• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, August 30, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Si e vrau algoritmi protestën qytetare në Tiranë

Refleksione mbi një protestë që me algoritmin i kaloi kufijtë e Shqipërisë.

by Flogert Muça
30/08/2026 10:59
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Flogert Muça

Në ditën e 91-të, flamingot vazhdojnë protestën. Por ku janë qytetarët?

Protesta e flamingove në Tiranë ka hyrë në ditën e 91-të. Ajo vazhdon. Çdo ditë ka pamje, video, deklarata, transmetime live dhe postime në rrjetet sociale. Falë algoritmit, pamjet e saj kanë kaluar prej kohësh kufijtë e Shqipërisë.

Por nëse e lë telefonin mënjanë dhe shkon në shesh, sheh një realitet tjetër. Qytetarë pothuajse nuk ka. Ata që kanë mbetur janë aty. Dhe pas çdo mbrëmjeje bëjnë të njëjtën thirrje: “Nesër më shumë!” Por nesër, në fakt, janë më pak. Këtu fillon pyetja e vërtetë.

Jo nëse protesta kishte arsye për të nisur. Jo nëse qytetarët kishin të drejtë të protestonin. Sigurisht që kishin. Fakti që qytetarë të Tiranës dolën në shesh duhet të ishte dhe duhet të mbetet një kambanë për politikën dhe qeverisjen.

Por pas 91 ditësh pyetja është tjetër:
Si është e mundur që një protestë të vazhdojë të jetë kaq e pranishme në rrjet, ndërsa bëhet gjithnjë e më pak e pranishme në qytet?
Përgjigjja gjendet te një dallim që politika në Tiranë ende nuk e ka mësuar mirë: dallimi mes vëmendjes dhe mbështetjes.

Yuval Noah Harari e shpjegon mekanizmin e rrjeteve sociale thjesht. Algoritmi nuk është ndërtuar për të matur sa njerëz besojnë te një kauzë. Ai mat sa njerëz reagojnë ndaj saj. Dhe këto janë dy gjëra krejt të ndryshme.

Mund ta shohësh një video sepse je dakord. Mund ta shohësh sepse je kundër. Mund ta hapësh sepse të zemëron. Mund ta shpërndash për ta mbështetur, por edhe për ta ironizuar. Për algoritmin kjo ka pak rëndësi. Ti reagove. Dhe reagimi është karburanti i tij.

Flamingot ishin pothuajse simboli perfekt për këtë epokë. Të pazakontë, fotografueshëm, ironikë, të dallueshëm dhe lehtësisht të kthyeshëm në meme. Një flamingo rozë në mes të Tiranës udhëton në internet shumë më shpejt sesa një qytetar që për pesë minuta shpjegon hallin e tij.

Kështu protesta fitoi atë që sot është monedha më e shtrenjtë e rrjeteve sociale: vëmendjen.
Por vëmendja nuk është domosdoshmërisht mbështetje.

Dhe këtu filloi problemi.

Në ditët e para, kurioziteti, pakënaqësia dhe rrjetet sociale mund t’i sjellin njerëzit në shesh. Por një protestë nuk mund të jetojë 91 ditë vetëm me viralitet.

Pas një jave duhet kauzë. Pas një muaji duhet besim. Pas tre muajsh duhet qytetari.

Duhet ta kesh bindur atë se protesta vazhdon të jetë e tij, se mikrofoni është edhe i tij dhe se hallet që e nxorën nga shtëpia vazhdojnë të jenë në qendër të saj. Kur qytetari largohet, algoritmi nuk mund ta zëvendësojë. Mund të mbushë ekranin. Nuk mbush dot sheshin.
Dhe pikërisht këtu protesta e flamingove bëhet një eksperiment interesant për të kuptuar politikën e kohës sonë. Dikur fuqinë e një proteste e kuptoje duke dalë në bulevard. Sot mjafton të hapësh telefonin. Një video ka 100 mijë shikime. Një postim mijëra reagime. Një hashtag qarkullon. Dhe krijohet përshtypja se përpara ke një lëvizje të madhe qytetare.
Por 100 mijë views nuk janë 100 mijë qytetarë.

Një koment nuk është pjesëmarrje. Një share nuk është angazhim qytetar. Një follower nuk është protestues.

Edhe dhjetë njerëz kanë të drejtë të protestojnë për 91 apo 191 ditë. Kjo është e drejta e tyre. Por ekziston një ndryshim i madh mes një proteste që vazhdon dhe një proteste që vazhdon të përfaqësojë një lëvizje të gjerë qytetare.

Pse u largua Tirana?

Ndoshta njerëzit u lodhën. Ndoshta protesta nuk arriti të zgjerohej përtej rrethit që e organizoi. Ndoshta mesazhi politik filloi të dominonte mbi shqetësimin qytetar.

Ndoshta njerëzit nuk e panë më veten aty.
Por ka edhe një mundësi tjetër që meriton reflektim: qytetarët mund të kenë kuptuar se halli që i nxori në shesh nuk po bëhej më halli i atyre që morën mikrofonin. Kur mikrofoni merret peng nga të njëjtët njerëz, protesta fillon të flasë me veten. Kur tensionet dhe episodet e ashpra zënë më shumë vend se zëri i qytetarit të zakonshëm,  i familjes, i pensionistit, i të riut apo i atij që kërkon thjesht një qytet më të mirë. Sepse protesta fillon të humbasë arsyen për të cilën njerëzit iu bashkuan.

Dhe kur sheshi fillon të prodhojë më shumë content sesa pjesëmarrje, atëherë diçka ka ndryshuar. Protesta qytetare po kthehet në protestë algoritmike.

Ky është paradoksi i ditës së 91-të. Protesta e flamingove nuk ka vdekur. Ajo vazhdon fizikisht dhe ata që janë aty kanë të drejtë ta vazhdojnë. Por protesta qytetare që synonte të mobilizonte Tiranën duket se është shuar. Versioni i saj digjital, ndërkohë, vazhdon shkëlqyeshëm. Ka video. Ka Reels. Ka deklarata. Ka përplasje. Ka komente. Ka audiencë. Ka gjithçka, përveç qytetarëve.
Dhe ndoshta pikërisht kështu algoritmi e dobësoi protestën qytetare. Jo sepse i përzuri njerëzit nga sheshi, por sepse u krijoi atyre që mbetën aty iluzionin se qytetarët vazhdonin të ishin me ta. Mjafton që videoja të ecë. Mjafton që postimi të marrë reagime. Mjafton që incidenti i radhës të bëhet viral. Dhe të nesërmen rikthehen për të prodhuar episodin tjetër.

“Nesër më shumë!” Por nesër janë përsëri më pak.

Dhe Tirana?

Tirana është aty. Punon. Jeton. Ankohet. Shpreson. Ka hallet e veta dhe sigurisht ka arsye për të kërkuar më shumë nga qeverisja.
Prandaj gabimi më i madh që mund të bëjë politika do të ishte të shihte boshatisjen e protestës dhe të mendonte se bashkë me sheshin janë zhdukur edhe problemet që i nxorën njerëzit aty.

Jo.

Fakti që qytetari u largua nga protesta nuk do të thotë domosdoshmërisht se iu largua pakënaqësia. Mund të nënkuptojë thjesht se nuk e gjeti më veten te ajo protestë.

Dhe këtu përgjegjësia i kthehet politikës. Një vit pas zgjedhjeve, Tirana ka ende të drejtë të presë që Edi Rama dhe shumica qeverisëse të reflektojnë mbi atë që i nxori qytetarët në shesh, përpara se algoritmi t’ua merrte protestën.

Mos e mat shoqërinë me ekranin. Mos e mat mbështetjen me views. Mos e mat qytetarin me likes.

Dhe mbi të gjitha, mos mendo se kur qytetari largohet nga protesta, problemi i tij është zgjidhur. Pas 91 ditësh flamingot janë ende në shesh.Videot vazhdojnë .Algoritmi vazhdon. Por Tirana është larguar.

Tani pyetja nuk është vetëm pse u largua nga protesta.

Pyetja për politikën është: a di ajo ta dëgjojë se ku ka shkuar dhe çfarë kërkon?

Next Post
Të shtëna me armë në një party në Zvicër, një i vdekur dhe 5 të plagosur

Të shtëna me armë në një party në Zvicër, një i vdekur dhe 5 të plagosur

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Një ditë para takimit me ministrat e drejtuesit politikë, Rama mbledh qeverinë

VIDEO / Rama ndan mendimin e ekspertit izraelit: Algoritmi nxit urrejtjen dhe frikën

August 30, 2026
Xi Jinping-u mbërrin në Bishkek për të marrë pjesë në Samitin e OBSh-së 2026 dhe për vizitë shtetërore në Kirgizistan

Xi Jinping-u mbërrin në Bishkek për të marrë pjesë në Samitin e OBSh-së 2026 dhe për vizitë shtetërore në Kirgizistan

August 30, 2026
Fluks në kufijtë e Gjirokastrës, mbi 9 mijë shtetas kalojnë në Kakavijë brenda 24 orëve

Gushti, më shumë ikje se ardhje nga Qafëbota dhe Porti i Sarandës

August 30, 2026
Incidentet pas Elbasani–Vllaznia, Shoqata e Arbitrave: Asgjë nuk e justifikon dhunën

Incidentet pas Elbasani–Vllaznia, Shoqata e Arbitrave: Asgjë nuk e justifikon dhunën

August 30, 2026
Gjermania, frikë nga destabilizimi! Shkak, mungesa e gazit dhe kriza ekonomike

Frika nga fitorja e AfD-së, emigrantët mendojnë largimin nga Gjermania lindore

August 30, 2026
Sulm me thikë në Amsterdam, katër të plagosur

Sulm me thikë në Amsterdam, katër të plagosur

August 30, 2026
“Përfituan 50 tendera nga qeveria”, Bardhi për grupin e Jetmir Pepës: Modeli me të cilin Rama mban pushtetin

Bardhi: Çmimi i naftës ndër më të lartët në rajon, qeveria të ndërhyjë përmes uljes së taksave

August 30, 2026
Numër i lartë turistësh në Pogradec, ja pse e preferojnë

Pogradeci, destinacioni i preferuar në gusht! Vendas dhe të ardhur nga jashtë e zgjedhin për klimën dhe qetësinë

August 30, 2026
EMRAT/ Incidentet në ndeshjen Vllaznia-Tirana, FSHF përjashton 5 tifozë nga stadiumet

FSHF reagon ashpër pas incidenteve në ndeshjen Elbasani-Vllaznia: Disiplina nuk pyet për emër

August 30, 2026
Horoskopi ditor për nesër, e hënë 1 qershor 2026

Horoskopi ditor për nesër, e Hënë 31 Gusht 2026

August 30, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com