• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, December 26, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Aktualitet

Si u organizua Kryengritja e Fierit?!

Botohet me rastin e 90 vjetorit të kryengritjes

by S T
29/07/2025 18:18
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Në këtë numër kemi mënyrën sesi u organizua Kryengritja e Fierit përmes kujtimeve të shkruara të Jakov Milaj, përgatitur nga studiuesi i njohur Aristotel Mici. Autori tepër i thukët ka eliminuar ujërat e tepërta dhe është shumë i detajuar në mënyrën sesi u përgatit ky organizim që e trandi nga themelet pushtetin e Zogut. 

Nga Jakov Milaj

Përgatiti Aristotel Mici (3)

Vijon nga numri i shkuar

1)Në ditën e caktuar dhe në orë të caktuar, nën komandën e një oficeri, disa oficerë, kryesisht skraparllinj,  do te bënin atentate kundër Abdurrahman  Krosit, Musa Jukës dhe Xhemal Aranitasit. Këto atentate do të ishin fillimi i organizimit të kryengritjes . Ishte parashikuar që me anën e një kroati, Rudolf Laundrec, të bëhej edhe atentati kundër  Zogut, po organizimi i këtij atentati dështoi, siç do të flasim edhe më poshtë, dështoi disa ditë para datës së caktuar për  kryengritje .

Abdurrahim Krosi

2)Trupat e artilerisë së Tiranës dhe disa  reparte ushtarake të shkëputura, po të drejtuara nga oficerët pjesëmarrës të “Organizatës” do të mobilizonin fuqitë ushtarake besnike dhe do të arrestonin njerëzit e Zogut, që ndodheshin në kryeqytet. Këto trupa  viheshin në komandën e shtabit qendror për të kryer edhe veprime të tjera.
3)Fuqitë ushtarake të Elbasanit do të drejtoheshin kundër Tiranës dhe do të bashkëpunonin me trupat kryengritëse të kryeqytetit. Disa reparte ushtarake të Durrësit e Shkodrës, oficerët e të cilave ishin lidhur me kryengritjen, do t’u bënin ballë fuqive ushtarake ose mercenarëve besnikë të Zogut. Këto do të merrnin  masa edhe për mbrojtje n e kufijve brenda territorit te tyre .        (fl. 33-34).
4) Fuqitë civile të rretheve të tjera, të bashkuara me ushtarë e xhandarë antizogistë, në orë të caktuara, do të shpallnin kryengritjen do të arrestonin autoritetet kundërshtare, do të siguron administrimin e përkohshëm të vendit me anën e komisioneve, që do të formoheshin për këtë qëllim dhe do të caktonin forcat e nevojshme për ruajtjen e qetësisë. Pastaj do të niseshin me një herë në drejtim të kryeqytetit. Nga këto grupe, shpresë të madhe,  Udhëheqja kishte mbështetur në fuqitë e Skraparit, të cilat do të grumbulloheshin dhe do të drejtoheshin nga Riza Cerova.

Riza Cerova
5) Kryengritësit e qarqeve të Korçës e Gjirokastrës do të shpërndanin fuqitë zogiste, do të siguronin  mbrojtjen  e kufirit, do të shtinin në dorë pushtetin lokal dhe do të organizonin mbledhje e mitingje  për të shtruar programin e forcave të reja.
6)  Malësitë e Veriut do të rroknin armët dhe do të drejtoheshin drejt Tiranës, pasi të kishte plasur kryengritja në rrethet e jugut. Lidhur me pjesëmarrjen  e Malësisë së Veriut, duhet të bëjmë një parantezë dhe të shtojmë sa vijon: Nga fillimi i vitit 1935, edhe kleri katolik i Shkodrës, i përfaqësuar nga P. Bernardin  Palaj, hyri në marrëveshje me  “Organizatën e fshehtë”. Ky pranoi që të aderoj dhe të verë në  lëvizje të gjitha malësitë katolike, ku ai shikonte influencën e vetë,  por me një kusht: Meqënë se malësitë e Dukagjinit ishin “djegur” dhe dëmtuar rëndë në kryengritjen  e tyre të Dukagjinit, nëntë vjet më parë,  kërkohej prej tyre që ata t’i rroknin  armët tri ditë  pasi Kryengritja të kishte filluar  në vise të tjera të Shqipërisë …….. (fl. 31-32-33-34).
Për të qenë realist duhet te pranojë se malësorët e Dukagjinit kanë protestuar të parët kundra regjimit të Ahmet Zogut, qysh më 1926. Atë vit rreth 1000 trima u çuan në kryengritje. Katër qind veta ishin të armatosur me armë zjarri. Pengesat e vogla që u nxori policia vendore nuk i ndalën dot. Po kur mbërrijtën tek Ura e Mesit, u gjendën para  një  force ushtarake të armatosur mirë, ku u bënë  luftime të ashpra. Aty forcat qeveritare patën 17 të vdekur. Gjatë konfrontimit të ashpër mes dy palëve u plagos  prijësi i kryengritësve Ndokë Gjeloshi. Me plagosjen e tij u fashit vrulli i kryengritësve, te cilët,  të mbetur pa asnjë ndihmë, u tërhoqën. Disa nga ata, që u kapën, u dënuan nga gjyqi zogist me afate të ndryshme burgimi, kurse Dom Gjon Gazuli, u dënua me vdekje, me varje në litar, dhe u ekzekutua më 5 mars 1927 . Ja, pra, ishin këto arsyet, që i detyronin  malësorët se do t’i bashkoheshin Kryengritjes, kur ajo të fillonte në të gjithë vendin.
Shënoj se për pjesëmarrjen e Klerit Katolik në Lëvizjen e Fierit kam dëgjuar nga Jahja Baçi e Mustafa Kaçaçi. Ndërmjetës  midis udhëheqjes së “Organizatës së fshehtë dhe  P.Bernard Palajt ka qenë Hafëz Ali Kraja (Tarja) (fq-31).
*            *            *
Për përgatitjen e Kryengritjes Qeveria mori vesh me siguri vetëm atëherë, kur u zbulua organizata në burgun politik, që do të  kryente atentatin kundër Zogut, por nuk pat mundësi të vepronte, pse nuk dinte hollësira, as për njerëz të tjerë përveç të burgosurve dhe dy mjekëve; nuk dinte as ditën  kurdo të shpërthente kryengritja.
Ja si ndodhi kjo:                                                                                                                                             Mustafa Gjinishi, anëtar i celulës komuniste të Tiranës, ose sekretar i saj, ishte burgosur e dënuar për propagandë subversive kundër regjimit. Kur ky ndodhej në burgun politik, sjellin aty një kroat, me emrin Rudolf Laudrec, i cili e hiqte veten për komunist dhe pretendonte se kishte ardhur në Shqipëri për qëllime politike. Ndërkohë, Gjinishi u miqësua me Laundrecin, besoi verbërisht në sinqeritetin e tij dhe i foli atij për lëvizjen komuniste, që kishte filluar në Shqipëri dhe për  Kryengritjen  që po organizohej. Një ditë, kur të dy kishin shkuar në spital të shtirë si të sëmur, bien në kontakt dhe me  Uan Filipin, kryeinfermierin e spitalit civil, që ishte pjesëtar i “Organizatës së fshehtë” dhe vendosën që Laundreci të bëjë  atentatin kundër Zogut. Kroati i përngjante shumë në tipare një adjutanti të Mbretit., Allaman Çupit, prandaj i veshur me divizën e oficerit të  gardës mbretëror, plot nishane e kordona, mund të hynte lirisht në pallat, pa u diktuar nga rojet dhe mund ta kryente fare lehtë atentatin.
Laundreci, si revolucionar me ndjenja gjoja internacionaliste, e pranoi propozimin, qoftë edhe me rrezik jete. Kur u kthye në burg, vuri në dijeni këtë propozim një spiun të regjimit, i  cili qe i burgosur për vjedhje, dhe ky njoftoi me një herë Ministrinë e punëve të brendshme. Sipas udhëzimeve që iu dhanë, Laundreci vazhdoi lojën deri në fund. I shtirë si i sëmurë, shkoi disa herë në spital për t’u mjekuar nga Dr. Hajdar Vlora;  nxuri shumë hollësira në lidhje me Kryengritjen dhe së fundi mori nga Uan Filipi edhe uniformën e oficerit  të gardës mbretëror, për ta veshur, me të cilën do të kryente  fare lehtë atentatin. (f.38-39).

Uan Filipi
Laundreci, si revolucionar me ndjenja gjoja internacionaliste, e pranoi propozimin, qoftë edhe me rrezik jete. Kur u kthye në burg, vuri në dijeni për këtë propozim një spiun të regjimit, i burgosur për vjedhje, dhe ky njoftoi me një herë Ministrinë e Punëve të Brendshme. Sipas udhëzimeve që iu dhanë, Laundreci  e vazhdoi lojën deri në fund. I shtirë i sëmurë, shkoi disa herë në spital për t’u mjekuar nga Dr. Hajdar Vlora, nxuri shumë hollësira në lidhje m Kryengritjen dhe së fundi mori nga Uan Filipi uniformën e oficerit të gardës mbretërore, i veshur me të cilën do të kryente atentatin.
Për të gjitha informatat dhe për uniformën e përgatitur, Laundreci njoftoi Ministrinë e Brendshme tre katër ditë përpara afatit për kryengritje dhe kjo arrestoi me një herë Uan Filipin dhe Dr. Hajdar  Vlorën. Me tortura dhe pyetje të vazhdueshme gjindarmaria i mundoi këta që të tregonin hollësira mbi organizatën, mbi pjesëtarët e saj, dhe për ditën kur do të fillonte  kryengritja. Po nuk mori vesh gjë të sigurte  gjer të merkur më drekë, pak orë përpara kohës së caktuar për fillimin e lëvizjes. Po ishte vonë dhe informatat nuk ishin të  plota. Qeveria nuk pati kohë që të vepronte. (f. 40).
Është folur disa herë se kryengritja në Fier shpërtheu përpara datës së caktuar dhe  kjo u bë shkak kryesor i dështimit të saj, po kjo nuk është e vërtetë. Udhëheqja në fillim pat diskutuar që lëvizja të kryhej në vjeshtën e vitit 1935, ose nga muajt e parë të vitit të ardhshëm. Po jo më vonë, se  duke menduar që organizata u shtua shumë si numër dhe si grumbullim anëtarësh, mund të lindte  rreziku që ndonjë anëtar të dekonspironte  dhe si rrjedhim qeveria ta shpartallonte atë pa filluar veprimet. Duke pasur gjithashtu, para sysh, se marrëdhëniet midis Zogut dhe Mussolinit ishin shumë të tendosura. Atëherë, më 7 gusht 1935 u vendos që kryengritja të fillonte në orën 21 të datës 14 gusht.
Po u fol, ndër kohë, edhe se qe vendosur që të bëhej  në javë më vonë, domethënë  më 21 gusht, po kjo datë as nuk ishte biseduar nga udhëheqja e “Organizatës së fshehtë”. Këtë datë të dytë e shpiku dhe e përdori Qemal Vrioni, për të justifikuar mos-marrjen  pjesë të bejlerëve në lëvizje. Duket se bejlerët, kur panë se  pjesëmarrësit e lëvizjes u shtuan, sa s’besohej dhe se organizata tani përbëhej prej elementësh të shumtë, që nuk ishin në influencën e  parisë feudale, kuptuan se mbetën në pakicë dhe atëherë qëllimet e tyre nuk mund të realizoheshin, atë kohë,  kur Zogu do të zhdukej nga skena politike. Për këtë arsye ata  vendosën që ta sabotojnë lëvizjen .
Ndofta edhe vetë diplomacia italiane, duke parë se në lëvizje u shtua shumë numri i patriotëve dhe i njerëzve përparimtarë, e kuptoi se bejlerët nuk do të kishin më influencë dhe nuk do të ndihmonin dot, për të realizuar qëllimet e saj aneksioniste, dha urdhër atëherë për ta sabotuar at.
Qemal Vrioni, që qe ngarkuar për ta penguar shpërthimin e kryengritjes më 14 gusht, thirri në Fier  Seit Bej Vrionin dhe po atë ditë shkon në Vlorë te Nuredin Bej Vlora, për t’i bindur këta që të mos lëvizin me pretendimin se lëvizja ishte caktuar për një javë më vonë. Dhe me këtë pretekst të trilluar bejlerët nuk dërguan asnjë njeri në lëvizje. (f.41).
Kështu, edhe në Fier Kryengritja duhet të shpërthente në orën 21 të datës 14 Gusht, por nisi disa orë më parë, pse nënprefekti i vendit Hasan Lame, i cili në orët e para pas mesditës, e mori vesh nga një tregtar, se Kryengritja do të fillonte brenda ditës, prandaj kërkonte makinë për të shkuar sa më parë në Tiranë, për të lajmëruar Qeverinë për ç’ka po ndodhte. Ndërkaq, Musa Kranja u informua se nënprefekti  po përgatitej për t’u nisur. Atëherë, ai për ta ndaluar shkoi me një herë në zyrën e tij dhe e arrestoi.
Me arrestimin e këtij u morën me të shpejtë masat e duhura: u shpall shet-rrethimi dhe u ndalua dalja e makinave nga qyteti; u ndaluan lidhjet telefonike e telegrafike me rrethet e tjera, u caktuan patrullat e përbëra prej fshatarësh  kryengritës të armatosur për mbajtjen e rregullit; u thirr gjithë populli për të marrë  pjesë në një miting, që do të mbahej përpara bashkisë .Atëherë u mblodhën në nënprefekturë paria e gjithë qytetit dhe nga këta u zgjodh një komision për të administruar vendin, gjersa kryengritësit të merrnin në dorë pushtetin në të gjithë Shqipërinë .

Si pjesëtarë në komisionin administrativ u caktuan persona të njohur nga opinioni: Spiro Papa, Dr. Kostandin Kallogjeri, Dr. Musa Delvina, Ramiz Omari, Taqi Bozua, Idriz Bylua, Sotir Bitri dhe Duran Qadhimi. Komisioni vetë zgjodhi si kryetar për punët e rrethit Spiro Papën dhe për punët e bashkisë Ramiz Omarin   (fl.42).

Fuqia për mbajtjen e qetësisë u vu nën  komandën e Hekuran Manekut, i cili organizoi me një herë patrullat, të cilat  përbëheshin prej fshatarësh të varfër të paraqitur vullnetarisht dhe të rekrutuar nga krerët kryengritës. Midis përbërësve të patrullave ishte edhe një cigan (arixhi nga Baltëz) Halim Duçja.
Në orën 18, përpara godinës së bashkisë u mblodh me shumicë, sa kurrë më parë, populli i qytetit, dhe i fshatrave për rreth, përzier me shumë kryengritës, që kishin ardhur  nga katundet e largëta dhe nga Mallakastra . (f.43)
Nga ballkon doli  Komisioni administrativ, Musa Kranja, Kostë Çekrezi (ky kishte ardhur para dy ditësh bashkë me Musan prej Tirane), Zejnel Hekali dhe të tjerë. Mitingun e hapi Musa Kranja dhe pas tij foli Kostë Çekrezi si edhe arsimtari Zejnel Hekali. Të tre përmendën vuajtjet e popullit nën regjimin zogist, tradhëtinë e Ahmet Zogut ndaj Atdheut, zinë e bukës që kërcënonte. Fjalimin më të ndjeshëm e mbajti Zejnel Hekali. Me këto fjalime u shpall republika dhe u konsiderua e rrëzuar monarkia.


Gjatë metingut ndodhi një gjë e papritur. Gjeneral Gjilardi, adjutant i mbretit, aventurier, me origjinë të panjohur(mbase kroat), që kishte ardhur në Shqipëri si kapiten që në kohën e Vidit, po kalonte nga Tirana për në Manastirin e Pojani, që të blinte antikitete të Apolonisë, nga ato që gjenin rastësisht fshatarët nëpër ara e kullota. Sa e panë, patrullat e ndaluan me  një herë makinën e tij dhe lajmëruan Musa Kranjën, që ndodhej bashkë  me të tjerët në ballkonin e bashkisë. Ky urdhëroi që të qëllohej kundër tij dhe në atë çast një nga xhandarët e tij besnik Myrteza Dejlanin ose  Xhevahir Abazi e la të vdekur për tokë.
Edhe pas vrasjes së gjeneralit mitingu vazhdoi. Madje, si lexojmë në fletoren e kujtimeve të Dr. Jakovit, Fjala e Zejnelit është  mbajtur pas vrasjes së Gjeneral Gjilardit. Ai, Zejnel Hekali, e filloi fjalimin e tij me këto fjalë: ”Unë nuk jam Demosteni, që u drejtohet athinasve, as Ciceroni, që u drejtohet romakëve, po vëlla e shok i juaj, që u drejtohem juve, për të qarë hallet bashkë me ju për t’u treguar se në ç’ditë të zezë na ka çuar regjimi i satrapit Zogoll dhe për t’u ftuar edhe ju që të merrni pjesë në këtë Kryengritje e cila ka për qëllim të zhdukë nga faqja e dheut Zogun dhe gjithë tarafin e tij dhe të çojë përpara Republikën që po shpallim sot…”                                                            Dhe, kur fjalimet, brohoritjet dhe shprehjet e urrejtjes së popullit ndaj regjimit zogist morën fund, me porosinë e udhëheqësve, vullnetarët, që do të merrnin pjesë në Kryengritje, qëndruan në vend, kurse popullsia u shpërnda e gëzuar që do të shpëtonte nga gjakpirësit.
Vrasja e Gjilardit u mbajt si ogur i mirë, se populli filloi të besonte që Kryengritja kishte plasur në të katër anët dhe se disa  personalitete besnike të regjimit po largoheshin nga Tirana, për t’i shpëtua hakmarrjes popullore (fl.44)                                                                                                                                Në drejtim të Lushnjes u nisën afro 200 kryengritës hipur në makinat e Fierit, që ishin rekuizuar nga komanda. Midis tyre kishte mallakastriotë, myzeqarë, kosovarë, lebër, xhandarë dhe intelektualë. Në krye të kolonës printe vetura në të cilën ndodhej Musai, Çekrezi, dhe Zejneli. Ndihej shumë nevoja e armëve. Vetëm gjysma e kryengritësve ishte e armatosur me pushkë të gjata, që ishin tërhequr nga posta e gjindamarisë. Pjesa tjetër kishin vetëm nga një revolver, që e kishin mbajtur fshehur. Sikur të  kishte pasur   pushkë me shumicë,  numri i vullnetarëve, që do të drejtoheshin kundër Tiranës do të ishte shumë më i madh.
Në të hyrë të Karbunarës, te kthesa e Beratit, kolona ndalet. Kryengritësit zbresin nga makinat dhe vendosen nëpër pozicionet. Krerët takohen me çetën e Lushnjes, që ishte mbledhur në një zabel dhe aty priste forcat e Fierit.
Kryengritësit e Fierit bashkë me të Lushnjes, u drejtuan për në qendër të qytetit, po aty u pritën me pushkë nga kundërshtarët, që ishin  në mbështetje të regjimit .Pra, filloi luftimi që vazhdoi  disa orë .Një herë qe menduar që kjo qendër rezistence të lihej prapa dhe forcat te kalonin nën qytet, të dilnin afër ish shkollës bujqësore dhe pastaj të vazhdonin rrugën drejt Tiranës, ku të bashkoheshin me fuqitë e tjera kryengritëse të Peqinit, e Kavajës dhe të arrinin në kryeqytet. Kalimi në jug të Lushnjes ishte shumë i lehtë dhe mendimi dukej i arsyeshëm. Por pastaj u vendos që më parë të sqarohej situata .
Një grup i përbërë prej pesë vetësh: Musa Kranja, Zejnel Hekali, Jakov Milaj e të tjerë shkoi në godinën e post-telegrafës, që ndodhej afër nënprefekturës dhe aty me ndihmën e telegrafistit Nuri  Radhima, i cili ishte pjesëtar i Lëvizjes, hyri në kontakt me centralet telefonike të Vlorës, Beratit, Rogozhinës, Peqinit dhe Durrësit. Telefonatat e shërbimit  të shumicës së qendrave u përgjigjen se kudo kishte qetësi dhe bënin shaka, që për ata janë të zakonshme, sidomos në orët e vona të natës, kur duan të luftojnë gjumin  me të qeshura  e bisedime kot. Vetëm telefonisti i Beratit tha se në qytet ishte krijuar një gjendje e zymtë, se ndiheshin nëpër kalldrëme  zhurmët e këpucëve të patrullave dhe se llampa në zyrën e prefektit nuk ishte fikur: dukej se ky punonte e vepronte. Me këtë u sqarua se pjesëmarrësit e Kryengritjes të rretheve të ndryshme, ose të paktën të rretheve me të cilat duhej të hynte në kontakt Fieri, për të përparuar drejt Tiranës, pra nuk kishin zbatuar urdhërin e udhëheqjes  për të vepruar në ditë dhe në orë të caktuar. U muarr vesh që Kryengritja kishte dështuar (f.47).
Kur grupi, që kishte folur në telefon, u kthye te forcat kryengritëse, Musa Kranja u shpjegoi këtyre pjesërisht bisedën dhe u tha se “ne përkohësisht do të kthehemi në Fier, të organizoheshim atje dhe të drejtoheshim për në Tiranë, pasi të bashkoheshin me ne edhe forcat e tjera, që do të vinin nga Vlora, Berati dhe nga rrethet e tjera të jugut.”
Kështu u veprua. Kryengritësit u kthyen në Fier me makinat me të cilat kishin ardhur. Po makina e Musa Kranjës, e cila tani gjendej në bisht të kolonës, diku dredhoi gjatë rrugës dhe nuk u pa të kthehej  shpejtë në Fier. Po në fakt Musai erdhi me vonesë në Fier;  shkoi në shtëpinë e vetë, ku mori disa tesha, dogji dokumentet komprometuese dhe u largua në drejtim të Karavastasë, pa u takuar me asnjë pjesëtar të Lëvizjes. Forcat që prisnin urdhëra të rinj nga komanda, kur panë se mbetën pa udhëheqje, u shpërndanë (fq. 47).
Po ç’kishte ndodhur? Dukej se prej ditësh Musa Kranja kishte hyrë në bisedime me një italian, që gjuante peshk kontrabandë në ujërat e territorit të Shqipërisë . Me të ai ishte marrë vesh që  në një ditë të caktuar, në qoftë se kryengritja do të dështonte, ta priste atë me shokë të tij, që t’i merrte në motobarkën e vetë  atje, te liqeni i Karvastasë .Dhe ashtu, siç e kishte bërë marrëveshjen, u nis me makinë drejt  Karvastasë për tek motobarka tok me Kostë Çekrezin, Arshi Shehun, Zejnel Hekalin. Po siç u mor vesh më vonë midis grupit kish ndodhur edhe një incident: Musai donte ta zbriste Zejnelin nga makina gjatë rrugës dhe mos ta hipte në motobarkë, por kur ai kundërshtoi me pushkë në dorë dhe nga e keqja pranuan që të mos ndodhte ndonjë vrasje.
Motobarka i çoi të arratisurit Në Monopoli të Italisë, ku ata iu dorëzuan autoriteteve portuale. Më tej, duke komentuar lidhur me motobarkën e kontrabandistit italian, Dr. Jakovi vazhdon të na dëshmojë se të dhënat  mbi motobarkën, që priti në Karavasta dhe për një marrëveshje të mundshme të Musajit me  kontrabandistin italian, i pata dëgjuar në burg nga njerëzit,  që kishin ndjekur së afërmi lëvizjet e Musajit, të cilët dinin se ai tre a po katër ditë përpara 14 gushtit kishte kaluar në zonën e Libofshës, dhe, kur ishte kthyer, kishte thënë se kishte hyrë në bisedime  me xhandarët e asaj ane, të cilët do të rekrutoheshin në Kryengritje. Kurse për sherrin midis Musajit dhe Zejnelit më ka folur  edhe vetë Zejneli, kur u kthye nga mërgimi,(fl.47-48).
*               *            *
Epiqendra e Kryengritjes duhet të ishte Tirana, jo Fieri. Atje ishte  qendra e “Organizatës së fshehtë”, atje ishte  ushtria nga e cila pritej shumë, atje ishte edhe Zogu me gjithë tarafin e tij. Po nuk ndodhi kështu. Kryengritja duhej të fillonte me atentat. Meqenëse atentati kundër Zogut dështoi, duhej të kryheshin të tjerë atentate kundër Musa Jukës, Abdurrahman Krosit, dhe Xhemal Aranitasit. Për drejtimin e tyre  qe ngarkuar  togeri i gjindarmarisë  Asim Vokshi, i cili ishte një nga njerëzit më të rëndësishëm të Kryengritjes. Ishte djalë trim, njeri  i ndershëm, dhe komunist i vendosur. Për ekzekutimin e atentateve qene zgjedhur 10  nënoficerë  të rinj, thuajse të gjithë nga Skrapari, të cilët u treguan të gatshëm për të qëlluar kundër njerëzve më të ngushtë të Zogut. Për organizimin e atentateve dhe për zgjedhjen e atentatorëve punën kryesore e kishte bërë Riza Cerova, kur ndodhej në Tiranë (fl.48).
*          *            *
Me gjithë këto parashikime punët nuk shkuan ashtu si u mendua. Disa ditë para datës së Kryengritjes, në udhëheqjen e “Organizatës së fshehtë” paraqitet togeri i intendencës, Emin Bushi, i futur prej në organizatë, i cili kërkon me këmbëngulje që t’i drejtojë ai  atentatet. Udhëheqja e bindur në besnikërinë e tij ndaj çështjes për te cilën do të luftohej dhe e magjepsur nga zelli  tij i tepruar, e ngarkon Asimin me detyra të tjera në lidhje me oficerat e repartit ushtarak, kurse drejtimin e atentateve ia beson Eminit. Ky hyri në kontakt me nënoficerat, që do të bashkëpunonin me të, iu jep udhëzime të hollësishme për atentatet, që do të kryheshin, cakton orën e veprimit e të tjera. Por disa orë përpara  kohës së caktuar pendohet për detyrën që do të kryente dhe shkoi te gjeneral Aranitasi, i përgjunjur i kërkon  këtij të falur për’kobin” e rëndë që do të kryente dhe i tregon atij të gjitha sekretet qe dinte në lidhje me Kryengritjen që po fillonte.
Lidhur me këtë pabesi të Emin Borshit, Jakov Milaj shkruan: “Kalimin e detyrës për kryerjen e atentateve nga Asim Vokshi te Emin Bushi ma ka thënë vetë Asimi .

Kjo gjë bisedohej hapur në Burgun e Durrësit. Bile për këtë pabesi, sa kohë gjendej në burg, të burgosurit e tjerë nuk i flisnin me gojë Eminit; ky gjersa u dërgua në Tiranë mbeti krejt i izoluar. Nënoficerët, që nuk dinin gjë për tradhtinë  e  udhëheqjes së tyre, shkuan të gjithë  në orën e përpiktë  në vendet e caktuara për të kryer atentatet, po përpara se të marrin sinjalin e veprimit, rrethohen. Atëherë, disa prej tyre arrestohen nga fuqitë qeveritare. Kështu  dhe këto atentate dështuan .                                                                                                                                                             Më vonë u muar vesh se Emin Borshi pjesëmarrjen në lëvizje dhe gatishmërinë për të kryer atentatet nuk i kishte bërë për ndjenja patriotike ose pse ishte antizogist i vendosur, por pse kishte vjedhur nga arka e intendencës disa mijëra napolona dhe, për të zhdukur gjurmët e vjedhjes, desh të kryente këto atentate dhe në të njëjtën kohë të digjte edhe dokumentet e arkës. Kështu Emini, duke tradhtuar Lëvizjen, shpresonte të shpëtonte nga pushkatimi .

Po le të bëjmë edhe një paranthezë të shkurtër për karakterin e këtij Eminit, që pati edhe një shkak tjetër personal: në vjedhjen e parave kishin marrë pjesë edhe dy oficerë të tjerë, që ishin nipër të Abdurrahman Krosit; këta pas kthimit të dënimit të tyre “me vdekje”, në dënimin me “burgim të përjetshëm”, gjetën rastin, që në kohën, kur e kërkuan në Tiranë për të dorëzuar arkën dhe llogaritë, sajuan mënyrën për  dorëzimin e tij (Eminit) në spitalin civil, gjoja  për mjekim. Atëherë prej andej, njerëzit besnik të Krosit e nxuarrën nga spitali dhe e shoqëruan deri sa doli jashtë shtetit. Kështu iu shpërblye tradhtia dhe iu mbuluan fajet e tjera këtij zuzari. (f.49-50).
*           *         *                                                                                                              Të kthehemi prapë në kryeqytet, ku duhej të vihej në  lëvizje edhe artileria me disa reparte të tjera ushtarake. Këto  do të ndalonin aktivitetin e grupeve të komanduara nga oficerët besnikë, duke përdorur armët. Po asgjë nuk bënë. Ndër kohë duheshin bllokuar automjetet ushtarake. Këtë detyrë e kreu mirë komandanti i autoreparteve nëntoger Xhelal Çami, i cili në ditën e Kryengritjes zbërtheu të gjitha makinat ushtarake, me qëllim gjoja shërbim  riparimi, kurse disa pjesë të tyre të rëndësishme, kur mundej, i fshehu. Ky veprim duhet të gjendet edhe në aktet gjyqësore,- shënon autori, – duke shprehur edhe shqetësimin se ku ka përfunduar Xhelal Çami, pas daljes nga burgu, që unë s’e di. Repartet e tjera nuk kryen ndonjë veprim.
Si e pamë, shpresa të mëdha “Organizata e fshehtë” kishte mbështetur në regjimentin e Elbasanit, të cilit i ishte ngarkuar detyra, që ditën e caktuar të largohej nga kazermat dhe të sulmonte Tiranën. U fol se oficerët bënë diçka për të kryer këtë mision. Një ditë para, repartet e këtij qyteti, të pajisura me armë dhe municione, lanë kazermat buzë Shkumbinit dhe organizuan një manovër në malet që ndajnë Elbasanin nga Tirana. Sikur ata të kishin marrë vesh se Kryengritja shpërtheu  në të gjithë Shqipërinë, ata do të mësynin Tiranën. Po kur në vend të këtij Lajmi, që pritnin, ata morën vesh dështimin, atëherë vazhduan lojën dhe u kthyen në vendin  nga ishin nisur.
Udhëheqja e Organizatës priste shumë edhe nga forcat kryengritëse të Peqinit, të cilat kishin për detyrë të bllokonin  urën e Rrogozhinës. Udhëheqja ia kishte ngarkuar këtë detyrë për bllokimin e urës anëtarit të Organizatës Hasan Reçit, i cili përfaqësonte edhe celulat komuniste. Por Hasani nuk e kreu detyrën. Në vend që të shkonte në Peqin, te forcat që e prisnin, ai i trembur nga arrestimi i Uan Filipit, u fsheh, po u arrestua nga gjindarmët  e regjimit  diku  në qarku e Elbasanit .Për këtë paaftësi  edhe Mustafa Gjinishi do ta akuzonte rëndë Hasan Reçin, pse nuk e kreu detyrën në Peqin. Pjesëmarrja e  forcave të  Peqinit në  Kryengritje, sipas tij, mund ta kishte ndryshuar  rrjedhën e ngjarjeve, sepse  anëtarët e Organizatës së këtij rrethi  ishin të shumtë dhe trima. Për këtë arsye  Gjinishi nuk i foli me gojë Hasan Reçit për shumë muaj me radhë, sadoqë jetonin në të njëjtin kaush. (f.51).

Hasan Reci
Në Shkodër grupi i oficerëve pat punuar më shumë për të zbatuar udhëzimet. Aty nëntogeri Lutfi Shehu organizoi grupin e Kryengritjes për të marrë  në dorë qytetin. Në këtë grup bënin pjesë edhe Arshi Velua, Lato Zequa, Rifat Sera. Me anën e tetarit Lato Zeqo u krye edhe atentati kundër komandantit të garnizonit, Kapiten Ismail Osmanit, i cili për shkak të  funksioneve, që i kishin ngarkuar në ushtri dhe në administratë, ishte një sundimtar i vërtetë i Shkodrës. Po vrasja e këtij oficeri u mbyll pa bujë të madhe, se atentatori e akuzoi të vrarin për imoralitet dhe i gjithë opinioni publik qe i një mendje me të. Me gjithë këtë, Lato Zequa, kur po arratisej për në Jugosllavi, u kap në liqen të Shkodrës, pranë katundit Zogaj, pak metra përpara se të kalonte kufirin, dhe u dënua me vdekje, por nuk u ekzekutua. Mbi veprimet e organizatës së Shkodrës dhe mbi vrasjen e Ismail Osmanit pata dëgjuar  hollësira që më 1935. Emrat e personazheve m’i ka kujtuar Rifat Sera, oficer në pension. Me përjashtim të Lutfi Shehut, tre të tjerët morën pjesë në  Luftën Nacional-Çlirimtare, duke fituar dhe grada si oficer. Nga këta  Lato Zequa ka rënë dëshmor, në atë kohë ka qenë zëvendës komandant kompanie, Arshi Velua ka vdekur pas çlirimit, dhe Rifat Sera jeton pensionist në Fier (f.52).
Edhe në Vlorë qenë organizuar nga Beqir Sulo Agalliu disa fshatarë antizogistë, që do të merrnin pjesë në Kryengritje. Këta shkuan edhe në qytet që të zbatonin planin e parapërgatitur. Po këtu Nuredin  Vlora, i mashtruar nga Qemal Vrioni, e bindi  Beqirin që të mos vepronte dhe të prisnin udhëzime të reja nga Tirana, me qënëse  data e caktuar për Kryengritje ishte ndryshuar. Beqiri i besoi Nuredn Beut dhe ai atëherë  i shpërndau forcat. Vetë ai, kur mori vesh dështimin e lëvizjes, u detyrua të dalë jashtë shtetit.
Nga forcat civile  kryengritëse të Skraparit pritej më shumë se nga viset e tjera të Shqipërisë. Atje punonte Riza Crova, i njohur nga të  gjithë për  trimëri dhe shpirt demokratik, i cili  ishte kthyer nga Bashkimi Sovjetik para katër muajsh. Ai sapo erdhi në Shqipëri, hyri në Oganizatën e fshehtë, që po përgatiste Kryengritjen kundër Zogut. Rizai qe krahu i djathtë i lëvizjes dhe e ndihmoi atë për t’u organizuar sa më mirë. Nga fundi i korrikut ai vajti në fshatin e tij të lindjes dhe filloi propagandën  kundër regjimit. Sa kohë që ishte vendosur në Tiranë merrte e jepte mendime për mënyrën e ngritjes së çetave dhe organizimin e tyre. Vendimi i udhëheqjes së Organizatës së fshehtë nuk iu dorëzua Rizait me një herë. Ai u vu në dijeni vet më  11 gusht, pra  tri ditë para datës së caktuar për veprim. Ahmet Shehu nga Karbunara e Lushnjes, qe caktuar  për të mbajtur kontakte me atë, pra me Riza Cerovën; nuk e di se për ç’arsye ia bëri  atij me aq vonesë njoftimin  për fillimin e Kryengritjes. Shënoj se faji i Ahmet Shehut, që nuk lajmëroi me kohë Riza Cerovën, qe rrahur e diskutuar edhe në burg, ku Asim Vokshi dhe të tjerë e dënuan Ahmetin për këtë faj .Kjo vonesë ishte një nga shkaqet  kryesore për mos-realizimin e planit të caktuar. Po të kishte pasur kohë, qoftë edhe një jave, Rizai të do mblidhte një forcë më të madhe kryengritësish, de do të mund të kishte pushtuar Beratin, pasi  marrja e Beratit ishte e lehtë, se kishte vetëm  pak xhandarë. Prej andej Rizaj do të bashkohej me  forcat e Fierit, Lushnjes, dhe atë herë komanda luftarake nuk do të mbetej në dorë të Musa Kranjës, i cili, para se të fillonte lëvizjen, deshi të siguronte kokën, duke marrë  me qira motobarkën e kontrabandierit italian, por komanda do t’i kalonte atij, Rizajit .Lajmërimi i vonuar i Rizajit qe katastrofë për Kryengritjen. Ai pati vetëm dy ditë kohë që të mblidhte luftëtarët. Megjithatë ai grumbulloi 30 apo 40  vetë dhe me ata erdhi deri në Berat. Po pa hyrë në qytet, mori vesh ngjarjet e Lushnjes. Prandaj u detyrua të kthehej prapa  i shoqëruar nga trimat më të mirë. Ndër kohë ai  ishte i kërcënuar  e ndiqej këmba këmbës nga fuqitë qeveritare. Atëherë  Riza Cerova  vendosi të shkonte drejt kufirit me Jugosllavinë për të dalë edhe një herë në mërgim. Duke luftuar me ndjekësit, arrijti gjer te pylli i Marianit afër Pogradecit. Atje në luftë e sipër u plagos rëndë, po gjeti mundësinë të shkruante letrën e  famshme për familjen, dhe  pas disa orësh, më 24 gusht 1935 dha shpirt .              Vdekja heroike e Riza Cerovës, qe akti i fundit i lëvizjes, që mori emrin  Kryengritja e Fiert. (f.55} .
*             *              *
Kur u muar vesh se ç’po ndodhte në Fier dhe në qendra të tjera, krerët  qeveritar të Tiranës u trembën shumë. Nuk po dinin nga t’ia mbanin. Meqënë se  e mësuan se ideja e Kryengritjes ishte përhapur në të gjithë Shqipërinë, menduan që hë për hë të mbronin me anën e ushtrisë vetëm kryeqytetin. Mirë po pyetja bëhej se cili oficer kishte mbetur besnik i Zogut, që të drejtonte forcat ushtarake dhe  kush ishte i lidhur me Organizatën e fshehtë. Këtë gjë nuk e dinin as qeveritarët vetë .U dha urdhër nga lart që njësitet e artilerisë të vendoseshin nëpër kodrat rreth e qark Tiranës. Dhe, për të kontrolluar se nga ishin drejtuar tytat e topave, shkoi vetë Abdurrahman  Krosi. Ky gjithë natën e 14 -15 gushtit u vërtit kodrave me bastun në dorë nga frika se mos ushtria, në vend që të priste me zjarr kryengritësit, ia drejtonte gjylet pallatit mbretëror.
Të nesërmen situata u  sqarua. U muar vesh se Kryengritja ishte kufizuar vetëm në Fier, ku ishte vrarë gjeneral Gjilardi .Atje u dërguan forca të shumta, që filluan me një herë ndjekjet në Fier, në Berat dhe posaçërisht  në Skrapar, për të kapur Riza Cerovën. Komandant operacioni u caktua Ali Riza Kosova. Në ndjekje muarën pjesë shumë  reparte ushtarake dhe toga të gjindarmarisë; më të shumtët e oficerëve  ishin matjanë dhe dibranë, që mendohej se ishin besnikë të Zogut. Po edhe midis tyre  gjendeshin element të influencuar dhe të lidhur me Organizatën e fshehtë. Përveç fuqive të rregullta, për të kapur kryengritësit e lidhur me Lëvizjen, muarën pjesë edhe disa çeta bashibozukësh të drejtuara nga Veis Sevrani, Hysni Toska, Jako Kumani e të tjerë më të vegjël. Veis Sevrani u nis në ndjekje të Riza Cerovës; Hysni Toska shkoi me fuqitë e veta në katundet e Mallakastrës dhe Jako Kumani veproi në rrethin e Beratit dhe ne mënyrë të veçantë në zonën e Roskovecit, që është ngjitur me Fierin.
Në kryeqytet shtypi i Zogut filloi të çirret me te madhe kundër armiqve, që guxuan të ngrenë krye kundër Naltëmadhnisë. Kërkohej që kundër turbullonjësve të qetësisë të merreshin masat më ekstreme. Korin e gazetarëve e drejtonin udhëheqësit e gazetës ultrareaksionare “Besa”, pse besaxhinjtë e mbanin veten si besnikët më të devotshëm të Sovranit August. Kështu  kishte the organe  të tjera, që i mbanin “iso” gazetës Besa (fl.57).
*              *               *
Më 18 gusht, në Tiranë, u bënë funeralet e gjeneral Gjilardit, trupi i të cilit u përcoll me nderime ushtarake, u përshëndet nga vetë Mbreti, dhe u dërgua në kalanë e Perelës. U varros pranë tyrbesë së Ballaban Pashës, sipas dëshirës së shfaqur nga “i ndyeri vetë”, që kur kish qenë gjallë. Për t’u çuditur është se sa poshtë kishte rënë ndjenja patriotike gjatë regjimit zogist: krerëve të kësaj klike nuk u vinte turp, por u dukej me vend varrimi i këtij “dëshmori të madh” pranë Ballaban  Pashës, tradhëtar i njohur i atdheut, që u vra nga Skënderbeu, kur erdhi të shkelte Arbërinë me hordhi turke që i komandonte.. .Por, ipsi bir …Të dy sulltanët, Mehmet, i madh i osmanëve dhe Ahmeti i vogël i shqiptarëve kishin pasur  dëshira të njëjta: që besnikët e tyre renegatë të gjendeshin pranë njeri tjetrit për të  parë që andej nga një majë kodre Shqipërinë se si do të ecte në rrugën e historisë. –

Vijon

Next Post
Ngacmimet online ndaj fëmijëve, Hazizaj: 3 incidente serioze, interneti nuk është i sigurt për ta, prindërit t’i kontrollojnë

Ngacmimet online ndaj fëmijëve, Hazizaj: 3 incidente serioze, interneti nuk është i sigurt për ta, prindërit t'i kontrollojnë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Gjyqi i shpërndarësve të drogës në Tiranë, policët u infiltruan si përdorues, më pas në grackë ranë…

Gjyqi i shpërndarësve të drogës në Tiranë, policët u infiltruan si përdorues, më pas në grackë ranë…

December 26, 2025
Kongresmeni Lawler-Kurtit: Mbështetja e SHBA-së për Kosovën është e fortë dhe dypartiake

Kongresmeni Lawler-Kurtit: Mbështetja e SHBA-së për Kosovën është e fortë dhe dypartiake

December 26, 2025
Fluks virozash dhe raste me Covid në urgjencën e Pediatrisë, 350 vizita në 24 orë

Fluks virozash në spitale, mjekët: Mos përdorni atibiotikë pa u konsultuar me specialistin

December 26, 2025
Festat e fundvitit, Policia nderon familjet e Dëshmorëve: Jeni pjesë e pandarë e jona

Festat e fundvitit, Policia nderon familjet e Dëshmorëve: Jeni pjesë e pandarë e jona

December 26, 2025
Ndahet nga jeta Ruth Bourne, gruaja që deshifroi kodet naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore

Ndahet nga jeta Ruth Bourne, gruaja që deshifroi kodet naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore

December 26, 2025
Gjatësia e hekurudhave me shpejtësi të lartë në Kinë tejkalon 50.000 km

Gjatësia e hekurudhave me shpejtësi të lartë në Kinë tejkalon 50.000 km

December 26, 2025
Japoni, sulm me thikë brenda një fabrike, 14 persona mbetën të plagosur! Çfarë iu zbulua autorit pas arrestimit?

Japoni, sulm me thikë brenda një fabrike, 14 persona mbetën të plagosur! Çfarë iu zbulua autorit pas arrestimit?

December 26, 2025
“Përgjithmonë vetëm!”/ Shenjat e horoskopit që nuk duan dhe nuk do të kenë një lidhje

Më të heshturit janë ata që kanë vuajtur më shumë, këto shenja të horoskopit janë më të forta nga sa mendoni

December 26, 2025
Kapet në Kakavijë shqiptari, ishte shpallur në kërkim nga Interpol Tirana/ Arrestohen edhe dy të kërkuar në Greqi

Kapet në Kakavijë shqiptari, ishte shpallur në kërkim nga Interpol Tirana/ Arrestohen edhe dy të kërkuar në Greqi

December 26, 2025
Kim Jong Un urdhëron rritjen e prodhimit të raketave në 2026! Për çfarë përgatitet Koreja komuniste?

Kim Jong Un urdhëron rritjen e prodhimit të raketave në 2026! Për çfarë përgatitet Koreja komuniste?

December 26, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com