Nga Alfred Peza
Përjashtimi i Sali Berishës nga Grupi Parlamentar i PD, ka efektin e një tërmeti politik shkatërrimtar brenda së djathtës, që dikton nevojën urgjente për rindërtimin e saj nga e para. Efekti domino i këtij akti të fortë, kërkon ndryshime të thella në arkitekturën e sistemit politik, duke sjellë një cilësi të re raportesh jetësore mes aktorëve e faktorëve në lojë, por edhe mbi ambjetin e jetës shoqërore të vendit.
Pasoja e parë e vendimit të Lulzim Bashës, ka qenë ndarja e PD në dy grupe, një në mbështetje të ish Kryetarit dhe tjetra të Kryetarit aktual. Lojën do ta fitojë Lulzim Basha, që ka legjitimitetin dhe vulën, për ta drejtuar PD. Ndaj çarja e pësuar, nuk është domosdoshmërisht e keqe, përkundrazi. PD po i nënshtrohet parimit të njohur si “turbullohu- kthjellohu”, duke patur shansin të nxjerrë jashtë saj të vjetrën, që e kishte marë peng dhe nuk e linte të ecte përpara për tu rikthyer në pushtet.
Humbja historike për të tretën herë radhazi e opozitës në zgjedhjet e 25 prillit 2021, nuk solli pasoja vetëm brenda PD, por edhe tek partia e dytë më e madhe e saj LSI. Dështimi spektakolar nga marja 5 herë më pak deputetë se më parë, çoi në moskrijimin e grupit parlamentar të LSI, duke e defaktorizuar atë brenda Parlamentit. Fakti që Lulzim Basha nuk i dha 3 deputetë borxh për këtë, vulosi krizën e madhe mes dy partive. Rënia përfundimtare e LSI, shkatërroi tripolairtetin tonë politik.
Shkarkimi i Ilir Metës si President nga ana e Parlamenti dhe pritja e vendimit të Gjykatës Kushtetues, e kanë dobësuar atë deri në defaktorizim. Ky proces do vijojë pa u ndalur, sepse Ilir Meta pas disa muajsh nuk do të jetë më as Kryetar Shteti dhe as deputet. Largimi i Sali Berishës që ka qenë mbështetja e tij kryesore brenda PD, e nxjerr jashtë loje, në garën për lidershipin e opozitës përballë Lulzim Bashës.
Rënia politike e Sali Berishës e Ilir Metës dhe përfshirja e liderëve të partive të vogla aleate, brenda listave të kandidatëve për deputetë të PD në zgjedhjet e fundit, i kanë dhënë tani mundësinë Lulzim Bashës të edhe Kryetari real i partisë së tij, edhe lideri real i opozitës. Shqiptarët me votë dhe SHBA me futjen në listën e zezë të Sali Berishës, ia pastruan rrugën Lulzim Bashës, i cili vetë nuk gjeti kurrë forcën dhe kurajon për 8 vjet me radhë që ta “vriste” vetë babain e tij politik.
Efekti ortek që krijon akti i Lulzim Bashës për largimin e Sali Berishës, ka edhe vlerë të jashtëzakonshme, për forcimin e pozitave të tij brenda opozitës shqiptare. Sepse pas kësaj gjithkush do mendohet mirë, përpara se të përballet me të. Tani që ia doli të nxjerrë jashtë loje Sali Berishën, i cili e futi me katapultë në PD, e rriti, e promovoi, e forcoi dhe e ngjiti në majë derisa i dhuroi drejtimin e partisë, me të tjerët nuk e ka fare problem që ti mundë çdo herë e më me lehtësi.
Lulzim Bashës i duhet tani vetëm kohë për tu forcuar, derisa pas Sali Berishës të dali jashtë PD edhe berishizmi si frymë, praktikë dhe model politik. Kjo sjell nevojën e krijimit të identiteti të ri të Lulzim Bashës, nga një kukull e komanduar prej “liderit historik”, në një lider të padiskutueshëm të PD dhe opozitës. Duke u shndërruar kësisoj, në të vetmin pikë reference dhe pol real pushteti, drejt të cilit do të fokusohen energjitë, mbështetja dhe votat e tyre në të ardhmen.
Pas kësaj, edhe për shkak të sistemit elektoral, politika shqiptare bëhet bipolare. Poli i mazhorancës ka kohë që është konsoliduar rreth lidershipit të Edi Ramës dhe PS prej më shumë se 4 vjetësh dhe në dy palë zgjedhje parlamentare. Ato përbëjnë të vetmin pol në të majtë të spektrit politik që maksimizon vota, duke fituar zgjedhjet lokale e qëndrore. Duke e bërë këtë edhe Lulzim Basha e PD, atëherë kemi ardhur pas tri dekadash pluralizëm, në një realitet të ri politik në Shqipëri.
Ndaj në zgjedhjet e 2025, edhe Lulzim Basha e PD do ndjekin shembullin e Edi Ramës dhe PS, për të kandiduar të vetëm pa koalicion dhe aleatë në lista. Kjo do ta bënte sistemin politik, me përfaqësim të qartë si majtas dhe djathtas, me nga një parti dhe lider të fortë në të dy anët e saj. Një sistem si ai në SHBA, ku demokratët e republikanët prej dekadash e dominojnë plotësisht skenën politike.
A e bën bipolariteti, domosdoshmërisht më të mirë sistemin tonë politik, në raport me periudhën kur LSI ishte poli i tretë dhe bënte rolin e “king maker”-it? Edhe partitë e tjera më të vogla politike, në të majtë e në të djathtë, kanë patur deri tani përfaqësim me deputetë në Parlament. A do ishte më mirë që kjo traditë të vijonte, në mënyrë që partitë e vogla të luanin rolin e amortizatorit mes dy ingranazheve gjigande të sistemit, apo Shqipërisë i dalin dhe i teprojnë vetëm PS e PD?
Pluralizmi është një sistem që funksionon më mirë, kur sa më shumë parti përfaqësohen në Kuvend. Sepse kjo sjell diversitet dhe alternativa që zbusin arrogancën e dy të mëdhenjve të skenës. Por kur e mendon se LSI u shndërrua në parti klienteliste dhe liderët e partive të vogla në deputetë pa vota, atëherë më mirë të kemi një sistem politik bipolar, sesa një përfaqësim fals sa për fasadë. Megjithatë, janë shqiptarët ata që do ta përcaktojnë këtë me votë, në zgjedhjet e 4 viteve të ardhshme.