Sali Berishës i ka shkuar ters kjo javë me amerikanët. Disa ngjarje të njëpasnjëshme kanë ekspozuar sërish faktin se ai është një politikan i sanksionuar “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Tersi filloi nga distancimi i Presidentit Trump nga LaCivita dhe ekipi i tij, përfshirë edhe vajzën e shefes së stafit të Shtëpisë së Bardhë, të cilët kanë lobuar për partinë proruse në Bosnjë, që kërkon shpërbërjen e Bosnjë-Hercegovinës dhe destabilizimin e Ballkanit.
Më tej vazhdoi me qëndrimet standarde të ambasadorit amerikan në Tiranë, i cili zbaton protokollin e sjelljes ndaj një politikani të sanksionuar.
E gjithë ajo që tentoi të bënte një muaj më parë u zhbë brenda një jave, edhe pse iu desh të paguante për një vizë me një hyrje në SHBA aq shtrenjtë, sa me ato para mund të fitonte një palë zgjedhje këtu.
Ky është një nga ato raste kur njerëzit paguajnë për gënjeshtrat ndaj vetes.
Sali Berisha, në këtë rast, tradhtoi veten dhe betejën e tij. Madje, pak më shumë, i qëndroi besnik gënjeshtrës me të cilën maskonte betejën e vërtetë.
Beteja e vërtetë e Sali Berishës kundër SHBA-së, pasi u sanksionua “non grata”, është një betejë e pashembullt politike në Shqipëri. Është një betejë reale, në të cilën ai nuk la asnjë mjet pa përdorur, që nga paratë e zeza të korrupsionit dhe shantazhet ndaj kundërshtarëve, deri te guximi politik për t’iu kundërvënë, një për një dhe me emra, zyrtarëve më të lartë të SHBA-së që e kishin shpallur “non grata”, që nga Sekretari i Shtetit deri tek ambasadorja amerikane në Tiranë.
Vetëm një gjë e kishte të gënjeshtërt dhe atë e kishte për të gënjyer demokratët. Arsyetimi se përse po zhvillonte betejë me SHBA-në maskohej me pretendimin se kjo ishte një goditje politike, e nxitur nga Sorosi, të cilën Presidenti Trump, kur të vinte në pushtet, do ta korrigjonte si një padrejtësi ndaj së djathtës në Shqipëri dhe një tradhti e Lulzim Bashës.
Vetë e dinte që ishte gënjeshtër, por i duhej t’i trajtonte demokratët si budallenj. Madje, për t’i mobilizuar, futi në thesin e gënjeshtrave edhe tradhtinë e Lulzim Bashës ndaj tij, çka nuk ishte e vërtetë. Meqë i duhej Partia Demokratike për ta përdorur si bunker ndaj sanksioneve dhe duhej ta flakte Lulzim Bashën, e futi edhe atë në spiralen e gënjeshtrave që shpiku për të justifikuar betejën e tij.
Vetë beteja e tij ishte një konfirmim i sanksioneve. Ai ishte ndëshkuar si minues i demokracisë në Shqipëri dhe, në fakt, po minonte procesin zgjedhor në Partinë Demokratike, duke zhvilluar një Kuvend paralel dhe duke hedhur në erë strukturat legjitime të partisë. Ai ishte shpallur “non grata” për korrupsion madhor dhe provoi se, me para të zeza, organizoi një parti paralele me PD-në, pa deklaruar kurrë asnjë qindarkë, edhe pse organizimi i eventeve kushtoi miliona dollarë.
Ai u sanksionua si shantazhues i sistemit të drejtësisë dhe, gjatë gjithë këtij procesi, e shantazhoi drejtësinë derisa e gjunjëzoi që t’i jepte edhe vulën dhe siglën e PD-së.
Pra, edhe sikur bosh të ishte dosja e Sali Berishës, mënyra se si ai u soll pas sanksioneve i konfirmoi ato.
Por duhet pranuar se guximi për të zhvilluar një betejë politike publike kundër SHBA-së ishte historik dhe do të mbetet gjatë si i tillë në Shqipëri, pasi nuk ka ende në horizont liderë antiamerikanë, përveç Arlind Qorit, i cili nuk po sheh ende ndonjë ditë të bardhë.
Dhe pikërisht kur e fitoi këtë betejë me SHBA-në, kur e dëboi Lulzim Bashën dhe mori zyrtarisht partinë nën kontroll, për t’i treguar SHBA-së se ose do të flisnin me të, ose lufta do të vazhdonte, ai tradhtoi veten dhe gënjeshtrat që i kishte thënë vetes dhe të tjerëve.
U përfshi në një histori të rëndë korruptive, duke paguar së paku gjashtë milionë dollarë për një vizë amerikane me një hyrje, që t’i gënjente shqiptarët se fabula që u kishte treguar, se Trumpi do t’ia hiqte shpalljen “non grata”, u realizua. Nuk është se e besoi njeri, përveç të vetëve, dhe nuk pati ndonjë përfitim tjetër veçse e pa edhe një herë SHBA-në para se të largohet nga kjo botë. Por, në mendjen e vet, e kishte përfunduar betejën kundër SHBA-së duke e “gjunjëzuar” atë. Këtë herë me para.
Zhvillimet e kësaj jave thjesht po e bëjnë të paguajë për gënjeshtrat e veta. Ai do të ishte shumë më dinjitoz dhe i respektuar nga të vetët sikur të mos dorëzohej pikërisht atëherë kur ia doli; të mos paguante për një vizë që nuk i hyn në punë askujt, vetëm për të gënjyer demokratët dhe veten se tani nuk është më “non grata”.
Një javë u desh që ai të bombardohej me ngjarje që e kanë çuar pozitën e tij më keq se në vitin 2021. Sikur të mos e kishte tradhtuar veten, së paku do të hynte në histori si një politikan që nuk gjunjëzohet nga presioni perëndimor apo amerikan dhe që ka aftësinë të ringrihet edhe përballë tyre.
Ky pazar në fund, pagimi i miliona eurove të padeklaruara dhe pastaj zëvendësimi i tij me Gazment Bardhin në përfaqësinë e shtetit amerikan në Tiranë, janë një ndëshkim më i rëndë sesa sikur Lulzim Basha ta kishte mbajtur vulën dhe drejtimin e partisë.
Sepse tani ka humbur edhe betejën që fitoi, edhe mundësinë për t’i gënjyer sërish demokratët me përralla që nuk i ka besuar as vetë.
Dhe ia ka nisur zanatit të vjetër, të sulmojë ambasadorin e radhës së SHBA, edhe pse 10 ambasadorë nuk mund të gabojnë.

