Nga Erjona Shehu
Nuk e kam takuar ndonjëherë Soros! E njoh vetëm nga thashethemet politike të vendit tim dhe nga motori i kërkimit të Google. Sigurisht që Soros nuk di gjë fare për ekzistencën time, por diku nëpër defterët e panumërt të zërave të shpenzimeve të miliardave të tij, figuron edhe emri im. Nga miliardat e Soros, ca qindra mijëra euro (jam tmerrësisht e keqe me shifrat) kanë shkuar për 667 mjekë shqiptarë.
Jam në Vjenë, në një konvikt studentësh, në një apartament që e ndaj me një kardiologe ruse. Po mbyllët muaji që kur kam ardhur këtu. Kam ardhur në një observership në spitalin më të madh publik të Vjenës AKH Vienna Hospital. Nuk po shkruaj sesi punohet dhe çfarë kushtesh kanë mjekët e pacientët këtu. Herën e fundit që e bëra këtë më kryqëzuan ca full-time-portalo-survejatorë dhe ca njerëz që ato ditë ishin gdhirë me nerva. Si gjithmonë, çdo ballafaqim me sistemet shëndetësore perëndimore, lë gjurmën e vet. Kam mësuar shumë nga ky qëndrim njëmujor, mosha më bën të emocionohem më pak dhe të mos humbas në reagime emotive për fatin e keq që punoj e jetoj në Shqipëri etj, etj. Nuk kam shpenzuar asnjë qindarkë nga buxheti i familjes sime apo nga lekët e taksapaguesve shqiptarë, për të qenë këtu. I ka paguar të gjitha ai: Soros dhe fondacioni i tij.
Si unë ka ardhur kolegia ruse, me të cilën ndaj apartamentin. Një kolege gjeorgjiane, që na befasoi me sistemin shëndetësor të Gjeorgjisë, kolegë të tjerë nga Rusia, që janë të shqetësuar për çfarë ndodh në vendin e tyre, një endokrinologe ukrainase, një doktor nga Uzbekistani, që më tronditi me rrëfimet naive për korrupsionin në vendin e tij (shqiptar që tronditët nga korrupsioni në një vend tjetër, edhe ndodh), një armen etj, etj. Të gjithëve na ka mbledhur ai: Soros dhe fondacioni i tij.
Na bënë një workshop ku folëm për sistemet shëndetësore të vendeve tona dhe sistemin shëndetësor në Austri, na bënë një tur nëpër qytet, na nxorën për një darkë të këndshme vjeneze, na çuan në klubin mjekësor të Austrisë, me libra mjekësorë, që datonin që në 1400. Nuk na pyeti njeri për politikë dhe as na folën për politikë. Na tregonin nga e përditshmja dhe e shkuara e tyre, duke e ditur që pas një muaji ne do të ktheheshim në të tashmen tonë, ndoshta me një hov të ri profesional me të reja për të treguar. Kështu ka menduar Soros dhe fondacioni i tij.
Në Zimbabve nga 1200 mjekë, për 10 vjet, kishin ngelur 360. Këtu u ngacmua Soros për politikat e tij “Brain Gain” në vendet e pazhvilluara dhe ato të Evropës Qendrore e asaj Lindore. Krijoi American Austrian Foundation dhe përmes Open Medical Club, ofron trajnime pa fund, në Salzburg, për mjekë të të gjitha specialiteteve, programe observershipi në spitalet më të mira të Austrisë, që shkojnë deri në tre muaj, programe kërkimi shkencor që shkojnë deri në 6 muaj.
Kështu e njoha unë Xhorxh Sorosin!
Është një 88-vjeçar, hebre Hungarie. Në 2018 (sipas Wikipedia) kishte një pasuri afro 8 miliardë dollarë. Gjatë jetës ka dhuruar për bamirësi nga pasuria e tij 11 miliardë dollarë. Ka shumë teori konspirative rreth tij, nga Fantastiko – Hollywoodo – Netfliksorët e deri te broçkullat. Ato të parat i gjeta duke u endur në internet, këtu në një konvikt në Kandlgaee, broçkullat, sigurisht, i mora me vete kur erdha nga Ballkani në Vjenë.
Personalisht nuk kam asnjë kompleks inferioriteti ndaj askujt dhe ndaj asnjë statusi apo vlere financiare. Qenia njerëzore, në gjykimin tim, është e njëjtë, çfarë na bën të ndryshëm është konteksti. Por pavarësisht këtyre konkluzioneve të deritanishme, fituar nga përvoja ime jetësore, unë di të jem mirënjohëse. Pas dy familjeve të mia, njeriu që ka investuar më shumë në formimin tim profesional, edhe pse nuk është fare në dijeni të ekzistencës sime, është Xhorxh Soros.
667 mjekë nga Shqipëria, kanë ndjekur trajnimet dhe observershipet e tij. Kemi pasur lektorë ndër më të mirët nga SHBA, Gjermania dhe Austria. Na ka nxjerrë nga bota shqiptare, që cave na rri e ngushtë e cave na rri e gjerë, na çoi në botën mjekësore perëndimore, na pagoi udhëtimin, fjetjen, ushqimin, na dha dije mjekësore, na bëri më mendjehapur dhe ndikoi në mënyrën sesi e shohim profesionin tonë dhe si e ushtrojmë atë. Mjekësia shqiptare i detyrohet shumë, politikëçudibërësit shqiptarë i detyrohen shumë, pasi ka bërë punën e tyre.
Unë ndjej mirënjohje për këtë njeri të jashtëzakonshëm me emrin George Soros, që ka bërë pafund për njerëz si unë.
Vjenë, korrik 2019.(dritare.net)/l.m