Bëhet fjalë për datën 23 mars 2017 gjatë një debati në parlament. Në të njëjtën periudhë, hetuesit e njësisë speciale të prokurorisë së Catanias kopsisnin dosjen e 4 vjet përgjimeve ambientale dhe telefonike të bandës së Habilajve që trafikoi në Itali 3.500 tonë drogë. Në këtë dosje, thuhej se kushëriri i Tahirit, Moisi Habilaj, i kishte bërë një dhuratë prej 30 mijë eurosh ish-ministrit të Brendshëm.
Kujtojmë se në këtë debat të madh pas publikimit të dosjes hetimore të Habilajve, Rama e ka mbrojtur gjithnjë publikisht ish-ministrin e tij. Madje, Saimir Tahiri u shndërrua në shtyllën ku kreu i qeverisë mbështeti të gjithë kredibilitetin e qeverisë së vet. Shpesh herë në daljet publike kryeministri e ka cilësuar Tahirin si ministrin ‘kampion’ duke marrë shkas edhe nga aksioni antidrogë në Lazarat, ku u asgjësuan parcela me kanabis.
Atëherë çfarë ndodhi që Rama “e shiti” Saimir Tahirin, duke mos e rikandiduar në postin e ministrit të Brendshëm? Burime të shumëfishta i thanë GSH.al se roli i faktorit ndërkombëtar ishte vendimtar në këtë surprizë të Edi Ramës. Madje, njerëz të afërt me kreun e PS-së thanë se Rama ka insistuar deri në fund për mosshkarkimin e tij, por u detyrua të marrë vendimin drastik më 11 mars 2017. E vërteta është se ai vendimin e kishte marrë më parë. Kujtojmë se Tahiri u shkarkua nga detyra e ish-ministrit të Brendshëm më 11 mars të vitit 2017
HETIMET
Ish-ministri i Brendshëm u vu nën hetim nëntorin e vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën organizatën e vëllezërve Habilaj. Në përgjimet e kryera, emri i zotit Tahiri përmendej disa herë në bisedat mes trafikantëve. Prokuroria kërkoi me urgjencë arrestimin e tij, por shumica e majtë, refuzoi kërkesën duke pretenduar se ajo nuk kishte paraqitur asnjë prove. Në maj të vitit 2018, zoti Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit. Menjëherë më pas prokuroria kërkoi sërish arrestimin e tij. Zoti Tahiri kaloi një periudhë të shkurtër në arrest shtëpie, derisa më pas Gjykata e Apelit lejoi hetimin e tij në gjendje të lirë, hetim i cili u mbyll në vitin 2019.