Gina Bisignano, ishte një personazh i pazakontë në mesin e protestuesve të 6 janarit në Capitoll Hill. Jo shumë nga protestuesit zgjodhën që të sulmonin godinën e parlamentit të veshur me çizme Chanel, triko Louis Vuitton dhe syze dielli firmato.
E megjithatë, shndërrimi i pronares së sallonit “Gina’s Eyelashes and Skincare” në Beverli Hills nga një qytetare në një kryengritëse, është simbol i koalicionit që është përgjegjës për trazirat e asaj dite. Sipas një artikulli të “Beverly Hills Courier”, bazuar në intervistat me zonjën Bisignano, para vitit 2016 nuk dihej shumë mbi bindjet e saj politike, përtej një kundërshtimi të vendosur të abortit.
Pastaj ajo u bë gjithnjë e më shqetësuar, për “pedofilët që kontrollonin qeverinë”.Kur u shfaq pandemia, ajo nisi të marrë pjesë në tubimet javore kundër bllokimit, dhe u bë shumë e zëshme në mbështetjen e saj për Donald Trump.
Kur ky i inkurajoi njerëzit të shkonin në Uashington për të kontestuar certifikimin e zgjedhjeve presidenciale, të cilat ai i kishte humbur, Gina shkroi në Twitter:“Unë do të jem atje”. Mendimet me natyrë konspirative të zonjës Bisigano dhe mbështetja e saj e fortë për Trump, krijuan bazën që ajo të niste të vepronte si një zëdhënëse e fantazive të kryengritësve të ekstremit të djathtë.
Kur turma hyri në Capitol, ajo ndezi megafonin e saj për të nxitur “patriotë e fortë dhe të zemëruar, të ndihmonin ata që ishin brenda ndërtesës, duke deklaruar:“Ky është viti 1776!”. Historia e zonjës Bisignano mund të duket si tipike amerikane.
Tek e fundit ajo e sulmoi parlamentin amerikane, me inkurajimin e një presidenti amerikan të mundur në zgjedhje. Por forca e ekstremit të djathtë ka ardhur duke u rritur edhe në nivel global. Sipas një raporti të OKB-së,midis viteve 2015-2020, numri i sulmeve nga ekstremi i djathtë në të gjithë botën është trefishuar.
E djathta ekstreme ka forcuar radhët e veta, duke rekrutuar mbështetës falë populistëve të djathtë dhe teoricienëve të konspiracionit, të ndihmuar kohët e fundit edhe nga pakënaqësia e shkaktuar nga pandemia dhe përpjekjet për ta vënë atë nën kontroll.
Më 22 shkurt 2021 Sekretari i Përgjithshëm i OKB, António Guterres, e quajti terrorizmin e bardhë-supremacist “një rrezik të madh dhe në rritje”. Rruga që e çoi një biznesmene të zakonshme në një përpjekje për të përmbysur qeverinë e saj, po shkelet gjithnjë e më shumë në të gjithë botën.
Dhjetë vite qëkur Anders Breivik planifikoi në detaje dhe kreu vrasjen e dhjetëra të rinjve në Norvegji, ekstremizmi i krahut të djathtë është bërë vërtet ndërkombëtar. Problemet shqetësuese lokale, ndërthuren me narrativat transnacionale në internet, në lidhje me “eliminimin” e afërt të racës së bardhë.
Një panteon “shenjtorësh” ekstremistë, përgjegjës për mizoritë e shumta,nderohen me biografitë dhe fotot e tyre, teksa manifestet që ata kanë shkruar janë përhapur në platforma të tilla si “8kun” dhe “Telegram” për të frymëzuar veprime të ngjashme.
Ekstremistët e ekstremit të djathtë, të bashkuar nga ideologjia e “viktimës së bardhë”, udhëtojnë nëpër botë per festivalet e muzikës, kampionatet e arteve marciale, për marshime apo kampe stërvitore. Madje disa prej tyre janë angazhuar në të dyja palët në konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës.
Ashtu si në Amerikë, pandemia i ka dhënë këtyre grupimeve energji, dhe i ka ekspozuar para një publiku të ri. Po kështu ka ndodhur edhe me sulmet e Kapitolit. Për amerikanët, ngritja e flamurit të Konfederatës,që përdorej në jug gjatë Luftës Civile Amerikane, në sallat e Capitol Hill më 6 Janar provokoi tmerr. Gjermanëve duhet t’u jetë dukur një skenë shumë e njohur.
Më 29 gusht 2020, qindra protestues u përpoqën të sulmojnë parlamentin gjerman. Ata u ndalën në hyrje nga policia, por jo para se Reichskriegsflagge, flamuri i Gjermanisë Perandorake, i përdorur nga të djathtët neo-nazistë, të shihej duke u valëvitur para simbolit të demokracisë gjermane të pasluftës.
Sapo u pushtua Capitoll Hill në SHBA, bisedat në rrjet midis ekstremistëve gjermane, ishin plot thirrje për të sulmuar sërish parlamentin. Në janar, Facebook dhe Twitter fshinë disa llogari të forumeve ekstremiste por edhe teori konspirative, ndërsa Parler, një klon i Twitter i përdorur nga e djathta, u mbyll përkohësisht.
Studiuesit e kaluan pjesën më të madhe të vitit 2020, duke paralajmëruar se vështirësitë ekonomike dhe kufizimet qeveritare për shkak të pandemisë, po krijonin një audiencë të gatshme të dëgjojë teoricienët e konspiracionit dhe ekstremistët e ekstremit të djathtë.
Që ta dyja këto grupime kanë qenë shumë aktive në internet, dhe kanë organizuar protesta kundër bllokimit, duke ofruar shpjegime konspirative mbi situatën që ka krijuar pandemia. Kështu, për virusin dhe përhapjen e tij u fajësuan hebrenjtë, kinezët ose emigrantët, ndërsa sipas tyre bllokimet u vendosën nga një elitë globaliste, që synon të çojë më tej planet e saj.
Sipas sondazheve të kryera nga Yougov dhe Datapraxis në emër të organizatës “Hope not Hate”në Hungari, 45 për qind e njerëzve besojnë se elitat po e inkurajojnë qëllimisht emigracionin për ta dobësuar Evropën. Kjo është e ngjashme me teorinë e “zëvendësimit të madh”të ekstremit të djathtë, që pretendon se hebrenjtë po dërgojnë më shumicë emigrantë në Evropë për të shkatërruar racën e bardhë.
Një proces i ngjashëm ishte i dukshëm edhe tek trazirat e Capitolit Hill, i ndihmuar nga Donald Trump dhe nxitësit e tij, që mbështesin ende konceptin e zgjedhjeve“të vjedhura”. Përkrahësit e MAGA-s u përzien me supremacistët e bardhë, dhe ithtarët e QAnon, që të gjithë të bashkuar nga një mendim konspirativ.
Koalicione të tilla ishin formuar edhe më herët. Edhe para se të ngjitej në pushtet Donald Trump, partitë populiste në të gjithë botën patën sukses duke shfrytëzuar ankesat shpesh pjesërisht të ligjshme por të drejtuara gabimisht, të atyre që ndiheshin të injoruar nga politikanët.
Kur goditi pandemia, disa parti të tilla si Partia e Lirisë në Austrisë dhe LEGA NORD në Itali u thanë mbështetësve të tyre se fajtorë për situatën ishin emigrantët. Ndërsa bllokimet vazhdonin, populistët inkurajuan protesta kundër politikave qeveritare.
Kjo krijoi një terren pjellor për teoritë e konspiracioni. Rritja e QAnon është një shembull ekzemplar në këtë drejtim. Dikur një teori tërheqëse kryesisht për amerikanët, gjatë pandemisë ajo u përhap deri në Japoni, duke përfshirë të gjitha shqetësimet lokale kudo që depërtoi.
Versioni i secilit vend tenton të ndjekë konture të ngjashme:një grup agjentësh në hije që tërheqin fijet në prapaskenë duhet që të mposhten (Shteti i Thellë i Amerikës do të jetë i pari që do zhduket). Madje, disa njerëz nëpër botë besojnë se Trump po udhëheq një fushatë çlirimtare kundër një shteti të thellë transnacional. /abc