Pas më shumë se 2 muajsh luftë, Kevin Kuka nuk mundi të fitojë më të rëndësishmen, betejën me jetën. 22-vjeçari shqiptar humbi jetën të shtunën (8 Korrik). I riu u plagos rëndë më 20 Prill pas një aksidenti rrugor. Ai qëndronte i shtruar në spital prej asaj dite. Kohët e fundit kishte treguar disa shenja përmirësimi, por çdo gjë u shemb mbrëmjen e së shtunës kur ai ndërroi jetë.
Kevini po kthehej në Bolzano me 4 miq të tjerë më 20 Prill. Ata udhëtonin me një Golf, por u përplasën me një kamion polak. Kevin ishte në sediljen e përparme të pasagjerit. Përplasja ishte shumë e fortë dhe mësohet se si pasojë ai ka dalë me forcë nga mjeti. Të gjithë shokët e tij shpëtuan nga aksidenti me vetëm lëndime të lehta.
Kevin Kuka luante futboll. Ai ishte mesfushor i skuadrës Virtus Bolzano. Skuadra e Serie D italiane që prej fillimit i ka treguar mbështetje familjes së Kevinit. Trajneri Alfredo Sebastin dhe lojtarët luajtën një ndeshje pak pas aksidentit të Kevinit dhe ia dedikuan atij fitoren.
Të shtunën në darkë, lajmi tragjik i trishtoi të gjithë. Virtus Bolzano reagoi në rrjetet sociale për Kevinin duke shprehur ngushëllime për humbjen. “Faleminderit për çdo gjë që dhe për ne. Ciao Kevin”, shkruhej aty.
Menaxheri i përgjithshëm i Virtus Bolzano, Gianluca Dalla Villa ka shprehur ndër të tjera mbështetjen për familjen e tij. “Në emër të gjithë Virtus, ne mbështesim familjen në këtë tragjedi. Për të atin, të ëmën dhe vëllain: Kevini do të jetë gjithmonë mes nesh”, tha ai.
/a.r