Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar rregulloren “Për komisionet e ndërmjetësimit”. Kjo rregullore është hartuar në zbatim të pikës 6, neni 7 i Ligjit nr. 32/2021, datë 16.03.2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, ku parashikohet se “Komisionet e ndërmjetësimit nuk mund të jenë më të larta se niveli i përcaktuar me rregullore nga Autoriteti”.
Komisionet e ndërmjetësimit janë pagesat që shoqëritë e sigurimit u japin agjentëve të tyre ose brokerave, për çdo shitje të një police (kontrate) sigurimi. Sipas përcaktimeve të nenit 4 të rregullores së miratuar nga AMF, “Shoqëritë e sigurimit të jo-jetës, nuk mund të aplikojnë në total komisione ndërmjetësimi, për çdo policë të shitur, më të lartë se 20% e primit të shkruar bruto, nga 1 janari i vitit 2022.”
Kjo vlerë parashikohet të ulet më tej, duke nisur nga 1 janari 2023, duke zbritur në 18% të primit të shkruar bruto për çdo polic të sigurimit të detyrueshëm motorik. Në këtë mënyrë, kufizimi i komisioneve të ndërmjetësimit prek kontratat e sigurimit TPL, policat kufitare, si edhe Kartonin Jeshil. Nga të dhënat teknike dhe financiare, të raportuara nga shoqëritë e sigurimit, komisionet e ndërmjetësimit në këtë kategori sigurimi gjatë viteve të fundit rezulton të kenë qenë të larta, me një mesatare tregu prej afro 28%.
Rregullorja e miratuar nga Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare parashikohet të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm. Shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës brenda kësaj periudhe deri në hyrjen në fuqi të rregullores së re “Për komisionet e ndërmjetësimit” duhet të rishikojnë marrëveshjet e tyre me ndërmjetësit në lidhje me komisionet që ata përfitojnë për shitjen e kontratave të sigurimit. Kufizimi i komisioneve të ndërmjetësimit pritet të sjellë rritje të eficencës në shpenzimet e marrjes në sigurim, si edhe një administrim më të mirë të burimeve financiare të shoqërive të sigurimit.
/a.r