Deputeti i PD-së Belind Këlliçi, në një prononcim për gazetarin Enkel Xhangoli për Klan News foli për skenarin e protestës së sotme të Partisë Demokratike.
Ai tha se këtë të dielë nuk do të ketë më fjalime politike, ndryshe nga protestat e mëparshme, ndërsa paralajmëroi për një radikalizim.
“Si gjithmonë, ju e dini mjaft mirë që skenari zbulohet kur shkohet. Ju garantoj se do të ketë shumë aksion. Nuk do të ketë fjalime.”, tha Këlliçi, i cili shtoi se “mesazhet do të jepen në forma të tjera dhe në një formë tjetër aksioni”.
Ky ndryshim skenari sipas tij vjen si kërkesë e qytetarëve që “duan një aksion politik konkret dhe radikalizim të fjalimeve politike.”
“Do të shihni fillimisht një grumbullim para Kryeministrisë dhe më pas do të shihni skenarët të shpalosen…”, shtoi deputeti demokrat.
Ai ngriti gjithashtu akuza ndaj Policisë së Shtetit, duke thënë se ka patur përpjekje “për të infiltruar persona me precedent për të nxitur konflikte mes njëri tjetrit. Janë përpjekje të dështuara”.
Këlliçi mes të tjerash foli për krizën e rritjes së çmimit të naftës dhe të tjera shqetësime që i kanë detyruar qytetarët të dalin në protestë për të kërkuar rrëzimin e qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.











