Autoritetet greke kanë dhënë detaje për planin e arratisjes nga burgu i Koridalosit, që kishte hartuar i burgosuri shqiptar Fabio Dushku.
Sipas policisë, plani parashikonte arratisjen e disa prej krerëve të mafias greke, por edhe pjesëtarëve të grupit guerril “Komploti i celulave të zjarrit”, që vuajnë dënime për akte terroriste.
Plani u zbulua të shtunën e kaluar, pas kontrollit të befasishëm në qelinë e të burgosurit shqiptar. Aty u gjetën thika artizanale, doreza hekuri si dhe një laptop me akses në internet nëpërmjet një USB-je.
Policia thotë se plani do të vihej në zbatim të dielën, më 4 shkurt, ditën e manifestimit të protestës kundër emrit të Maqedonisë, ku do të përqendrohej gjithë vëmendja e forcave të rendit.
Të burgosurit do të merrnin peng gardianët dhe do t’i kërcënonin derisa t’u hapeshin dyert e hekurta dhe rruga drejt lirisë, raporton “Ora”.
I njëjti plan ishte tentuar dhe në vitin 2015, vetëm se atëherë parashikohej hedhja në erë e murit rrethues të burgut. Për atë tentativë Fabio Dushku u dënua me 8 vjet burg, ndërsa gjatë procesit gjyqësor ishte shprehur krenar për miqësinë e tij me guerrilasit e “Komplotit të Celulave të Zjarrit”.
Ky dënim i ri iu shtua burgimit të përjetshëm që ishte caktuar për Dushkun, me akuzën e kryerjes së dy vrasjeve në Athinë dhe Selanik.










