Nga Lorenc Vangjeli
Përfundimi i zgjedhjeve lokale mendohej se do të ishte dhe starti i ndryshimeve të pjesshme të kabinetit Rama. Shumëkush në Tiranë ishte gati të vinte bast për këtë mundësi, madje kishin nisur të qarkullonin dhe emra që lëviznin, këmbenin vende apo dilnin fare në stol të rezervave. Kështu mendohej para 21 qershorit, por tashmë ai plan duket se është lënë vetë në stolin e rezervave. Arsyet se pse mund të ndodhnin ndryshimet në qeveri dhe arsyet e kundërta se pse Rama do të ruajë ekipin me të nëjjtën fytyrë. Raportet e reja të hartës politike në vend dhe ekuilibrat me LSI-në e Ilir Metës që thotë se qeverinë e ndryshon kryeministri
Më shumë se kushdo tjetër janë ata 13 burra dhe shtatë gra që përpiqen të zgjidhin dilemën e jetës së tyre publike: do të ketë apo jo ndryshime në kabinetin qeveritar. Ajo që duket si një mundësi që mund të kishte ndodhur që dje, një ditë më pas ngjan si e pamundur të ndodhë. Argumentat pse do të ketë ndryshime në qeveri me ato që e kundërshtojnë një mundësi të tillë janë pothuaj të barabarta dhe të vërtetën sesi do të ndodhë dhe çfarë do të ndodhë e di një njeri i vetëm, kryeministri Edi Rama. I vetmi që nuk ka folur asnjë fjalë për këtë temë duke qenë i bindur se sytë e 20 grave e burrave janë tek ai në këtë moment.
Ilir Meta, kryetar i Kuvendit dhe i LSI-së, aleati i tij në qeverisje, është pyetur disa herë për këtë mundësi deri para zgjedhjeve lokale, por ai ka zgjedhur të japë përgjigje më shumë se diplomatike: për këtë gjë duhet të pyesni kryeministrin. Por në ditën e festës së krijimit të PS-së, shton dhe një fjali nga ato që mund të lexohen në mënyra të ndryshme si hieroglife kineze: “…për ne është e rëndësishme që qeveria të ecë më shpejt në rrugën e përmbushjes së objektivave të saj”.
Ideja e parë se ndryshimet në qeveri do të ndodhnin menjëherë sapo të mësoheshin rezultatet e zgjedhjeve lokale dhe të lidhura ngushtësisht me to u përgënjeshtrua shumë shpejt. Tashmë ideja më e fortë është se ato janë shtyrë për në kalendat greke dhe se kalendat greke kësaj rradhe nëse nuk vijnë deri në shtator, nuk do të vijnë fare këtë vit.
Fotoja e qeverisë
Edi Rama është shumë më i kujdesshëm se Sali Berisha. Të paktën në pjesën e dukshme dhe të kapshme nga syri, diferenca e kryeministrit aktual me paraardhësin e tij është jashtëzakonisht e prekshme. Për shembull, dikur, Ferdinand Xhaferri i demokratëve, vazhdonte të pozonte në politofon e qeverisë Berisha edhe shumë kohë mbasi kishte dhënë dorëheqjen si ministër dhe kishte humbur garën për bashkinë e Durrësit. Ndërsa kësaj rradhe, sapo morri detyrën, Blendi Klosi e pa menjëherë foton e tij në site-n zyrtar të Këshillit të Ministrave. Nuk mund të bëhet fjalë që ky detaj në dukje tërësisht anësor të harrohet në faqen e kryeministrisë, ndërkohë që dje, një gjë e tillë nuk kishte rëndësinë e posaçme që i jepet sot. Edhe kur bëhet fjalë për emrat dhe fotot e anëtarëve të qeverisë.
Në rastin e qeverisë Rama, ndryshimi i vetëm që lidhej me zgjedhjet lokale, ishte pikërisht zëvendësimi i vendit të lënë të lirë nga Erion Veliaj që kandidoi në bashkinë e Tiranës. Dhe ky është ndryshimi i dytë që është bërë në dy vjet qeverisje të së majtës: hera e parë ishte largimi me dorëheqje për arsye profesionale të ministrit të shtetit për marrëdhëniet me parlamentin Ilirian Celibashit dhe zëvendësimin e tij me deputeten Ermonela Felaj.
Ndryshimet mbas lokaleve
Pika ku dukej se do të ngjanin dy kryeministrat e fundit shqiptarë kishte të bënte me mënyrën e sjelljes me kabinetin mbas zgjedhjeve lokale. Qoftë Berisha në 2007-ën, qoftë Rama në 2015-ën, kishin po të njëjtat arsye që t’i shihnin ballafaqimet elektorale edhe si një mundësi për të bërë riparime të ndryshme në emra, por dhe frymë të qeverisjes. Gjysma e mandatit është koha ideale për ta rifreskuar atë, për të respektuar ekuilibret e vjetër dhe për të diktuar në ekuilibret e rinj të krijuar. Në 2007-ën Berisha merrte një rezultat që tipit “win – win”, kontrollonte plotësisht partinë e tij dhe aleatët, kishte shifrat e duhura që i jepnin qetësi në Parlament dhe kishte shënuar suksese të konsiderueshme në zbatimin e një programi ambicioz që në thelb kishte antikorrupsionin. Deri në atë moment, me përjashtime të vogla, qeverisja e tij ende nuk ishte goditur nga skandalet që do t’ja behnin më pas.
Megjithatë ai e hodhi hapin që këshillohet gjithmonë: ndrysho para se të të bëhet e domosdoshme që të ndryshosh! Dhe momentin e tij ai e zgjodhi për zgjedhjet lokale të shkurtit të 2007-ës, të cilat ishin të parat që prodhuan disa ndryshime në kabinet. I pari ishte largimi i të ndjerit Sokol Olldashi që do të kandidonte për bashkinë e Tiranës, një garë në të cilën ai u hodh vetëm 24 orë para afatit të fundit të shpalljes së kandidatëve. Në vend të tij u zgjodh Bujar Nishani si ministër i brendshëm. Më pas ndodhën edhe ndryshimet e projektuara: u largua Aldo Bumçi nga ministria e drejtësisë për t’u zëvendësuar me Ilir Rusmajlin, iku Arenca Trashani e integrimit për të ardhur Majlinda Bregu, ndërsa Gazmend Oketa u bë zëvendëskryeministër. Dy muaj më pas dorëhiqet ministri i jashtëm Besnik Mustafaj që zëvendësohet me ministrin e transporteve Lulzim Basha, vendin e të cilit e zuri Sokol Olldashi.
Të njëjtën gjë Berisha e bëri edhe katër vjet më pas, në 2011-ën, kur zgjedhjet lokale i dhanë mundësi të bënte disa ndryshime jo vetëm kozmetike në kabinetin e tij.
Situata e Ramës është relativisht e ngjashme me atë të Berishës tetë vjet më parë dhe në disa drejtime, është më e fortë se e tij dhe diku gjetkë, është më duarlidhur se ai. Rama, gjithashtu si Berisha, e kontrollon fort partinë e tij. zërat kritikë ndaj tij kanë ardhur duke u shuar dhe ai nuk ka pothuaj asnjë pengesë të ushtrimit të vullnetit të tij. Ben Blushi që ishte i vetmi që e kritikoi publikisht, ka zgjedhur të heshtë në këtë kohë dhe ndikimi i tij në strukturat drejtuese e vendimmarrëse të PS-së është shumë herë më i vogël se ndikimi i tij publik dhe në publik. Të gjithë ministrat e Ramës, me përjashtim të ministrit të financave Shkëlqim Cani janë pa mandat deputeti (e kanë dorëzuar që vitin e kaluar), çka i bën ata tërësisht pa asnjë ndikim nëse e gjejnë veten jashtë kabinetit qeveritar. Edhë në rast pakënaqësie me kryeministrin nëse ai i largon, ata do ta kenë praktikisht të pamundur të realizojnë qoftë dhe një minimum hakmarrjeje politike ndaj tij. Situata në kupolën e PS-së, në nivel partiak në përgjithësi dhe atë qeveritar në veçanti, tashmë i ngjan rrathëve koncentrikë me Edi Ramën në qendër, ku çdo kush tjetër thjesht kërkon të afrohet sa më shumë në orbitën e kryetarit kryeministër.
Për pesë ministrat e propozuar nga LSI situata është disi më ndryshe. Ata janë direkt nomenklaturë e kryeministrit, por lëvizja e tyre mund të bëhet vetëm në marrëveshje me Ilir Metën. Prishja apo ndryshimi i formulës së qeverisjes, zëvendësimi i një ministrie e këmbimi me një tjetër, në të gjitha rastet do të duhet të bëhet në konsultim mes tyre. Dy drejtuesit e koalicionit të majtë nuk duket se janë në ditët më të mira të miqësisë së tyre politike. Dhe kjo do ta bënte dhe raportin e ndryshimeve më të vështirë. Kjo duket se është dhe një nga arsyet se pse Rama e ka mbyllur në sirtar projektin e mundshëm të ndryshimeve të mundshme të qeverisë.
Aleati tjetër
Sinjali i parë i dukshëm dhe publik ishte dhënë me përfshirjen në komisionin për reformën territoriale – administrative. Ndaj kur Shpëtim Idrizi firmosi koalicionin parazgjedhor me PS-në dhe LSI-në për zgjedhjet lokale, kjo gjë u duk si një lëvizje mëse normale. E paralajmëruar prej shumë kohësh dhe shumë shpesh e lexuar si një mundësi për të ndryshuar numrat e raportet mes partive aleate në Kuvend dhe për të ulur peshën specifike të LSI-së në raport me PS-në, PDIU-ja, megjithatë nuk vjen me të gjithë deputetët e saj në qeverisje. Ashtu siç nuk është fort e qartë zgjedhja që ajo do të bënte me pragmatizëm dhe për pragmatizëm atëherë kur vota e saj do të ishte thjesht dhe vetëm vendimtare në Kuvend. Por pikërisht edhe për këto arsye, presioni, së paku mediatik i Idrizit, për një portofol ministri në kabinet është shtuar. Ai vetë morri postin e nënkryetarit të Kuvendit, një detyrë që ndonëse më shumë honorifike, e bën atë shumë më të dukshëm dhe të ndjeshëm në publik. Por natyrisht një post në qeveri është tjetër gjë dhe atij do t’i duhej më shumë se për të sotmen, për të nesërmen. Për të forcuar partinë e tij dhe për të krijuar dhe një pol të ri përgjegjësie në të. Duket se treni i parë i mundësisë së ndryshimeve nuk ndaloi në stacion. Dhe kjo është një lojë e cila nuk mund të luhej vetëm me kryeministrin.
E gjithë kjo situatë ndiqet jo vetëm me kureshtje nga opozita. Një provokim i nisur mediatik synon dhe shpreson tek një ndarje e mundshme mes PS-së dhe LSI-së, si mundësia e vetme për çarjen e votave të majta. Madje është hedhur dhe ideja, jo dhe aq e vjetër, e mundësisë së një mbështetjeje të reformave kryesore të qeverisë, por pa LSI-në. Diçka që mund të joshte shumë vetë tek PS-ja, edhe ndër emrat e saj të njohur, që shohin tek largimi i aleatit të tyre, më shumë hapësirë teorike për ambicjet vetjake. Pak a shumë me të njëjtën skemë që hodhi në erë mundësinë tërësisht reale të koalicionit parazgjedhor në 2009-ën dhe e la edhe katër vjet të pamerituar PS-në në opozitë.
Njerëzit e kryeministrit
Të paktën tre vetë nga lista e gjatë me 20 emra duket se janë më pranë kryeministrit. Arben Ahmetaj, ministër i ekonomisë, Saimir Tahiri, ministër i brendshëm dhe Ditmir Bushati, ministër i jashtëm, pretendohet se janë në rrethin e parë të njerëzve më të afërt të kryeministrit. Dhe ka shumë sinjale e shenja që e vërtetojnë një gjë të tillë. Megjithatë, marrëdhënia e tyre me kryeministrin ka kaluar në ulje – ngritje të zakonshme nëse kihet parasysh natyra e qeverisjes dhe e vetë Ramës. Edhe Ahmetaj, edhe Tahiri patën probleme para e mbas zgjedhjeve, i pari për bashkinë e humbur të Përmetit, i dyti për zemrën gjysmë të thyer të kandidimit të Veliajt në Tiranë. Këtyre tre emrave i duhet shtuar dhe emri i Niko Peleshit, zëvendësit të Ramës, që firmos në mungesë dhe me porosi, siç parasheh ligji.
Në skalionin e dytë janë ministrat të cilët kanë siguruar një produkt konkret të punës së tyre në këto dy vjet. Mimi Kodheli, ministre e mbrojtjes dhe bashkëpunëtore e vjetër e Ramës, Shkëlqim Cani, ministër i financave, Ilir Beqja, ministër i shëndetësisë, Damian Gjiknuri i energjisë dhe Bledar Çuçi i pushtetit lokal, kanë secili nga një kontribut të prekshëm: Kodheli për një ministri që është si një shtet brenda shtetit, Cani për ruajtjen e parametrave kryesorë ekonomikë, Beqja që ka stabilizuar një nga tregjet më problematikë të vendit, atë farmaceutik e mbi të gjitha, përkundër gjithë skeptikëve, bëri realitet ligjin antiduhan, Gjiknuri për reformën në sistemin energjitik dhe Çuçi për ndarjen e re administrative të vendit.
Të tjerët, ose janë ministrat aleatë nga LSI-ja, ose kanë qenë më në hije për shkak të natyrës së digasterit që drejtojnë. Naço i drejtësisë mund të përmendë reformën në drejtësi që pritet të mbyllet në vjeshtë, Panariti që e bëri të dukshme bujqësinë, një sektor që rrinte gjithmonë në fund të tryezës, e njëjta gjë me mjedisin ku drejton Koka apo dhe Haxhinasto që i duhet të paguajë borxhet dhe të mbyllë çfarë është nisur më parë me asfalt.
Këto janë emrat kryesorë ku do të luhet mirë apo keq fotoja e re e kabinetit qeveritar. E vërteta e plotë ndodhet vetëm në mendjen e kryeministrit. Vetëm ai do të vendosë nesër, nëse do ta gjykojë, se kur dhe si do të ndryshojë qeverinë. Për t’i dhënë një ngjyrë tjetër peisazhit të “mërzitshëm” të politikës shqiptare që sa më shumë ndryshon, aq më shumë mbetet e njëjta gjë. Për të kënaqur kureshtjen me emrat e rinj të ministrave, të cilëve mund t’u mungojë çdo gjë, por jo befasia për publikun kur kryeministri t’i thërrasë në rresht. Dhe natyrisht kureshtja për fjalimin që Rama do të mbajë me atë rast duke thënë nga një batutë për çdo të ardhur dhe duke mos kursyer nga dy batuta për çdo të ikur.