Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) zhvilloi një program pune në Shkodër që përfshiu mbikëqyrje në terren të procedurave të inspektimit, si dhe këshillim të trupës inspektuese të AKU Rajonal Shkodër mbi metodologjinë e punës dhe zbatimin korrekt të procedurave.
Dashnor Sula, Inspektori i Përgjithshme, së bashku me Blerina Gjylametin, drejtoreshën e Përgjithshme të AKU-së, ndoqën nga afër dhe mbikëqyrën procesin e inspektimit në dy subjekte, në kuadër të forcimit të kontrolleve zyrtare, unifikimit të praktikave të inspektimit dhe rritjes së standardeve të sigurisë ushqimore.
“AKU do të zbatojë një standard të vetëm inspektimi, të harmonizuar me praktikat e Bashkimit Evropian. Nuk do të ketë tolerancë për devijime nga procedurat: çdo kontroll duhet të jetë i dokumentuar, i argumentuar dhe i njëjtë për të gjithë. Kush nuk përmbush kërkesat ligjore, do të përballet me masa,” deklaroi Sula.
Gjatë inspektimit në sektorin e përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, me fokus të veçantë te prodhimi i djathit dhe gjalpit, u verifikuan elementët kryesorë të kontrollit, përfshirë kushtet higjieno-sanitare, gjurmueshmërinë e lëndës së parë dhe produktit përfundimtar, praktikat e ruajtjes dhe trajtimit, si dhe përputhshmërinë me kërkesat ligjore në fuqi. Trupa inspektuese u udhëzua për standardizimin e hapave të inspektimit dhe për raportim të njëtrajtshëm të gjetjeve, në funksion të rritjes së efektivitetit dhe transparencës së kontrolleve.
Gjatë inspektimit në një stabiliment të pulave, vëmendje e veçantë iu kushtua kategorizimit të vezëve dhe respektimit të kërkesave për trajtimin, ruajtjen, etiketimin dhe deklarimin e tyre. Paralelisht, u dha këshillim për marrjen e masave për përmirësimin e kushteve, duke vënë theks te higjiena, organizimi i mjediseve dhe proceseve të punës, si dhe zbatimi i praktikave të mira, me synim rritjen e standardeve të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.
“Harmonizimi me standardet e BE-së nuk është slogan, por detyrim pune në terren. Operatorët duhet të kuptojnë se siguria ushqimore dhe korrektësia e praktikave nuk negociohen. Ne do të kërkojmë përputhshmëri të plotë dhe do ta mbështesim trupën inspektuese me udhëzime të qarta, por edhe me vendimmarrje të fortë kur ka shkelje,” deklaroi Drejtoresha e Përgjithshme e AKU, Blerina Gjylameti.
Ky angazhim synon forcimin e koordinimit, garantimin e zbatimit të njëtrajtshëm të procedurave dhe rritjen e eficiencës së kontrolleve në hyrje-dalje, në funksion të sigurimit të zinxhirit ushqimor.











