Rusia po i ofron Iranit të dhëna inteligjence mbi vendndodhjen dhe lëvizjet e trupave, anijeve dhe avionëve amerikanë, sinjali i parë ky sipas CNN i një përfshirjeje të heshtur të Moskës në konfliktin mes Republikës Islamike, SHBA-së dhe Izraelit.
Shumica e informacioneve që rusët kanë ndarë me Iranin ka qenë imazhe nga rrjeti i tyre i sofistikuar satelitor, tha një nga personat. Nuk është e qartë se çfarë po merr Rusia në këmbim për këtë ndihmë.
CNN thotë se i ka kërkuar koment Kremlinit dhe ambasadës ruse në Uashington. Gjithashtu nuk është e qartë nëse ndonjë sulm i vetëm iranian mund të lidhet me të dhënat nga Rusia, të raportuara për herë të parë nga Washington Post. Por disa dronë iranianë kanë goditur vendndodhje ku trupat amerikane kanë qenë pikërisht këto ditët e fundit. Një mjet ushtarak iranian pa pilot shënjestroi dhe një objekt të përkohshëm ku stacionoheshin trupat amerikane në Kuvajt të dielën, duke vrarë gjashtë ushtarë të SHBA-së. Një nga burimet e informuar mbi inteligjencën tha: “Kjo tregon se Rusia ende e do shumë Iranin.”
Shtetet e Bashkuara kanë po kështu informacione se Kina mund të jetë duke u përgatitur t`i japë Iranit ndihmë financiare dhe komponentë raketash, thanë tre persona të njohur me çështjen, pavarësisht se Pekini deri më tani ka qëndruar jashtë luftës. Kina mbështetet shumë tek nafta iraniane dhe thuhet se ka ushtruar presion mbi Teheranin për të lejuar kalimin e sigurt të anijeve përmes Ngushtices së Hormuzit.
“Kina është më e kujdesshme në mbështetjen e saj. Ajo dëshiron që lufta të përfundojë sepse kërcënon furnizimin e saj me energji,” tha një nga burimet. Rusia dhe Irani kanë bashkëpunuar të paktën gjatë tre viteve të fundit në teknologjinë e raketave dhe dronëve, me Iranin që i ka ofruar Rusisë dronë Shahed dhe raketa balistike me rreze të shkurtër për të goditur Ukrainën, si dhe ka ndihmuar në ngritjen e një fabrike masive dronësh brenda Rusisë për të prodhuar dronë të projektuar nga Irani.
Irani, nga ana e tij, ka kërkuar ndihmën e Rusisë për të fuqizuar programin e vet bërthamor, raporton CNN.











