Disa ditë më parë, Halim Kosova, kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, u mundua të shpjegonte në emisionin “Opinion” mënyrën se si, diku nga viti 1994, kishte ngjizur idenë për krijimin e një klinike private gjinekologjike në Tiranë. I njohur në komunitetin e mjekëve si njeriu që solli në Shqipëri, gjatë atyre viteve, modelin e dypunësimit të mjekut, e atij që paradite punonte në spitalin shtetëror, ndërsa pasdite i kushtohej plotësisht klinikës së tij private (një model i cili sot është kthyer në mënyrë jetese për shumë mjekë), Kosova do ta shpjegonte kështu idenë e tij për klinikën, gjatë emisionit Opinion:
“Rreth vitit 1994 m’u desh, me ndihmën e një miku zvicerian, që sot e kësaj dite e kam si me e pas vëlla; ai pati ardhur në Shqipëri për të ndihmuar në përgjithësi dhe për të parë situatën dhe në një moment të caktuar më tha: unë dua të ndihmoj ty. Unë i thashë se nuk kam nevojë, se ka spitali, ka kështu e ka ashtu dhe pati prurë disa gjëra.
Pastaj, më mori prapë në telefon dhe tha: ore unë dua të ndihmoj. Kur u hap këtu në Shqipëri mundësia për të punuar edhe si mjek privat, atëherë unë i thash: tani kam nevojë për ndihmën tënde. Pse? Se rroga filloi të mos mjaftonte më për shtëpinë dhe për punët e përditshme. Dhe para çdo mjeku kishte dy mundësi: ose t’i shtrinte dorën pacientit, që ishte rruga më e lehtë, por jo e ndershme, ose të punonte pasdite, pasi doli ligji që mund të punoje edhe privat. Unë zgjodha këtë rrugën e pasdites.
Pasi e vura në vijë këtë punë dhe klinika filloi të funksionojë mirë, për hir të asaj që edhe unë kisha mundësi të blija aparaturën që unë kisha qejf dhe që ishte bashkëkohore. Atëherë në një moment të caktuar thashë që unë po i shërbej 30 apo 40 vetëve në ditë, po sikur të bëj diçka për 150 shtretër dhe nja 100 ambulatorë që hyjnë e dalin në maternitet? Mos është më e vlefshme? Dhe mora këtë hap, e pranova përgjegjësinë e drejtorit (të maternitetit) në mënyrë që të bëja diçka ndryshe, për t’i shërbyer afro 300 pacientëve në ditë”.
Por, nga viti 1994, kur Kosova ngjizi idenë e të pasurit të një klinike private, e më pas kur ai e realizoi idenë e tij duke e forcuar klinikën sidomos në vitet kur ishte në krye të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, ka rrjedhur shumë ujë dhe sot ai ka një klinikë shumë të madhe dhe të njohur private në rrugën “Sulejman Delvina” në kryeqytet, një nga më luksozet dhe me pajisjet të teknologjisë më të fundit, e cila sipas ekstraktit të QKR-së rezulton në pronësi të bashkëshortes së tij, Elsës, dhe me administrator të birin, Gentin. Ndërkohë që Kosova pajiste klinikën e tij me aparatet dhe mjetet e teknologjisë së fundit, është fakt se spitali shtetëror për shumë vite ka funksionuar me një eko të vjetër, që datonte me vit prodhimi 1950.
Por, fakti më interesant që zbulon ekstrakti i QKR-së është pikërisht te vlera kapitale e gjithë kësaj pasurie të jashtëzakonshme të vendosur ndër vite nga Kosova. Vlera kapitale e klinikës gjinekologjike “Petal” kap vlerën marramendëse të 2.6 milion eurove, të cilën sipas deklarimeve të Kosovës në emisionin Opinion u nis nga miqësia me mikun zvicerian, i cili kërkonte ta ndihmonte me çdo kusht rreth 20 vjet më parë. Automatikisht, një shifër e tillë e vendos ish- ministrin e Shëndetësisë si një nga njerëzit më të pasur në Shqipëri.
Sipas përshkrimit të bërë në QKR, klinika private gjinekoligjike “Petal” merret dhe ofron shërbime për “tregti produkte kimike dhe kits per diagnostikime produktesh mjeko-kirurgjikale, aparatura dhe mjete mjeksore dhe elektromjeksore, pajisjesh spitalore në përgjithësi, tregtimin e aksesorëve (pajisje ndihmese) dhe pjesëve të ndryshme, si dhe asistencë dhe mirëmbajtje për të gjitha produktet e lartpërshkruara. Furnizimin e strukturave shëndetësore në përgjithësi dhe strukturave të veçanta që ushtrojnë teknika dhe diagnostikime gjenetike në fushën e fekondimit artificial. Shërbime dhe diagnostifikime të mirëfillta mjekësore në Obstetri-Gjinekologji (vizita gjinekologjike, vizita echografike, analiza laboratorike biologjike, fekondime invitro, pap teste, mamografi, histeroskopi ndërprerje shtatzanie, mikrokirurgji gjinekologjike, etj, të lidhura me këtë fushë), si edhe shërbime në mjekësinë patologjike dhe në atë të profilizuar”.
Ndërkaq, në media është publikuar edhe një fakt tjetër, që ka lidhje me ProFarmën. Sipas mediave, pretendohet se pak vite më parë Kosova ka qenë aksioner i ProFarmës bashkë me deputetin Tom Doshi, çka do të thotë se veç klinikës së tij private, kandidati i djathtë për Bashkinë e Tiranës ka lidhjet e tij edhe në biznesin e ilaçeve.
Nga ana tjetër, pak ditë më parë, në shtypin e shkruar u publikua edhe deklarata e pasurisë e Kosovës, ku rezultoi se viti 2013 (kur ai ishte ende në detyrë si Ministër i Shëndetësisë) ka qenë një vit me shumë shpenzime për shlyerje kredie për kandidatin e djathtë që do të garojë për kryetarin e Bashkisë së Tiranës.
Plot 260 mijë euro janë shlyer për vitin 2013, ndërsa është marrë edhe një kredi me shumën e 280 mijë eurove nga Kosova për vitin 2013. Ndërkohë që, për vitin e kaluar, djali i Halim Kosovës, Genti, ka deklaruar një kredi në emër të klinikës “Petal”, me shumën e 280 mijë eurove, ku ka pa shlyer rreth 230 mijë euro. Djali i Kosovës i është bashkëngjitur deklarimit të pasurisë për vitin 2014, si administrator i klinikës private të doktor Kosovës, ku si fitim neto të kësaj klinike deklaron se fiton 1 320 383 lekë.
Për vitin 2012, gjatë kohës kur Kosova ka qenë drejtor në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, ka të deklaruar një shlyerje kredie prej 242 770 eurosh. Ka kredi tjetër të marrë me vlerën e 200 000 eurove në 2013-n, ku i ka mbetur shuma prej 157 994 euro për t’u për të shlyer. Për vitin 2013, kandidati demokrat ka deklaruar blerjen e një automjeti të shtrenjtë që kap vlerën e 63 176 eurove, të cilin mesa duket e disponon ende pasi në deklaratën e pasurisë për 2014-n nuk ka asnjë shtim të ardhurash nga shitja e atij.
Përpara këtyre fakteve, ajo që na lind natyrshëm është një pyetje e thjeshtë: Si e ngriti Dr. Halim Kosova klinikën e tij private, e cila me vlerën e tregut sot kap vlerën e 2.6 milion eurove? Automatikisht, një shifër e tillë e vendos atë si një nga njerëzit më të pasur në Shqipëri, i cili duhet të ketë kursyer shumë para si mjek dhe njëkohësisht si drejtor i maternitetit Mbretëresha Geraldinë. Por, a mund të vihet një pasuri e tillë ndër vite, duke punuar si mjek paraditeve në shtet dhe pasdite në klinikën tëndë private?