Nga Nikoleta Kovaçi
Florjan Bushi, 35-vjeçari i pozicionuar si shef zyre të sektorit “Merlin” në Shërbimin Informativ Shtetëror është lënë në burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Jashtë dyerve të gjykatës flitet shumë për nxjerrjen e asaj që konsiderohet sekret shtetëror, pikërisht nga personi që më së shumti i duhet t`i mbajë dhe t`i mbrojë ato. Vlonjati që gjendet në atë pozicion prej më shumë se 7 vitesh, mësohet se ka qenë vërtetë duke kryer përgjimin e një grupi trafiku narkotikësh, ndërsa në momentin që në ambientet e punës së tij janë paraqitur oficerët e policisë dhe i kanë komunikuar urdhrin e arrestit të kërkuar nga prokuroria dhe të vendosur nga Gjykata, ai nuk ka kundërshtuar. Madje sipas informacioneve të gazetës, ai iu ka hapur dyert, iu ka vënë në dispozicion gjithë materialet e tij të punës dhe nuk ka mohuar për asnjë moment që e ka të njohur dhe madje mik të arrestuarin e policisë Ilir Memushaj.
Ky i fundit akuzohet jo vetëm për vrasës me pagesë, por madje edhe për bashkëpunim në ekzekutimin e Denis Kasajt dhe plagosjen e dy miqve të tij. Krimet e Rënda kanë vendosur ta lënë në burg 35-vjeçarin, i cili mësohet se do të mbrohet nga vëllai i tij, një emër i njohur jo vetëm në fushën e avokatisë, por edhe të një beteje gjyqësore me ish-kryeministrin e vendit për shkak të një akuze favorizimi. Mirëpo, ndërsa në Gjykatë masa ndaj Florjan Bushit është dhënë vetëm për korrupsion pasiv dhe se asnjë e dhënë nuk lejohet të dalë më nga hetimi për këtë çështje, nga policia e prokuroria në fakt flitet shumë çka në lidhje me shitjen e informacioneve nga ana e Bushit, aq sa nëse rezultojnë të vërteta, atëherë është pak të thuhet se bëhet fjalë për një skandal shtetëror. Përmasat e këtij akti tejkalojnë përmasa skandalesh, pasi prokuroria dhe policia bëjnë të ditur se Bushi ka dërguar tek Memushaj transkriptin e përgjimeve të rivalëve të tij dhe të grupit të tij, ku dyshohet dhe mendohet sipas hetimit se ishin pikërisht Denis Kasaj dhe dy miqtë e tij.
Denis Kasaj
Gjykimi dhe hetimi
Florjan Bushi mësohet se ka dalë i qetë para Gjykatës ditën e djeshme. Ai nuk ka pranuar të flasë, ndërsa hetimet ndaj tij mësohet se kanë nisur prej më shumë se 10 ditësh. Sipas të dhënave të të prokurorisë bëhet me dije se Florian Bushi, inspektori i Shërbimit Informativ Shtetëror, dyshohet se ka furnizuar me informacione sekrete grupin kriminal ku dyshohet se bën pjesë Ilir Memushaj. Për këto dyshime, Gjykata e Krimeve të Rënda i caktoi inspektorit Bushi masën e sigurisë “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve. I arrestuari Bushi nuk ka preferuar të flas për akuzën e ngritur nga prokuroria “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Referuar informacioneve që vijnë nga prokuroria mësohet se njëkoëhsisht edhe në momentin e parë të arrestimit, Bushi nuk ka preferuar të jap shpjegime se si kanë përfunduar në telefonin e Ilir Memushajt kopje të përgjimeve parandaluese që kryente institucioni i SHISH-it.
Florian Bushi
Oficeri i SHISH-it është mbrojtur nga vëllai i tij, Eno Bushi, i cili kërkoi lirimin nga qelia, me argumentin se prokuroria nuk provon dot faktin se është pikërisht vëllai i tij ai që i ka nisur fotot me transkriptimet e përgjimeve Memushaj. Nga ana tjetër, prokurori Besnik Muçi kërkoi nga togat e zeza që inspektori Bushi të mbetet në qeli për shkak të veprës së rëndë penale që dyshohet se ka konsumuar si dhe dyshimet për prishjen provave nëse ai lirohet nga burgu. Sipas prokurorisë, inspektori Bushi punon prej vitesh pranë Shërbimit Informativë Shtetëror në sektorin e luftës kundër trafiqeve. Gjatë kësaj kohe, prokuroria pretendon se SHISH për llogari të hetimeve parandaluese të ngjarjeve kriminale po përgjonte një grup nga Fieri të dyshuar për trafik droge dhe që mendohet se ishin pikërisht personat që ranë në pritë pasditen e 8 janarit. Emri i Bushit u publikua nga Prokurori i Krimeve të Rënda, Blerim Tominaj dhe numri dy i Policisë së Shtetit Ardian Çipa. Akti i rëndë u bë publik në Durrës ndonëse ngjarjet për të cilat akuzohet Bushi kanë ndodhur në aksin Vlorë-Fier!
Prokuroria: Sekretet që nxori Bushi
Prokuroria bën me dije se në mesin e të përgjuarve nga ana e oficerit të arrestuar ishte edhe Denis Kasa, që mbeti i vrarë në atentatin e Mbrostarit, në rrugën Fier- Lushnje. Të gjitha lëvizjet e tij dhe komunikimet që kryente në telefon, inspektori Bushi, gjithnjë sipas prokurorisë i dispononte dhe dyshohet se me anë të fotografive i ka dërguar Ilir Memushajt, që dyshohet se bën pjesë te një grup tjetër kriminal, rival i viktimës Kasaj dhe i dy miqve që mbijetuan në atë atentat. Në këto përgjime, sipas akuzës, që i janë gjetur Ilir Memushajt në telefon, inspektori i tregonte për makinat që Denis Kasa përdorte për lëvizje dhe biseda të tjera që ai kryente. Sipas akuzës, në momentin e arrestimit të Memushajt në telefonin e tij personal janë gjetur këto foto, që më pas nga verifikimi në zyrat qendrore të SHISH rezultonin se ishin përpunuar dhe zbardhur në kompjuterin e inspektorit Florjan Bushi. Mirëpo në bazë të këtyre të dhënave që dalin nga prokuroria atëheë i bie që ka qënë pikërisht informacioni i dalë nga Bushi që ka treguar vendndodhjen e Denis Kasajt dhe më keq ende, i ka nxjerrë edhe në pritë, duke iu treguar atentatorëve edhe vendndodhjen e shënjestrës së tyre.
Ilir Memushaj
Pozicioni i oficerit të arrestuar në SHISH
Florian Bushi, i dyshuar se mund të ketë dërguar kopje të përgjimit tek një i implikuar në Fier, sipas të dhënave rezulton të jetë një ndër inspektorët më cilësor në Drejtorinë Qendrore të SHISH. Referuar të dhënave hetimore bëhet me dije se 35-vjeçari nga Vlora mbulonte sektorin “Merlin” që do të thotë se ndiqte hetime e përgjime parandaluese, veçanërisht kundër trafikantëve të narkotikëve. Në të tillë aktivitet pune mësohet se ka qenë edhe në momentin për të cilin akuzohet se ka nisur edhe përgjime tek anëtarë bandash. Edhe dosja për të cilën ai u arrestua ka të bëjë me dyshimin se një pjesë përgjimi u zbulua në telefonin e Ilir Memushajt, një protagonist i botës së krimit që policia e prokuroria e dyshojnë të jetë një vrasës me pagesë e po ashtu si bashkëpunëtor në vrasjen e pasdites së 8 janarit në aksin Fier- Lushnje. Sipas të dhënave zyrtare që janë bërë publike nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme dy ditë më parë mësohet se pas arrestimit të Memushajt ka qenë Prokuroria e Fierit ajo që ka konstatuar një foto përgjimi në një nga telefonat e të prangosurit.
Menjëherë dosja i ka kaluar Prokurorisë së Përgjithshme, e cila, së pari ka dyshuar se këto të dhëna mund të kishin dalë nga sektori i përgjimeve në organin qendror të akuzës. Kjo çështje ka nisur para më shumë se një javë. Sipas të dhënave mësohet se Bushi ka qenë duke përgjuar një grup trafikantësh në jug të vendit, e madje konkretisht sipas dyshimeve në Fier. Sipas Prokurorisë bëhet me dije se kanë qenë dy ekspertë të policisë që kanë kërkuar të mbikëqyrin kompjuterin e inspektorit, ku dhe kanë konstatuar se këto të dhëna ndodheshin aty. Burimet pohojnë se ndonëse ka pranuar që ai merrej me përgjimin parandalues të këtij grupi, agjenti i SHISH-it ka mohuar të ketë dijeni sesi ka dalë ky informacion jashtë mureve të godinës së shërbimit sekret vendas. Më herët Prokuroria e Krimeve të Rënda pohoi se Bushi i kishte përcjellë informacione të klasifikuara Ilir Memushajt, ndërsa Policia e Shtetit mbrëmë ka mohuar në mënyrë kategorike të ketë dijeni për asnjë detaj në lidhje me arrestimin e Bushit. Sipas tyre akti i prangosjes së oficerit të SHISH është i gjithi veprim i prokurorisë dhe se Policia nuk ka asnjë lloj ndikimi në këtë procedim.
Llalla: Hetoni zyrtarët e përfshirë në drogën e Dukagjinit
Ndërsa opinioni publik prej më shumë se 48 orësh është tronditur nga një informacion publik i dalë nga Prokuroria e Përgjithshme në lidhje me daljen e informacionit të klasifikuar nga SHISH, ku akuzohet një prej oficerëve më të mirë trajnuar të tij, nga Shkodra kryeprokurori i vendit iu ka thënë vartësve të hetojnë zyrtarët e implikuar në kanabisin e Dukagjinit. Në analizën vjetore të Apelit të Shkodrës, Adriatik Llalla ka folur mbi një sërë problemesh që janë hasur në të gjithë prokuroritë e rretheve, ku ka shkuar deri tek hetimet për prerjen e pyjeve, ndërsa ka lënë mënjanë zbardhjen e ngjarjeve të bujshme, atentateve që rezultojnë të gjitha të jenë pa autor dhe që kanë ndodhur në rrethin e Shkodrës. Ai nisi analizën pikërisht me vlerësimin për zgjidhjen e shpejtë ligjore të Prokurorisë së Shkodrës për një rast tragjik që ndodhi në vitin 2015, pikërisht vrasjen e dy turistëve çekë në zonën e Dukagjinit. “Hetimet e shpejta dhe vendosja para përgjegjësisë ligjore të autorit të asaj vepre penale që shkaktoi me të drejtë revoltë qytetare, ishte një detyrim i të gjithë shtetit, si edhe një formë ndjese për atë krim që cenonte mikpritjen dhe humanizmin shkodran, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi”. Mirëpo, duke qëndruar te treguesit vjetorë të vitit 2015, për prokuroritë që janë nën juridiksionin e Apelit të Shkodrës, Llalla bëri me dije se konstatohet një shpërndarje jo e njëjtë në volumin e punës. Prokuroria e Shkodrës dhe e Lezhës kanë pasur rritje të ndjeshme, sipas tij, procedimesh, ndërkohë që prokuroritë e Kukësit, Tropojës dhe Pukës kanë pasur numër më të ulët referimesh dhe rastesh për trajtim. Por, të gjitha prokuroritë kanë të përbashkët numrin e lartë të procedimeve të pezulluara ose të mosfilluara. “Është e qartë që rastet e pezullimit dhe mosfillimit, kanë të bëjnë me mungesën e zbulimit të autorëve nga agjencitë ligjzbatuese ose nga cilësia e referimeve të veprave penale”. Kreu i Akuzës iu tha vartësve të veriut se nga informacioni që administrohet rezulton se në Qarkun e Shkodrës, kryesisht në zonat malore, mbetet problematike evidentimi i kultivuesve të lëndës narkotike. Pavarësisht operacioneve periodike policore, nuk janë zbuluar personat përgjegjës për këto vepra penale: “Do të kërkoj nga ju që të shqyrtoni çdo informacion dhe të zhvilloni hetime proaktive për këto raste, me qëllim zbulimin e autorëve, por edhe të personave zyrtarë që mund t’i mbështesin. Prokuroria e Lezhës duhet të vijojë të jetë më aktive, kryesisht në evidentimin e rasteve të falsifikimit të pronave”, vuri theksin Llalla teksa analizonte defektet e prokurorisë së Apelit të Shkodrës! (Shekulli)