Pamjet janë të njohura dhe tronditëse: zjarre të fuqishme që përballohen nga zjarrfikësit dhe avionë që hedhin ujë mbi flakët.
Qindra mijëra njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Francë, Spanjë dhe Portugali, ndërsa zjarret masive kanë përfshirë pyje dhe zona rurale.
Por pse ende përdoren njerëzit dhe avionë 30-vjeçarë? Pse dronët mund të zëvendësojnë ushtarët në Ukrainë, por jo zjarrfikësit?
Shefi i togës, Guillaume Millet, zjarrfikës me 24 vite përvojë dhe drejtues i degës së Shërbimit të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në sindikatën CFDT në Gironde, zonën më të prekur nga zjarret në Francë këtë verë, thotë se mënyrat e shuarjes së zjarreve nuk kanë ndryshuar shumë, por teknologjia për zbulimin e tyre ka bërë hapa të mëdhenj.
“Ndryshimi i madh, veçanërisht në departamentin tim, është se tani kemi kamera të asistuara nga inteligjenca artificiale, të cilat monitorojnë pyjet dhe zbulojnë se ku po nisin zjarret”, thotë Millet.
Në Gironde, këto kamera kanë zëvendësuar vrojtuesit njerëzorë që qëndronin në kullat e vëzhgimit gjatë muajve të verës. Shpesh këta vrojtues ishin studentë.
Sipas tij, kalimi te teknologjia ka ulur numrin e alarmeve të rreme.
“Një kamerë e asistuar nga inteligjenca artificiale mund të dallojë me pothuajse siguri të plotë ndryshimin mes tymit dhe pluhurit të ngritur, për shembull, nga një traktor në një fushë”.
Kamerat kanë gjithashtu një rreze të madhe veprimi, duke zbuluar zjarre deri në 20 kilometra larg.
Në Gironde, sistemi është instaluar nga kompania Midgard, ndërsa në zona të tjera të Francës përdoret një tjetër kompani franceze, FireTracking.
“Menjëherë sapo sistemi zbulon një zjarr, zjarrfikësit marrin një alarm në telefon. Ata hapin aplikacionin dhe shohin atë që kamera po regjistron me zmadhim 40-fish”, shpjegon drejtori ekzekutiv i FireTracking, Jean-Simon Chaudier.
Krahas videos në kohë reale, aplikacioni tregon një hartë me vendndodhjen e saktë të zjarrit, pozicionin e banesave pranë tij dhe një simulim se si pritet të përhapet zjarri minutë pas minute, duke marrë parasysh motin, lagështinë dhe faktorë të tjerë.
Dhe çdo minutë është vendimtare.
“Gjatë 10 ditëve të fundit kemi marrë reagime nga një zjarrfikës që na tha se inteligjenca artificiale kishte zbuluar shtatë zjarre 15 minuta përpara telefonatës së parë. Nëse i ndihmon një zjarrfikësi të fitojë 15 minuta, kjo është diferenca mes një katastrofe dhe një zjarri që mund të kufizohet në dy ose tre hektarë”, thotë Chaudier.
“Pas një minute mund ta shuash një zjarr me një gotë ujë, pas dy minutash të duhet një depozitë uji, ndërsa pas tre minutash duhet të dërgosh një Canadair”, shpjegon ai, duke iu referuar avionëve amfibë që marrin ujë nga lumenjtë, liqenet dhe deti për ta hedhur mbi flakë.
Kamerat e FireTracking aktualisht monitorojnë rreth një milion hektarë tokë, kryesisht në Francë.
Në departamentin francez Indre-et-Loire, kompania ka instaluar 11 pika zbulimi.
“Janë shpenzuar gjithsej 1.2 milionë euro për të mbuluar të gjithë zonën prej 6 mijë kilometrash katrorë”, thotë Chaudier.
Kjo zonë është kryesisht bujqësore dhe zjarret në kultura bujqësore janë një problem i madh. Sipas tij, vetëm në këtë departament ndodhin rreth 300 zjarre të tilla çdo vit.
Zbulimi i zjarreve me inteligjencë artificiale pritet të përmirësohet edhe më shumë në vitet e ardhshme. Shërbimi francez i mbrojtjes civile po teston programin Condor, i cili përdor dronë me energji diellore që kryejnë patrullime të vazhdueshme me kamera optike dhe inteligjencë artificiale.
Ka gjithashtu projekte me sensorë të vendosur mes pemëve. Një shembull është projekti spanjoll SenForFire, i cili mat gazrat që çlirohen para se flakët të bëhen të dukshme.
Sa u përket dronëve, zjarrfikësi Guillaume Millet thotë se në Francë ata po testohen për shpëtimet në det, duke hedhur jelekë shpëtimi dhe pajisje emergjence, por ende nuk ekziston një teknologji dronësh që të ketë arritur këtë nivel për shuarjen e zjarreve.
“Në fakt, dobia e teknologjisë në këtë fushë është shumë e kufizuar. Ajo mund të na ndihmojë me zbulimin, por nuk është teknologjia që i fik zjarret; duhen njerëz që të tërheqin zorrët e ujit përmes pyllit dhe të sulmojnë flakët”, thotë Millet.
Sipas tij, as avionët nuk mund ta zëvendësojnë këtë punë.
“Kur një Canadair hedh 6 mijë litra ujë mbi një zjarr pyjor, ai ul intensitetin e tij, por më pas janë zjarrfikësit në tokë që duhet të përfundojnë punën që nisi avioni”.
Franca po mësohet gjithashtu me përdorimin e avionëve Dash, të cilët spërkasin retardantë zjarri (fosfat amoniumi në formën e një pluhuri portokalli) përpara flakëve, duke penguar përhapjen e shpejtë të zjarrit në bimësi.
Por edhe kjo nuk zëvendëson fuqinë dhe ndërhyrjen e ekipeve në terren.
Të paktën ende jo.
Një kompani franceze, Daidelos, po përpiqet të sigurojë investime për zhvillimin e një droni të rëndë me motor benzine. Nëse projekti realizohet, ai do të mund të qëndrojë mbi një zjarr dhe të spërkasë deri në 1.2 tonë ujë.
Kompani të tjera po zhvillojnë gjithashtu dronë që hedhin granata të posaçme, të cilat shpërthejnë kur bien në kontakt me temperatura ekstreme dhe mbulojnë zonën përreth me një pluhur kimik që fik, ftoh dhe ndërpret procesin e djegies.
Qëllimi është krijimi i një reagimi të parë automatik, ku zbulimi i zjarrit dhe aktivizimi i dronëve të jetë aq i shpejtë sa zjarret të mund të shuhen që në momentet e para.
Megjithatë, kjo teknologji nuk do të mund të përballet me një zjarr të madh pasi ai të ketë marrë përmasa të mëdha.
Studiues francezë po punojnë gjithashtu për dronë që mund të afrohen pranë flakëve, jo për t’i shuar ato drejtpërdrejt, por për të mbledhur informacione të rëndësishme mbi situatën: rrezikun nga tymi, ndryshimet e papritura të motit, shembjen e pemëve ose ndërtesave të djegura, përpara se zjarrfikësit të ndërhyjnë.
Teknologjia tashmë po ndihmon zjarrfikësit të zbulojnë zjarret më shpejt dhe të reagojnë më me efikasitet. Në të ardhmen ajo mund ta bëjë punën e tyre më pak të rrezikshme.
Por zëvendësimi i tyre duket i pamundur, sipas zjarrfikësit të Gironde, Guillaume Millet.
“Janë gjithmonë zjarrfikësit në terren, ata që tërheqin zorrët e ujit dhe shuajnë zjarret”, thotë ai.
Kjo ka qenë e vërtetë që nga krijimi i brigadës së parë moderne të zjarrfikësve në Holandë në vitet 1670 dhe nuk pritet të ndryshojë së shpejti.










