Shtrenjtimi i çmimit të karburantit menjëherë pasi nisi lufta në Lindjen e Mesme sipas deputetit të Partisë Socialiste Erion Braçe, nuk tregon ndikimin real të konfliktit, por janë dozat e abuzimit që reflektohen menjëherë.
“Kemi problem shumë të madh me tregun e karburanteve dhe gjëja është shumë e thjeshtë, ka të bëjë me modelin e tregut. Unë i kam dëgjuar të gjithë në harkun e këtyre ditëve, edhe autoritetin e konkurrencës, edhe ministren respektive, edhe ministrin e financës, edhe kryeministrin, por nuk e kuptoj pse të gjithë i largohen dhe nuk e vënë dorën atje ku është problemi. Problemi që kemi ne në tregun e karburanteve dhe është modeli i tregut që kemi historia që është një broker atje matan që s’është i regjistruar në territorin e Republikës së Shqipërisë si entitet fiskal, por që shet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë”, thotë Braçe.
“Unë nuk blej jashtë, por blej tek brokeri, i cili paraqitet në Porto Romano e derdh naftën në depozitat e një subjekti tregtar, cilido që është nga këto brendet e mëdha që ju shihni të karburanteve dhe blerja ime e naftës që unë kam në depozitë dhe shitja ime pastaj tek subjektet me pakicë apo brenda pikave të mia ndodh në një ditë tjetër, në një ditë të caktuar. Ky model tregu bën që të reflektohet shumë shpejt çdo ndryshim çmimi në bursë ndërkombëtare dhe të reflektohet shumë ngadaltë çdo ndryshim çmimi në rënie në bursën ndërkombëtare. E kemi jetuar këtu, e kemi hasur këtu këtë si situatë”, thotë Braçe.
Tregu thotë deputeti nuk ka transparencë përsa kohë të gjithë e ngrenë çmimin njëkohësisht në të njëjtën vlerë. Sipas Braçes, tregu i hidrokarbureve funksionon si kartel që cakton të njëjtat çmime brenda së njëjtës ditë dhe së njëjtës orë.
“Pra thënë këtë ajo që duhet atakuar është modeli i tregut që nuk ofron transparencë, nuk ofrohen konkurrencë, sepse të gjitha ndryshojnë çmimin brenda një dite dhe kanë të njëjtin çmim në tabelë, të njëjtin përveç pikave të bardha. Po të gjitha pikat e brenduara kanë thuajse të njëjtin çmim në tabelë. Nuk ndryshon me asnjë shpërndarje dhe që do të thotë ky model tregu ka zhdukur konkurrencën brenda tregut të hidrokarbureve në territorin e Republikës së Shqipërisë. Thënë këtë duhet goditur modeli i tregut. Duhet shembur modeli i tregut që ne kemi”, thotë Braçe.
Si mund të shembet ky treg?
“Me rregulla gjithmonë. Në qoftë se ti e lë të lirë, heq dorë siç thuhet, siç është qartë, siç është evidente që të gjitha institucionet kanë hequr dorë nga kjo histori, por natyrisht ai do bëjë çfarë të dojë. Po një entit ose një operator, një broker që i thonë këta, pavarësisht sa i madh është, që operon brenda territorit të Republikës së Shqipërisë pa u regjistruar në asnjë organ fiskal dhe pa paguar detyrime fiskale këtu, nuk mundet që të përqendrojë gjithë tregun e hidrokarbureve në këtë vend”, përgjigjet ai.
Sa i takon masave të marra nga qeveria aktualisht me ngritjen e një Task-Force për monitorimin e çmimeve, Braçe e vlerëson të pamjaftueshme.
“Nuk mjafton Task Forca. Në qoftë se nuk goditet modeli i tregut që funksionon totalisht i përqendruar edhe që ka atë produkt që ju shihnim për tabelat, normalisht është e kotë edhe Task-Forca edhe ai instrumenti të cilësojë shumë, por që duhet të shoqërohet me patjetër me transparencë të këtij tregu. Askush nuk e di sot, nafta që hyn në depozita kur është blerë, ku është blerë, si është blerë, me çfarë çmimi është blerë nga brokeri dhe pastaj si operohet në çdo segment të tregut me normë shpenzimi, domethënë me sasi shpenzimesh që ndikojnë drejtpërdrejt në çmim taksash edhe në fund fare edhe me fitimin e kompanive. Askush s’ka transparencë. Në kushtet që jemi aktualisht meshë task forca për mua është e pamjaftueshme dhe s’ka vlerë”, thotë ai.
Aktualisht çmimi i naftës në Tiranë luhatet nga 193-196 lekë litri, ndërsa kulmi u arrit javën e kaluar ku çmimi arriti deri në 201 lekë për litër. Deri më 3 mars çmimi i naftës varionte sipas kompanive nga 173-175 lekë litri, benzina kushton deri 176 lekë litri dhe gaza është 58 lekë.











