Nga Mero Baze
Sali Berisha po përpiqet të harrojë gjyqin e pahapur në Francë kundër sekretarit Blinken, me të cilin gënjeu demokratët, sapo hyri në listën e sanksioneve vitin që shkoi.
Ai u tha sot gazetarëve, se gjyqi në Paris nuk hapet, pasi sekretari Blinken ka shumë pushtet. Pra ai ua shpjegon gënjeshtrën e tij për gjyqin në Paris, me detajet e sistemit të korruptuar gjyqësor në Shqipëri.
Gjyqtarin e Parisit e përfytyron si Gjin Gjoni, prokurorin si Prel Martini, ndërsa sekretarin Blinken në SHBA, me pushtet në Paris, sikur të ishte ky vetë president, kur kishte Prelën dhe Gjinin në kupolë të drejtësisë.
Dhe meqë ky i komandonte ata, aludimi është se dhe sekretari Blinken merr presidentin Macron në telefon dhe ky i fundit u thotë atyre “kujdes me sekretarin Blinken”. Dhe kështu ndaj nuk hapet gjyqi.
Në fakt Sali Berisha nuk ka hapur ndonjë gjyq në Francë. Ai po ashtu e di mirë, që nuk mund të ketë një gjyq në Francë kundër sekretarit të Shtetit të SHBA, për një qytetar shqiptar që është përfshirë në listën e sanksioneve të SHBA.
E ka ditur këtë qysh në fillim, por dy ditë pas sanksioneve ai e shpiku këtë skemë me shpejtësi, për të shmangur rrënimin në sytë e mbështetësve të vet.
Meqë të gjithë filluan ta shikojnë si familje kriminale dhe të rrënuar ndërkombëtarisht, Sali Berisha shpiku dërgimin e një padie në Francë, për të pasur një argument fals se gjoja po bënte betejë ligjore me SHBA.
Kjo gjë vlente deri më 9 shtator.
Kur pasojat e sanksioneve ndaj tij dhe familjes së tij u konkretizuan dhe brenda PD, duke e përjashtuar atë nga Grupi Parlamentar, atëherë ai nuk kishte më nevojë për shpikjen e gjyqit në Francë, pasi gjeti një armik të ri, dhe ky ishte Lulzim Basha.
Pas 9 shtatorit beteja e tij me SHBA nuk bazohej më tek “gjyqi në Paris”, por tek “besëpreri” Lulzim Basha, me të cilin gjithsesi e kishte betejën dhe më të lehtë pasi maskonte betejën kundër SHBA me inatet e demokratëve kundër Bashës.
Tani që dhe kjo betejë përfundoi, Sali Berishës i ka mbetur letra që ka dërguar në Paris si varr i hapur që nuk di si ta mbyllë. Realisht nuk i duhet më, se i duhej për emergjencë pas 19 majit, ngaqë nuk dinte si t’i gënjente mbështetësit e vet.
Pas 9 shtatorit, kur e gjeti armikun që i duhej, ai nuk ka më nevojë për gjyqin e Parisit. Tani që dhe armiku i radhës u konsumua dhe Lulzim Basha nuk është më kryetar i PD, Berisha po përpiqet të mbulojë gënjeshtrën e parë që shpiku.
Dhe po ua shpjegon shqiptarëve, jo siç është e vërteta e shpikjes së një gjyqi që nuk po hapet kurrë, por me konceptet me të cilat ai kontrollon sistemin gjyqësor në Shqipëri.
Në fakt, sekretari Blinken kam frikë se akoma nuk di që Sali Berisha ka postuar një letër në Francë dhe akoma më tej, as i shkon mendja të pyesë se çfarë bëhet me atë letër.
Vetë Berisha e ka shpikur këtë histori kur nuk kishte me se të gënjente turmat kundër SHBA. Tani ka arritur të krijojë një frymë të fortë anti-amerikane brenda PD për hallin e tij dhe nuk i hyn më në punë gjykata në Francë. Problemi i tij tani është si të menaxhoj frymën anti-amerikane që ka krijuar për hallin e tij brenda PD.
Gënjeshtra e tij e dytë, “besëpreri” Lulzim Basha mori fund dhe tani ai po vuan pasojat e dy gënjeshtrave kundër SHBA, gjyqin e shpikur ndaj sekretarit Blinken dhe armikun e shpikur Lulzim Basha, që të sfidonte SHBA.
E vetmja fitore që arriti është fryma anti-amerikane brenda PD, që deri tani ishte ëndrra e tij, dhe tani do të kthehet në varrin e tij, pasi duke u përpjekur të përdorë llumin e PD, si talibanë kundër SHBA, tani nuk bën dot asnjë hap pas. Tani nuk as si të gënjejë për gjyqin ë Francë dhe as si të bashkohet me Lulzim Bashën.
Dhe për t’u mbushur mendjen demokratëve pse nuk po fitojnë dhe në Francë, siç fituan zgjedhjet në Vorë, u tregon se sekretari Blinken është në pushtet dhe ata pastaj e kuptojnë vetë, se u kujtohet Berisha kur ishte në pushtet, se çfarë u bënte gjykatësve.