Sulmi i SHBA-ve dhe Izraelit, reagimi i Iranit dhe vdekja e Khamenei-t prek drejtpërdrejt interesat e Kinës, shumë më tepër se sa ishte rasti me kapjen e Maduron në Venezuelë. Në Pekin kishin kuptuar se situata po përkeqësohej, aq sa të premten autoritetet kishin kërkuar nga qytetarët kinezë të largoheshin nga Republika Islamike “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Të shtunën erdhi menjëherë edhe reagimi i parë dhe dënoi sulmet nga SHBA-të dhe Izraeli.
“Kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të operacioneve ushtarake dhe rifillimin e dialogut”, komentoi në mbrëmje Ministria e Jashtme.
Kritika ka pasur edhe për pretendimet amerikane mbi programin bërthamor.
“Shkelësit kryesorë të rregullave ndërkombëtare bërthamore janë SHBA-të”, tha ministria kineze.
Mediat shtetërore pohojnë se negociatat e ditëve të fundit ishin “vetëm një mbulesë diplomatike”, ndërsa objektivi i Donald Trump ka qenë “gjithmonë ndryshimi i regjimit”. Ky është një shqetësim për Pekinin, që kërkon respektimin e “sovranitetit kombëtar të Iranit”.
Prioriteti i parë i Kinës është ekonomik. Kina importon nga ajatollahët mbi një milion fuçi naftë në ditë: Rreth 80% të eksporteve të Teheranit, furnizuesi kryesor i fuqisë aziatike. Sipas disa analistëve, një pjesë e konsiderueshme e asaj nafte hyn në Kinë e etiketuar si “naftë e përzier malajziane”, ndërsa transaksionet bëhen përmes institucioneve më të vogla dhe jo bankave kryesore shtetërore.
Kjo i mundëson Pekinit të shmangë sanksionet dytësore të SHBA-ve. Pas kapjes së Maduros në Venezuelë, Kina rrezikon të humbasë një tjetër partner energjetik, shumë më të rëndësishëm se Karakasi dhe mbi të gjitha të humbasë çmimet e favorshme të garantuara nga Teherani, i cili varet nga eksportet drejt Kinës. Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit godet rëndë interesat kineze, që mund të detyrohen të rrisin importet nga Rusia, fituese potenciale e kaosit në Lindjen e Mesme.
Interesat e Kinës shkojnë edhe më tej. Irani është një pjesë kyçe e Iniciativës Rruga e Re e Mëndafshit dhe në 2020 ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi 25-vjeçare. Pekini ka premtuar të investojë 300-400 miliardë dollarë në gaz, transport, telekomunikacione, industri dhe infrastrukturë. Kohët e fundit është përfunduar një hekurudhë pjesë e Rrugës së Mëndafshit, duke krijuar një korridor logjistik alternativ në pjesë ndaj rrugëve detare.
Ka edhe një partneritet strategjik: Kina eksporton në Iran teknologji dhe pajisje ushtarake dhe, sipas Reuters, është afër një marrëveshjeje për raketa. Ndërkohë, prej disa ditësh një kompani kineze e inteligjencës po shpërndan imazhe satelitore të lëvizjeve të forcave amerikane në rajon. Teherani do një mbështetje më direkte, por Kina nuk ka ndërmend të përfshihet. Analisti kinez Wang Zichen thekson se reagimi i Pekinit do të mbetet kryesisht retorik, duke krahasuar komunikatën e së shtunës që shpreh “shqetësim të madh” për sulmet me gjuhën e zakonshme “jo praktike” të Bashkimit Evropian.
Kina ka shumë për të humbur edhe nga pikëpamja diplomatike. Ndryshimi i regjimit do të ngrejë pyetje mbi pozicionin e ardhshëm ndërkombëtar të Teheranit dhe mund të ndryshojë balancat në rajon. Jo vetëm kaq: Hakmarrjet ndaj bazave amerikane në Lindjen e Mesme po largojnë nga Irani vendet e rajonit. Kjo rrezikon të shkatërrojë përpjekjet e mëdha me të cilat Kina kishte fituar prestigj diplomatik në rajon, duke qenë nikoqire e marrëveshjes që i riktheu marrëdhëniet diplomatike midis Iranit dhe Arabisë Saudite në 2023. Më pas, Pekini ka marrë edhe rolin e zëdhënësit të vendeve myslimane për krizën e Gazës, duke insistuar për zgjidhjen me dy shtete dhe njohjen e Palestinës.
Ngjarjet në Iran mund të ndikojnë edhe në qëndrimin e sigurisë së Kinës, që në vdekjen e Khamenei (dhe Maduros) sheh nevojën për të përshpejtuar forcimin e arsenalit të vet bërthamor si masë strategjike mbrojtëse. Disa besojnë se lëvizjet e Trump kanë synuar pikërisht Pekinin, duke filluar nga interesat e tij energjetike. Pas kapjes së Maduros, politologu portugez Bruno Maçães kishte imagjinuar një skenar të “bllokadës energjetike amerikane, të ngjashme me atë kundër Japonisë para Luftës së Dytë Botërore”.
Në rrjetet kineze sociale, si Weibo, disa sugjerojnë se Trump ka dashur të tregojë gatishmërinë për të përdorur fuqinë ushtarake për të larguar udhëheqës të huaj të padëshiruar, si sinjal force, pasi vendimi i Gjykatës së Lartë mbi tarifat kishte dobësuar pozicionin e tij negociator ndaj Xi Jinping. Mos harroni se nga 31 marsi deri më 2 prill presidenti amerikan pritet në Pekin për një vizitë kyçe, edhe pse sipas Wall Street Journal nuk mund të përjashtohet që Xi të kërkojë shtyrje në rast të një eskalimi të mëtejshëm ushtarak në Lindjen e Mesme.
Nuk duhet harruar ndikimi i mundshëm në marrëdhëniet Kinë-Rusi. Në fillim të shkurtit, pas një takimi me sekretarin e Këshillit të Sigurisë të Moskës Sergej Shoigu, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi foli për “interesa të përbashkëta dhe respektive”. Një dallim jo i zakonshëm në vitet e fundit të partneritetit strategjik mes Pekinit dhe Moskës. Pavarësisht qëndrimeve zyrtare të përbashkëta, Kina (importuesi më i madh energjetik në botë) dhe Rusia (një nga eksportuesit kryesorë) kanë interesa strukturalisht të ndryshme mbi pasojat energjetike. Kina ka frikë nga përkeqësimi i kushteve të tregtisë në rast ndërprerjesh të konsiderueshme dhe të zgjatura të prodhimit global të energjisë, ndërsa eksportet energjetike ruse mund të përfitojnë shumë.
Ka edhe ata që shohin mundësi për Kinën. Retorikisht, konflikti mund të përdoret për të tallur etiketën “paqebërësit” të përdorur nga MAGA. Strategjikisht, konflikti i ri mund të reduktojë vëmendjen amerikane ndaj Azisë-Paqësorit. Gjatë muajve të fundit, Trump ka tërhequr dy njësitë raketore Patriot nga Koreja e Jugut për t’i rilokuar në Lindjen e Mesme. Pekini mund të shpresojë kështu për më shumë liri manovre në fqinjësinë e tij.
Në këtë fazë, problemet duken më të mëdha se mundësitë. Kaosi në Lindjen e Mesme është një hije e gjatë mbi “dy seancat” vjetore legjislative dhe këshilluese të sistemit politik kinez, që fillojnë të mërkurën, 4 mars, dhe janë të thirrura për të miratuar planin e ri pesëvjeçar 2026-2030.











