Shtyhet projekti, Unaza e Re e Tiranës përfundon pas një viti
Unaza e Re e Tiranës do të përfundojë tetorin e ardhshëm, bëri të ditur ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, gjatë inspektimit që i bëri sot punimeve në këtë segment.
Haxhinasto tha se projekti ka një shtyrje me një vit për shkak të problematikave që lidhen me shpronësimet apo cilësinë e projekteve, për të cilat po punohet për të gjetur zgjidhje. Sipas tij, duhet një bashkëpunim dhe koordinim më i madh mes ARSH-së, ALUIZNI-t dhe OSSHE-së.
“Ky segment ka problematikën e shumë projekteve të sektorit të rrugëve, që janë shpronësimet dhe cilësia e projekteve, të cilat ne po përpiqemi t’i zgjidhim – tha ministri -. Konkretisht, kjo kontratë është shtyrë për të përfunduar në tetor 2016, pikërisht për shkak të këtyre vonesave. Kërkohet domosdoshmërisht një koordinim shumë më i mirë midis institucioneve të përfshira, duke intensifikuar punën mes ARSH-së, ALUIZNI-t dhe OSSHE-së me qëllim pengesat të zgjidhen sa më shpejt dhe banorëve të kryeqytetit por edhe gjithë Shqipërisë t’u ofrohet një korridor i rëndësishëm për të lehtësuar trafikun që kalon përmes Tiranës, duke sjellë një standard të ri, shumë më të lartë në qarkullimin në rrugë”.
Segmenti 1.5 kilometra i gjatë do të kushtojë 1.9 miliardë lekë.









