguarit megjithatë kanë kërkuar që Bashar al Asadi dhe klika e tij të tërhiqen nga pushteti me fillimin e periudhës së tranzicionit politik në Siri.