Këshilli i Legjislacionit të Kuvendit vendosi të mblidhet sërish më 29 mars për të diskutuar mbi vendimet e Gjykatës Kushtetuese mbi një sërë çështjesh, mes tyre çështja e mandatit të Olta Xhaçkës dhe vota e emigrantëve.
Përfaqësuesit socialistë në këshill argumentuan se duhet që për çështjet të caktohen disa relatorë që do të paraqesin raport mbi të gjitha çështjet.
Vendimi i këshillit u kundërshtua nga anëtarët e opozitës, të cilët thanë se i kishin lexuar vendimet e Kushtetueses dhe kishin gati rekomandimet e tyre. “Thojeni që doni të bëni 3 mbledhje për një gjë që mund të vendoset për 5 minuta, për të marrë 20 mijë lekë shpërblim”, tha Gazment Bardhi. “Ne kemi ardhur të përgatitur, kush nuk është përgatitur të mbajë përgjegjësi personale”.
Por socialistët vendosën caktimin e disa relatorëve për çështjet, duke u lënë 2 javë kohë për përgatitjen e raporteve.
Në fillim të vitit, Gjykata Kushtetuese vendosi se Kuvendi i Shqipërisë ka shkelur kushtetutën duke mos dërguar në Gjykatën Kushtetuese shqyrtimin e legjitimitetit të mandatit të deputetit për Olta Xhaçkën. Heqja e mandatit u kërkua nga ana Partisë Demokratike, që e akuzon ministren e Jashtme se ka konflikt interesi përmes bashkëshortit të saj si investitor strategjik.
/a.r