Nga Gjon Ndreja
Lidhur me thelbin dhe përmbajtjen e protestës jam shprehur edhe më parë, si një protestë me kërkesa përgjithësisht të drejta dhe në thelb të arsyeshme, ashtu si edhe të realizueshme pa ndonjë kosto të madhe për shoqërinë shqiptare. Më vjen mirë ta nënvizoj dhe ta them që në krye të herës se protesta e studentëve është një model i shkëlqyer i qytetarisë, që përgjithësisht ka demonstruar standarde të larta qytetare dhe aspak shenja dhune apo eksese, përjashto këtu në ato raste si në bllokimin e “Zogut të Zi“, që ashtu siç është vërtetuar edhe nga mediet, ishte vepër e partive politike dhe jo e studentëve. Por ajo që më bën përshtypje nga e gjitha kjo, si dhe nga reagimi i palëve në “konflikt“ nuk mund të mos tërheqin vëmendjen disa dukuri interesante si:
Si mushka
Duke i pranuar si të drejta kërkesat e studentëve, qeveria ka pranuar se është gati t’i plotësojnë ato me kushtin e vetëm që studentët të dialogojnë me qeverinë për modalitetet se si do të zgjidhen këto kërkesa. Madje qeveria është treguar e gatshme që plotësimin e kërkesave të studentëve ta avancojë edhe më tej, duke ndërmarrë me këtë rast hapa edhe më të thella për të shëndoshur gjendjen në universitete. Në këndvështrimin tim kjo kërkesë e qeverisë, është më se arsyeshme dhe duket se synon për zgjidhje afat gjata dhe të qëndrueshme në këtë fushë. Drejtësia e kërkesës për dialog u konfirmua edhe në bashkëbisedimin e kryeministrit me studentët në një emision televiziv “Top-Shoë”, ku studentët, përveç tetë kërkesave, parashtruan edhe probleme të tjera që duhen adresuar dhe kërkojnë zgjidhje. Në kushtet e mungesës së organizatorëve dhe e mënyrës së se si është konceptuar kjo protestë, është e vështirë të nxirren përfaqësues për të negociuar me qeverinë.
Protestat ka fillua si spontane nga fakultetit i inxhinierisë së ndërtimit dhe asaj i janë bashkëngjitur edhe studentët e tjerë. Ajo nuk ka një komision organizator ose udhëheqës ( të paktën siç është bërë e ditur nga vetë studentët), madje këtë studentët e përbuzin me arsyetimin dhe drojen se një përfaqësi e tillë mund të korruptohet nga qeveria dhe të dështojë qëllimin e protestës. Në këtë pikë studentët janë shfaqur se kërkesat e tyre nuk mund të negociohen dhe as kanë nevojë për dialog. Në thelb kjo përbën një ultimatum gjë e cila nuk është karakteristike për demokracinë. Nga ana tjetër qeveria si do që ka reflektuar nëpërmjet kryeministrit se ajo dhe opozita kanë marrë mësime të çmuara nga protesta, përsëri këmbëngul si mushka dhe nuk jep shenja për t’i zbatuar kërkesat e studentëve, duke i paralajmëruar ata që të vazhdojnë të qëndrojnë në rrugë. Në këtë pikëpamje fjala “ngul këmbë si mushka” më duket se është e përshtatshme për të dy palët dhe që në fund ka kuptimin që të mbetesh në vend dhe të mos ecësh përpara.
Gjëja më ideale do të ishte një bashkëpunim i studentëve me qeverinë për të zgjidhur këtë ngërç dhe pse jo për të hedhur hapa edhe më të rëndësishëm për shëndoshjen e gjendjes në universitete për të administruar më mirë “autonominë” e tyre por edhe për ti përcjellë e mbështetur edhe financiarisht zhvillimet nga ana e qeverisë. Por në kushtet e këmbënguljes si mushka të palëve, mendoj se qeveria edhe pa prezencën e studentëve duhet të hedhë pa vonesë hapin e para, për të plotësuar kërkesat e pranuara prej saj sipas modaliteteve që mund të përftohen edhe në bashkëpunim me senatet e universiteteve. Një mënyrë tjetër për ta zëvendësuar disi dialogun e munguar të studentëve, mendoj se mund të jetë, që zgjidhjet e ofruara nga qeveria për kërkesat e studentëve, të publikohen paraprakisht në portalet e MASH apo qeverisë, në mënyrë që studentët por edhe qytetarët dhe stafi akademik të shprehin mendimet e tyre për modalitetet e realizimit të zgjidhjeve dhe kësisoj qeveria të marrë reagimin e nevojshëm përpara miratimit të paketës ligjore.
Astiri u harrua…
Përpara disa ditësh krye lajm në të gjitha mediet ishte prishja e ndërtimeve pa leje në “Unazën e re” ku protoganistë të lajmit ishin qytetarët e prekur nga këto masa dhe mbështetja që atyre u dhanë partitë e opozitës. Si do që kjo çështje nuk ka marrë asnjë zgjidhje në favor të qytetarëve të prekur nga kjo masë, tashmë ajo është harruar, si do që opozita u përpoq ta kthejë atë në kauzë të sajën, falë edhe skandalit me firmat fituese që kishin falsifikuar dokumentet e tenderit. Qytetarët tashmë janë braktisur nga opozita, pasi protesta e studentëve ishte si e “rënë nga qielli” për opozitën, e cila vrapoj ta privatizojë. Por falë studentëve ata u përzunë dhe mundën ta mbajnë të pastër kauzën e protestës përjashtuar ndonjë ndotje periferike.
Pavarësisht se protesta e studentëve është mjaft e rëndësishme për çështjet e arsimit të lartë, për vetë kërkesat që ajo parashtron nuk mund të thuhet se ka ndonjë vlerë themelore për interesat kombëtare aktuale( e di se ithtarët e protestës do të më sulmojnë në këtë pikë).Pavarësisht të një pjesëmarrje të reduktuar të qytetarëve,apo mesazheve të kufizuara të protestës, mbulimi mediatik ka qenë i jashtë zakonshëm. Them i jashtë zakonshëm për shkak të prezencës së medieve vizive dhe transmetimit të drejtpërdrejtë të protestës gjatë 24 orëve. Sapo të hapësh televizorin do të shfaqen pamjet nga protesta dhe të gjitha stacionet transmetojnë të njëjtin mesazh; studentët janë ngritur në protestë, kanë paraqitur tetë kërkesa,qeveria i fton në dialog, studentët nuk pranojnë dhe gjithë ditën e ditës ky refren.
Gazetarë na terreni, në ekstazë të plotë amplifikojnë lajmet dhe ngjarjet duke na bërë të besojmë dhe duke paralajmëruar nën zë dhe duke na lënë në ankth, se së shpejti diçka shumë e rëndësishme do të ndodhë. Tashmë megjithëse kjo protestë është në ditën e tetë të saj duket se nuk po prodhon më asnjë lajm. Komentues të shumtë, opinionistë të gjitha partive dhe qarqeve që i kanë financuar dhe që të trembur se po rrezikojnë financimet e ardhshme, nuk ngurojnë të paralajmërojnë qeverinë dhe kryeministrin që të japë dorëheqjen. Të tjerë opinionistë të frustruar dhe të dështuar nuk vrapojnë të ngazëllehen dhe të fërkojnë duart, e të shprehin mllefin e tyre ndaj qeverisë me shpresën se tashmë qeveria ra dhe po shikojnë mundësinë se kujt ti bashkëngjiten. Mua më ngjan, se më shumë se rënien e qeverisë të cilën nuk e kërkojnë as studentët, kjo qasje e medieve paralajmëron rënien e tyre. Partitë politike kanë kaluar në “ilegalitet” dhe tentojnë të penetrojnë tek protesta me qëllim që të përvetësojnë rezultatet e saj për qëllimet e tyre. Çuditërisht edhe senati i Universitetit të Tiranës i “lau duart” si Ponc Pilati dhe “ishte gati të plotësonte kërkesat e studentëve” duke i konsideruar ato si të drejta. O turp, ku e ke skuqjen !
Pa vonesë
Pa vonesë duhet që qeveria të mblidhet dhe të shqyrtojë situatën duke përcaktuar edhe zgjidhjet e mundshme, në dialog me studentët ose në pamundësi me strukturat universitare duke i garantuar studentët për plotësimin e kërkesave të tyre, që vetë ajo i konsideruar të drejta. Pa vonesë duhet që studentët t’u kthehen auditorëve dhe të ndjekin plotësimin e kërkesave nga qeveria. Pa vonesë duhet që qeveria të ndërmarrë hapa seriozë duke kërkuar mbështetjen e studentëve për të ç’rrënjosur korrupsionin në universitete, i cila ka përmasat e korrupsionit në gjyqësor. Pa vonesë qeveria duhet të ndërmarrë hapa për pastrimin e stafeve akademike nga “hajdutët” e doktoraturave dhe titujve shkencorë.
Pa vonesë qeveria duhet të përpunojë politika për të mundësuar dhe favorizuar ndjekjen e studimeve për studentët ekselentë por edhe për ata që janë në pamundësi ekonomike dhe në kushtet e varfërisë. Pa vonesë qeveria duhet të ndërmarrë hapa “duke shkelur” autonominë e universiteteve për të mundësuar funksionimin e kartës së studentit. Dhe së fundi pa vonesë qeveria duhet të rishikojë autonominë e universiteteve veçanërisht atë financiare jo në sensin për ta zgjeruar po për ta kufizuar atë, pasi përvojat po tregojnë se ajo është shpërdoruar dukshëm dhe universitetet nuk janë në gjendje për t’a administruar atë.