Ndërsa Lindja e Mesme është përfshirë nga flakët e një konflikti të hapur mes Izraelit, SHBA-së dhe Iranit, fituesi i vërtetë i kësaj lufte mund të mos jetë asnjë nga palët në fushëbetejë, por Kina.
Sipas një analize të fundit nga The Economist, Pekini po ndjek një strategji gjakftohtë të “mosndërhyrjes”, duke parë se si rivali i tij kryesor, Amerika, po konsumohet në një tjetër “luftë të pafundme”.
Për çdo raketë apo miliardë dollarë që SHBA-ja shpenzon në Iran, vëmendja e saj largohet nga Indo-Paqësori. Kjo i jep Kinës “dorë të lirë” për të forcuar ndikimin e saj në Detin e Kinës Jugore dhe ndaj Tajvanit.
Raportohet se anijet tregtare në rajon po nxitojnë të deklarojnë lidhjet e tyre me Kinën për të shmangur sulmet. Kjo po e kthen Pekinin në “garantin e ri të sigurisë” në sytë e tregtisë botërore, pa pasur nevojë për ndërhyrje ushtarake. Ndonëse Perëndimi shpresonte se lufta do të tregonte dobësinë e Kinës në sigurimin e naftës, ka ndodhur e kundërta. Kina ka treguar rezistencë, ndërsa imazhi i SHBA-së si “polic i botës” po dëmtohet në sytë e Jugut Global.
Sipas analisteve Pekini po zbaton me përpsosmëri mësimin e lashtë të Sun Tzu-së: “Fitorja më e madhe është ajo që nuk kërkon betejë.” Për sa kohë që Uashingtoni mbetet i bllokuar në rërën e Lindjes së Mesme, rruga e Kinës drejt dominimit global mbetet e hapur dhe e papenguar.











