Zbardhen të tjera detaje në lidhje me atentatin ndaj 41-vjeçarit mbrëmë në Vlorë. Gazetari Enrik Mehmeti raportoi në një lidhje live për News24 se autorët e vrasjes së Laert Keka mund të ketë përdorur një armë me silenciator, ndërsa mendohet se ata kanë qenë vrasës me pagesë.
Ata kanë goditur motorin me makinë tip ‘Audi’, motomjeti është rrëzuar. Në tentativë për t’i shpëtuar autorëve, viktima ka ikur me vrap në këmbë, por nuk ka mundur t’i shpëtojë plumbave. Autorët, të cilët mendohet të kenë qenë 2-3 persona, një prej tyre ka qëlluar në drejtim të 41-vjeçarit, ku disa prej plumbave kanë qenë në kokë, duke i shkaktuar vdekjen.
Ndërkohë, deri më tani 10 persona janë shoqëruar në polici, mes tyre persona që kanë qenë të përfshirë në një ngjarje të rëndë ku ishte përfshirë viktima 10 vite më parë. Bëhet fjalë për një grabitje që përfundoi në vrasje, krim për të cilin u dënua autori me 10 vite burg, i cili asokohe e mori përsipër 41-vjeçari. Gazetari po ashtu bëri me dije se ‘Audi’ që u gjet i djegur në aksin ‘Kotë-Sevaster’, dyshohet se është përdorur për një tjetër atentat në veri të vendit.
Nga hetimet paraprake, pista kryesore ku po heton policia, është ajo e hakmarrjes, por nuk përjashtohen edhe motivet e tjera.