Po nëse e keni ndarë mendjen dhe nuk e keni thjesht narracion Republikën e Re niseni nga vetja që t’ju ndjekim me besim. Bëjeni fillimisht duke dorëzuar çdo përfitim nga ky sistem që ishte dhe është më shumë juaji, se imi dhe të tjerëve. Se sa herë mendoj:- që ja u dogj Shqipëria, me del në imagjinatë Artan Fuga që shkruan statuse nga Parisi dhe plot të tjerë që do shohin si shkojmë për lesh ne të gjithë nga televizori i madh, ata vetë në vilat e bukura dhe panoramike.
Nga Mira Kazhani/
Të vret veshin kur dëgjon thirrje kundër sistemit të sotëm nga të gjitha ata që e ngritën sistemin. Ku nuk ka dyshim që ky sistem nuk është prej engjëlli dhe as prej floriri. Ka ndryshk e bakër edhe plot mëkate. Si kudo dhe siç ndodh prej shekujsh. Bota nuk ka qenë asnjëherë e kulluar dhe intrigat nuk u shpikën sot. Por të ulësh e të shash Ti që veç ke përfituar nga ky sistem është të shkulësh flokët!
Të gjithë pagatorë e të paguar me bulmetin e kësaj Republikës së vjetër dhe sot meqë kanë humbur pushtet, akses dhe nuk po marrin aq shumë para po shiten ekraneve si idealistë e revolucionarë. Para se të rrëzoni sistemin, falini dhe vilat tuaja, makinat e shtrenjta, se i keni bërë në këtë sistem qelbanik që duhet ta mposhtë Republika e Re. Jepuani të varfërve që ka shtypur Edi Rama! Bëjeni simbolikën e betejës tuaj morale, që më pas t’ju ndjekë dhe populli!
Në fakt kur jeton në vila dhe vetëm nëpër dreka me verë të shtrenjtë të mërzitet jeta pak dhe ke nevojë për ngjarje në qytet. Është pak a shumë si me një histori të vogël që po ua rrëfej edhe si ilustrim:
Para disa javësh pata ditëlindjen dhe meqë nuk kisha bërë as pushime në verë, as në dimër, qoftë edhe një fundjavë, vendosa që t’i dhuroja vetes tre ditë pushim. Udhëtimi nuk ishte aq shkëlqyes sa dukej në Instagram, sepse humba kuletën tek H&M duke blerë një veshje për shkak se tersi ishte me bollëk sapo zbritëm në aeroport, kur mësuam se valixhet vinin ditën tjetër. Udhëtimi shkoi mirë pavarësisht se nuk bleva dot as dy bluza tek H&M dhe me shoqet shijova shëtitjen nëpër dyqane, bare dhe restorante. Në shëtitje e sipër për kuriozitet u futëm tek Shtëpia e Hermes.
Nga natyra dhe profesioni jam vetëm kurioze, dashtë Zoti bëhem edhe e pasur si shumë të tjerë në këtë vend po për momentin shijoj pamjet. Shtëpia e Hermes ishte e mbushur me aziatikë, arabë edhe europianë tek tuk. Blinin çanta 10 mijë euro. Një shall i hollë, që as nuk më pëlqen edhe po të ma falnin kushtonte sa një rrogë e majme mujore në Shqipëri. Ato shapkat e famshme Hermes ishin në të gjithë ngjyrat. Janë koti fare për shijen time, po gratë dhe vajzat e pasura i blejnë për status,- më thonë. Deri në këtë pikë jemi okay, sepse kur nuk je i pasur nuk mund t’i kuptosh disa rite dhe maraze mode. Ama shoqja ime, e cila nuk para lexon shumë libra dhe nuk i ka përzemër filozofitë për jetën, por që ka një ndriçim popullor për t’u pasur zili tha perlën e udhëtimit: “Ore, mirë ishte aty te Hermes, po njerëzit pse ishin të gjithë aq të mërzitur. Blinin një shalë kali 12 mijë euro, një çantë 20 e kusur, shapkat në të gjitha ngjyrat dhe mbanin turinjtë varur sikur t’u kishte rënë halli më i madh i botës?!”
Njerëz të bezdisur nga jeta e mirë. Të vrenjtur, të ngrysur, pa asnjë shprehi fytyre, tërë kohës uf-buf. Sikur sapo kishin dalë nga frigoriferi. Të ngrirë! Paguanin me kartat e kreditit dhe nuk ju qeshte buza. Ndërsa ne me kuletë të humbur, të veshur me Zara dhe H&M shëtitëm dyqan më dyqan dhe nuk u mërzitëm për ato gjërat luksoze, që përvese nuk i blinim dot, as nuk na pëlqenin.
Historiza që ju thashë më lart ka një lidhje me ata, që sot dalin dhe flasin kundër sistemit dhe që duan një Republikë të Re. Ngjajnë shumë me klientët e shtëpisë Hermes. Ju ka ardhur në majë të hundës kjo Republika që i bëri me vila, ju dha pushtet, sharm, histori paralele, fuqi, i bëri madje edhe të paprekshëm. Ke të drejtë të mërzitesh me jetën e mirë dhe vikërka një moment që ashtu si klientët e shtëpisë Hermes nuk të gëzon më asgjë. As e dashura, as gruaja, as vera e mirë, as miqtë hokatarë, as makina, as udhëtimet, as librat që lexon apo boton. Asgjë! Kërkon të jesh pjesë e historisë dhe meqë jetën e ke xham kërkon sherr. Se ndryshe nuk mund të shpjegosh dalldisjen e atyre, që sot i kanë fryrë kokën kryetarit demokrat se gjuha e dhunës, mos bindja civile, me shpirt lufta, është ajo që i duhet vendit ose atyre dhe atij! Nuk jam e sigurt se flasin për Shqipërinë edhe kur nuk kanë kamera përpara.
Luftë? Po për çfarë? Çfarë është kjo Republika e Re njëherë? Kanabisi do thoni? Do zhdukë Kanabisin? Po tjetër kë do zhdukë? Se i bie të shfarosen të parët këta që flasin. Se ju që lexoni, ju vret ndërgjegjen kur vononi të paguani kredinë apo dritat e shtëpisë. Po nuk e dini çfarë ndodh në këtë planetin e “dijetarëve”!
Kthehem tek kanabis, se për atë jam plotësisht dakord. Shqipëria është mbjellë në kanabis! Po si zgjidhet kjo? Kush ia pa hajrin revolucioneve. Me dhunë? Me linçim? Është tmerruese ajo që artikulohet ekraneve dhe nëpër rrjetet sociale. Sepse sidomos linçimi është bërë mjet për të mposhtur çdokënd, që guxon të mbrojë një anë që nuk është e tjetrit. Kuptohet kush bie në kurth, se ka që nuk dëgjojnë nga ai vesh dhe kanë ndaluar edhe screenshot-tet .
Pas linçimit vjen edhe dhuna. Dhuna po kthehet në alternativën e Republikës së Re. Jetojmë në një vend te vogël sa një bonbone. Në një vend ku nuk ka nevojë të sillemi si njerëz kaq të mëdhenj e të rëndësishëm. Jemi shumë më të vegjël nga çfarë delirojmë. Jemi shumë më pak të rëndësishëm kur bëhemi qesharak duke çliruar opsione dhune. Sot është 9 Maji, dita e Europës. Kjo bonbonia jonë Shqipëri nuk ka asnjë derë më të mirë sesa Europa.
Skënderbeun, ndaj historia e mbajti me të mirë, sepse më shumë sesa i fortë ishte një strateg e diplomat, ishte një Europian. Po të qe për dhunë e forcë nuk e mbante asnjë ditë në kontroll këtë tokë. Nuk kemi asnjë mundësi veç Europës. Shqipërinë nuk e duam kur na mungojnë lekët apo pushteti dhe nuk mund ta shkatërrojmë, se nuk na frymëzon më as pasuria që kemi vënë, se na ka zënë depresioni i jetës së mirë pa halle, se bie dëshira për seks dhe duhet veç një fabul për të shtyrë jetën dhe debatet televizive, kafet dhe tavolinat e Tiranës. Nuk mund ta urresh Shqipërinë sepse je në opozitë dhe ke ngut për të qenë prapë në pushtet. Duro dhe prit. Rritu me alternativë dhe jo duke thyer xhamat. Jemi thyer kushedi sa herë, zemrash, copash…
E kam kaluar adoleshencën spitaleve me vëllain e plagosur në ’97-ën nga një plumb qorr në ajër. Më vonë erdhi Fakulteti dhe puna për të mbajtur veten se kështu e kemi në jabanxhinjtë e Tiranës, ne të rretheve kemi ardhur me -50 milion në kryeqytet –thotë një shoku im. Po vështirësive nuk kemi pse ju fshihemi, as pse ju krenohemi. Për askënd nuk ka qenë jeta e lehtë në Shqipëri.
Vetëm kjo dekada e fundit ka sjellë një ajër Europë dhe sikur ka lëvizur disi ora e vjetër. Jemi bërë më të njohur. Jemi vend anëtar në NATO, lëvizim lirshëm nëpër Europë. Vitin që shkoi morëm pjesë në Kampionatin Europian të futbollit. Refugjatët e dikurshëm janë bërë njerëz të suksesshëm. Politikanët vishen më mirë sesa dikur, flasin anglishte më të mirë sesa dikur. Ushqehemi më mirë. Biznesmenët janë dobësuar dhe bëjnë vrap te liqeni. Kemi supermarkete më të mirë. Pastaj kemi një lumë hallesh, një mal me beteja kundër korrupsionit, padrejtësive dhe pamundësive, për të cilat duhet luftuar çdo ditë dhe jo me fushata, dhe sidomos pa nevojën e dhunës.
Druaj se gjuha e vrazhdë, veshur me mesazhet e dhunës së kryetarit demokrat Lulzim Basha, nuk i bën mirë një shoqërie ku ende ka burra që i hedhin gratë nga ballkoni, i varin për këmbësh si lepuj dhe i vrasin në gjakftohtësi.
Ka kohë që civilizimet nuk vijnë më nga shkatërrimet. Shqipëria është shkatërruar kushedi sa herë. Pse duhet ta grisim prapë?! Është e lodhur duke e nisur jetën nga e para. Mundemi ta bëjmë me oferta dhe propozime. Mundemi ta bëjmë me mjetet e demokracisë dhe jo të rrugës. Të kërkosh ta çosh ne fund se do ta ribësh ti që ishe në të gjitha herët kur ajo po bëhej, është veç një tekë absurde dhe diabolike. Jeni pak me vonesë, po nuk keni edhe faj.
Duan punë vilat për t’u mirëmbajtur. Po udhëtimet? Jetët paralele që të hanë shumë kohë e shpirt. Bëhet e mërzitshme çdo gjë në një periudhë të caktuar të jetës dhe nuk të ngacmon gjakun asgjë, veç gjakut! Po nëse e keni ndarë mendjen dhe nuk e keni thjesht narracion Republikën e Re niseni nga vetja që t’ju ndjekim me besim. Bëjeni fillimisht duke dorëzuar çdo përfitim nga ky sistem që ishte dhe është më shumë juaji, se imi dhe të tjerëve. Se sa herë mendoj:- që ja u dogj Shqipëria, me del në imagjinatë Artan Fuga që shkruan statuse nga Parisi dhe plot të tjerë që do shohin si shkojmë për lesh ne të gjithë nga televizori i madh, ata vetë në vilat e bukura dhe panoramike./TiranaPost