Kur kapiteni i Spanjës, Rodri, ngriti Kupën e Botës në stadiumin “MetLife”, në sfond nuk ndodheshin vetëm kampionët e rinj të botës. Pranë tyre ishin presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, presidenti amerikan Donald Trump dhe Yasser Al-Rumayyan, guvernatori i fondit sovran saudit PIF dhe kreu i gjigantit të naftës Aramco, një nga sponsorët kryesorë të Botërorit të ardhshëm. Ajo fotografi simbolizonte shumë më tepër sesa një triumf sportiv: ishte një pasqyrë e ndërthurjes së futbollit me politikën, pushtetin dhe miliardat.
Sistemi i ndërtuar nga Infantino
Arabia Saudite, shembulli më i qartë
Shembulli më domethënës i këtij modeli është Arabia Saudite. Botërori i vitit 2034 iu besua Riadit pas një procesi ku mbeti kandidatura e vetme. Megjithatë, sipas analizës, kjo nuk ishte thjesht një zgjedhje organizative, por u shndërrua në një nga operacionet më fitimprurëse në historinë e FIFA-s.
Sipas burimeve pranë federatës, FIFA i shiti platformës DAZN të drejtat televizive të Botërorit të ri për Klube për afro 1 miliard dollarë. Pak muaj më vonë, fondi sovran saudit PIF investoi pothuajse të njëjtën shumë në DAZN, duke u bërë një nga aksionarët kryesorë të saj. Në të njëjtën periudhë, Aramco nënshkroi një nga kontratat më të mëdha të sponsorizimit në historinë e FIFA-s.
Edhe pse këto marrëveshje janë formalisht të ndara, ato përbëjnë pjesë të të njëjtit ekosistem ekonomik: Arabia Saudite merr Botërorin, ndërsa FIFA përfiton të ardhura rekord.
Rekorde të ardhurash dhe pushtet politik
Që prej zgjedhjes së Infantinos në vitin 2016, të ardhurat e FIFA-s kanë arritur nivele historike. Një nga premtimet kryesore të presidentit ishte rritja e fondeve që u shpërndahen federatave kombëtare, gjë që i ka siguruar atij mbështetje të gjerë.
Vendimi për ta zgjeruar Kupën e Botës nga 32 në 48 skuadra solli më shumë ndeshje, më shumë sponsorë, më shumë të drejta televizive dhe më shumë vende për kombëtaret. Sipas analizës, kjo rriti ndjeshëm fondet që shpërndahen për federatat, duke forcuar ndikimin politik të Infantinos.
Në FIFA çdo federatë ka një votë, pavarësisht madhësisë. Kjo do të thotë se vota e Gjermanisë ka të njëjtën peshë me atë të Xhibutit, Samoas apo Belizes. Përmes programit “FIFA Forward”, Infantino ka rritur financimet për federatat e Afrikës, Azisë, Karaibeve dhe Oqeanisë, duke ndërtuar një shumicë të fortë brenda organizatës.
Nga UEFA në diplomacinë globale
Gianni Infantino, i lindur në kantonin Valais të Zvicrës nga prindër italianë, e nisi karrierën në UEFA, ku njihej si një drejtues që e shihte futbollin si instrument dialogu. Ai ka ruajtur lidhje të forta me Italinë, ndërsa ka deklaruar vazhdimisht se Botërori duhet të shërbejë si mjeti më i madh diplomatik në botë.
Nga Putini te Katari
Në vitin 2018, Infantino mbështeti fuqishëm Botërorin e organizuar nga Rusia, duke e cilësuar atë “më të mirin e të gjitha kohërave”. Një vit më vonë ai u dekorua nga Kremlini me Urdhrin e Miqësisë.
Edhe pas pushtimit rus të Ukrainës, ai argumentoi se përjashtimi i Rusisë nga futbolli ndërkombëtar mund të sillte vetëm më shumë urrejtje.
Më pas erdhi Botërori i Katarit në vitin 2022. Edhe pse organizimi ishte vendosur para presidencës së tij, menaxhimi politik i turneut u identifikua me Infantinon. Ai zhvendosi përkohësisht familjen në Doha, mbrojti publikisht organizimin përballë kritikave mbi të drejtat e njeriut dhe mbajti fjalimin e famshëm “Today I feel Qatari”.
Gjiri Persik, qendra e re e futbollit
Gjatë kësaj periudhe, shtetet e Gjirit u shndërruan në qendrën e re të futbollit botëror. U forcua edhe roli i Nasser Al-Khelaifit, presidentit të PSG-së dhe drejtuesit të beIN Sports, i konsideruar një nga figurat më me ndikim në futbollin ndërkombëtar.
Megjithëse emri i tij është përmendur si një rival i mundshëm i Infantinos, Katari ka konfirmuar mbështetjen për presidentin aktual të FIFA-s. Aktualisht, rivali më i përfolur konsiderohet Victor Montagliani, president i CONCACAF.
Miqësia me Donald Trump
Sipas analizës, transformimi i Infantinos u plotësua në Shtetet e Bashkuara. Fillimisht Donald Trump nuk kishte interes për futbollin dhe FIFA nuk shihej si një partner strategjik. Megjithatë, me kalimin e kohës marrëdhënia mes tyre u forcua përmes takimeve në Shtëpinë e Bardhë, pranisë së FIFA-s në Trump Tower dhe kontakteve të vazhdueshme personale.
Madje, në qarqet e futbollit ndërkombëtar qarkullojnë prej kohësh spekulime se Infantino mund të synojë në të ardhmen një rol në Kombet e Bashkuara ose një pozicion në administratën amerikane si ndërmjetës me Lindjen e Mesme.
Një nga gjestet më simbolike ndodhi pas përfundimit të Botërorit për Klube. Trofeu origjinal nuk iu dorëzua klubit fitues Chelsea, por mbeti në duart e Donald Trump, ndërsa skuadra mori një kopje të tij. Një episod që, sipas analizës, ilustron marrëdhënien e ngushtë të krijuar mes presidentit të FIFA-s dhe kreut të Shtëpisë së Bardhë.











