Ndërkohë që pritet që Ministria e Kulturës të kalojë në mbledhjen e radhës në Këshillin Kombëtar të Restaurimit çështjen e Hotel Dajtit në zyra për Bankën e Shqipërisë, zërat kundër tjetërsimit të funksionit të kësaj godine shtohen. Ka qenë ish-kryeministri Aleksandër Meksi, i cili në një intervistë për GSH ka theksuar se “nuk më shkon kurrë në mendje që një godinë e bërë për hotel, ta kthejmë në zyra”.
“JAVA” sjell mëposhtë shkrimin e Prillit 2014 dhe fotografite ekskluzive të katandisjes së këtij simboli kryeqytetas.
Nga Ben Andoni
Përgjigja më ‘e saktë’ për fatin e hotel “Dajtit” është dhënë ashtu si mund të merret me mënd nga guvernatori i saj, Ardian Fullani. I është dhënë vetëm “Zërit të Amerikës” dhe mëtohet se këtu është përmbyllur edhe reagimi i Bankës, për një nga simbolet kryesore të Tiranës. Që atë ditë Banka ka heshtur. Përpjekjet e “JAVA”-s me ditë të tëra për të marrë një përgjigje zyrtare në lidhje me fatin e ish-hotelit dhe mundësinë e fotove jo vetëm s’kanë pasur përgjigje, por më shumë se kaq janë shoqëruar me një heshtje të palogjikshme. Kurse, për Piramidën, përgjigja ka qenë me e thjeshtë. Ministria e Kulturës Mirela Kumbaro, e bindur për qerthullin e godinës së Piramidës, ka thënë se: “institucioni i saj e ka në administrim dhe e vetmja gjë që po bën për të është ta vendosë sa të mundet në funksion të aktiviteteve të ndryshme kulturore”. Dhe, shfaqja e para-do-kohëve me Elina Dunin, ishte jo vetëm e fundit, por edhe më shumë se kaq, çelja e siparit të një sërë aktivitetesh, që do të vazhdojnë pandalim në ditët në vazhdim.
Ndërkaq, leja nga Banka e Shqipërisë u mohua me arsyetimin se është objekt i rëndësisë së veçantë, autoritetet që lidhen me Piramidën u treguan me të hapur. Ajo, që mund të këqyrësh me sy të lirë, brenda mundësive, është e dhimbshme. Është e vështirë të besosh se ato do të kthehen shpejt në jetë, apo më shumë akoma, nëse ato do të jenë ndonjëherë me shkëlqimin e dikurshëm të godinave, që përbënin simbolet për Tiranën. Jo thjesht, se ishin dy nga objektet më tërheqëse, por më shumë se kaq, ato janë të identifikuar të ishin si një pikë referimi për kryeqytetin.
Banka e Shqipërisë
Trishtimi që ndjen nga këqyrja e hotel “Dajtit” shtohet në këto ditë të zymta. Paretet e llamarinës dhe roja i Sigurisë së Bankës nuk lejojnë të afrohet askënd, pa lejen e posaçme që nuk merret. Nga Bulevardi mund të shikosh tej e përtej, hollin gati legjendë të hotelit, që të lejon të shikosh deri përtej te ish hapësira e Pallatit të Pionerëve. Degradimi i godinës, pemëve, të gjithë mjediseve, me aq sa të lejon syri është i pallogaritshëm. Arkitektët e identifikojnë si një nga veprat më të mira të Racionalizmit Imperial. Po shtuar edhe me përmendjen e Kadaresë, teksa gjenerali nëm kolegët e tij dhe nga lluksi i imagjinuar, atë që ideoi Gherardo Bosio dhe Albertoni, Francesconi më 26 prill 1942, të grish pafund. Një përpjekje e fundit për ta bërë efektiv ishte edicioni i katërt i Bienales së Tiranës. Pas kësaj, gjithçka mori fund. Më vitin 2009, kur jemi gjendur brenda i kishin mbetur vetëm llambadarët, që vareshin nga panelet e lartë, si të vetmit dëshmitarë të kohës së pakshim të luksit. Ato ishin ndër aksesorët e realizuara nga Ponti dhe vetë Bosio, që konsideroheshin si nga më të gjeturit në Ballkan, e që e bënin Dajtin njërin prej hoteleve më luksozë të kohës. “Dajti” rezistoi bashkë me strukturën e tij origjinale të interierëve dhe aksesorëve të shërbimit (ashensor, ngrohje qëndrore, ndriçim etj), derisa i erdhi radha barbarisë…Në të njëjtin vit, kur u bë bienalja, mund të këqyreshin ende ngado porcelanë të thyer; fragmente enësh, copëra pllakash; gjëra hekuri, që i kishin shpëtuar mbartjes së mbrame të gjithçkaje; panelin vetmitar e të madh të gatimit, që i kishin marrë pllakat e gizës, por prej inkastrimit kish shpëtuar; letra, libra inventari, pjesa abazhuresh, pak qelqurina, fletëpalosje të dikurshme etj., etj, kudo të shpërndara.
“Shpresa”
Në fakt, një përpjekje për ta gjallëruar u bë më 28/05/2005, kur u zhvillua tenderi i hapur për shitjen e Hotel “Dajti”. Edhe me ofertë të ulët, tenderi dështoi, pas bojkotit të biznesmenëve shqiptarë e të huaj. Procesi i privatizimit te hotel “Dajti” dështoi edhe dy herë të tjera në të shkuarën. Agjencia Kombëtare e Privatizimeve bëri të ditur, se vlera fillestare e hotel “Dajti” në momentin e shitjes, ishte 1 miliard e 800 milionë lekë. Derisa në një nga periudhat më të këqija të qeverisë Berisha, më 17 maj të 2010, u ble nga Banka e Shqipërisë për 30 milionë euro. Justifikimi ishte “nevoja urgjente për mjedise bankare”, por kuptohej se ishte një ndihmë për Berishën. Dy vjet më parë, në vitin 2008, ai vetë e kishte caktuar për ta bërë residencë të Ministrisë të Jashtme. Nëse do ta besojmë të mirëqenë, Guvernatori Fullani ka parashikuar në strategjinë afatmesme të zhvillimit të Bankës së Shqipërisë, për periudhën 2013-2015, rikonstruksionin dhe rikthimin e “Dajtit” si dikur. Por specialistët s’kanë parë datë fillimi dhe përfundimi, ndërsa vonesa e punimeve e bën shumë të pamundur këtë datë. Gjithsesi, vendimi vendimi, më pas, për përshtatjen e pjesshme të hotelit-bankë “Dajti”, sipas medias së kohës, llogariste një vlerë prej 567 mijë dollarësh. Kurse në një vendim të tretë, pak kohë më pas, Fullani miratoi shpenzimet për projekt-zbatimin e përshtatjes së hotel-bankës “Dajti”, me një vlerë prej 1 milionë dollarësh, citohet po Përparim Halili. Megjithatë, hotel “Dajti”, ka mbetur po ashtu, si ishte për të mos thënë shumë më keq akoma. Edhe pse “Restaurimi do të kryhet në përputhje me idetë fillestare të arkitekturës së godinës, por natyrisht në kushtet e shekullit të ri, pa harruar edhe mjedisin e gjelbëruar përreth tij. Kjo ndërtesë me bibliotekën e pasur të saj do të jetë një dritare e kontaktit të drejtpërdrejtë me publikun, veçanërisht me kërkuesit, akademikët, studentët dhe median”,thuhet në strategjinë afatmesme të Bankës së Shqipërisë për vitin 2013-2015.
Piramida
Gati 500 metra më tutje, kalvari i “Piramidës” është njësoj i dhimbshëm, por pak edhe grotesk. Pasi e kanë zhveshur krejt dhe në sy të të gjithëve, ai ka buruar vazhdimisht humor.
Diferencën e fasadës kryesore, sot, mund ta shikosh me pjesën pas, ku gjendet ende një pjesë e Tch. Në fakt, rrallë herë është folur për ndonjë godinë si është folur për Piramidën. Në këto dhjetë vjet, por të mbledhësh gjërat që janë thënë për të do të trandeshe. Në fund të vitit 2005, Berisha hodhi idenë e kthimit të Piramidës në Bibliotekë Kombëtare. Një akt që u përshëndet dhe që shpresonte se do të shpëtonte Bibliotekën Kombëtare. Gjashtë muaj më vonë gjithçka u harrua sepse më korrik të 2006 piramida u konsakrua si “Qendra Ndërkombëtare e Kulturës ‘Pjetër Arbnori’”. Po si ndodhte rëndom me qeverinë e Berishës, Biblioteka u harrua krejtësisht në kuadër të një zhvillimi të ri.
“Qendra ka hyrë në një rikonstruksion të plotë, si në ambiente e jashtme e po kështu edhe në ato të brendshme, që të meritojë emrin e Arbnorit ”. Një vit më vonë u vendos të bëhej dhe një bust i tij, por ndërkohë Piramida po degradonte e degradonte. Publiku filloi të kuptonte se re të zeza po mblidheshin edhe mbi të ardhmen e saj. Dhe, ish-kryeministri nuk zhgënjeu sërish. Pak muaj më vonë, në një nga mbledhjet e tij kilometrike-monotone, kryeministri shpalli shndërrimin e tij në “Panteon Kulture”. Këtë herë ëndrra ishte jermike sepse përmendeshin salla teatri, salla të tëra leximi, bibliotekë nëntokësore, galeri arti, auditorium muzike dhe qendër multifunksionale rinie nën kupolë. Më bukur nuk kishte. Të rinjtë filluan planet. Kuptohet se pak më muaj më vonë edhe kjo u harrua. Befas militantët filluan një debat për teatrin. U bë një zhurmë sërish dhe piramida u shndërrua menjëherë “në ‘gjigantin’ e artit dhe kulturës shqiptare”, duke e kthyer edhe në teatër kombëtar. Në janar të vitit 2009 të persekutuarit morën premtimin se para saj do të ndërtohej një obelisk. Derisa erdhi debati alla Neron. U vendos prishja e tij dhe “Mbi gërmadhat e diktatorit do ndërtojmë tempullin e demokracisë… Parlamenti i ri kushton më pak se rikonstruksioni i aktualit… Foltorja e Lirisë mbi mauzoleun e gjakpirësit… Unë i garantoj shqiptarët se qeveria nuk do të shpenzojë asnjë qindarkë më tepër sesa do të shpenzonte për rikonstruksionin e godinës aktuale të saj”. Nuk ndodhi asgjë, ndërsa Piramida sot është një masë e frikshme, ku të gjitha zorrët arkitektonike, janë jashtë, për ta bërë këtë ngrehinë, një nga më të frikshmet në brendësi të saj. Mund të gjesh, të plazmuara, të gjithë këto mini-ide të qeverive shqiptare, në formën e pareteve të tëra të hequra, në zvogëlimin e shëmtuar të vëllimit kryesor dhe më shumë akoma në plaçkitjen dhe në dërrmën që ka marrë interiori.
Si do mund të ishin
Gherardo Bosio, arkitekti kryesor i Dajtit, kishte vdekur 38 vjeç dhe puna e fundit, ishte hotel “Dajti” që iu shfaq bashkë me 10 makete të tjera një jurie. As edhe mëndja më e çartur nuk do mund ta imagjinonte atë që do ndodhte me “Dajtin”…. Nuk e prishën dot luftërat, komunistët dhe 1997, por e shkatërroi indiferenca dhe papërgjegjshmëria. Njësoj si “Piramidën” që për të njëjtën arsye, është kthyer në një ngrehinë të turpshme, që askush nuk ia kujton më destinacionin e saktë, qoftë edhe arkitektët e vet.