Nga Anri Bala
Sinqerisht, nuk mendoj se “Kryeçadra” e ka seriozisht kur thotë se, do të shkoi i shoqëruar nga disa militantë të dhunoi qytetarët e Kavajës. Tashmë, është bërë qesharak i rrallë me fjalimet e tij “trimërore” edhe me ata që i gënjen çdo ditë gjatë orarit të “takimit”, me vizitorët e tij, që nuk kanë asnjë lidhje me protestën, por me stomakun e tyre, për të shuar urinë dhe pse jo… ndonjë kacidhe për fëmijët apo familjen.
Askush nuk të ndalon dhe të vret, ashtu siç kanë bërë babai shpirtëror i tij dhe ai vetë, nëse proteston për gjëra që nuk të duken të drejta. Por askush nuk të lejon, që të shkelësh mbi të drejtën e të tjerëve, duke menduar se mund ta bësh, në emër të lirisë tënde. Nuk mund të pengosh askënd duke bërë sikur proteston. Protesto, por mos dhuno duke përdhunuar liritë dhe të drejtat demokratike!
Duhet të jesh i çmendur, që të mendosh se mund të marrësh peng lirinë e dikujt tjetër, që gjykon krejt ndryshe nga ti! Juristi “Kryeçadër” e di shumë mirë, se liria e tij mbaron aty ku cënohet liria ime. Ndaj kam ndjesinë se, gjithë pallavrat dhe britmat që po lëshon lartë e poshtë nga frika dhe tmerri se çfarë do të ndodh pas humbjes së zgjedhjeve… nuk duhen besuar. Nuk duhen besuar, sepse nuk mund të besohet frikacaku i tmerruar, kur dihet botërisht, që për atë, lepuri është gjithmonë luan.
Iniciativa e tij qesharake dhe natyrisht kërcënuese, për të mbledhur militantë, që do ndalojnë qytetarët e Kavajës të votojnë për të zgjedhur kryeqytetarin e tyre, është një shashkë tymuese, që më tepër shërben për t’i hequr frikën atij, se sa për të trembur ndokënd.
Marrëzia që e ka kapur, ndoshta pa vetëdije, për thyerje kutish dhe mos lejimin e zhvillimit të zgjedhjeve në qytetin simbol të demokracisë, kam frikë se do jetë një përvojë e keqe, për të mos thënë e tmerrshme, për atë dhe për gjithë ata, që do të guxojnë të eksperimentojnë këto veprime antikushtetuese dhe idioteske, e që nuk mund të bëhen as në vendet më të humbura të globit. Natyrisht, do jetë e tmerrshme nëse do ndodhi vërtet edhe pse pak gjasa ka, pasi në të tilla raste pas shpine të vjen “kamzhiku” i shtetit dhe ligjit, si në gjithë botën e civilizuar.
Nuk do e besoja kurrë, se policia do rrijë duarlidhur e do të bëjë sehir, kur Kryeçadra i shoqëruar nga “bandat” e tij (nëse do krijohen), do të mësyjë, që të ndaloi e dhunoi qytetarët e Kavajës në emër të Republikës së çadrës, kur ato do t’u drejtohen kutive të votimit, për të shprehur vullnetin e tyre. Nuk do e besoja kurrë, se qytetarët e Kavajës, Gosës, Luzit, Golemit, do të lejojnë që t’i dhunojnë në qytetin e tyre, në oborrin e tyre, në derën te shtëpisë së tyre, njerëzit e ardhur në emër të “Republikës së Re”, ngado qofshin ato.
Më duket qesharake edhe tani kur e mendoj, se si mundet, fjala vjen një shkodran, të dhunoi në oborrin e shtëpisë së tij një qytetar të Kavajës, se po shkon të votoi apo të bëjë çfarë i do qejfi me të drejtën dhe lirinë e tij?! Më duket qesharake kur e mendoj, se si mund të guxoi një deputet i “parlamentit të çadrës,” që të hyj në një qendër votimi dhe të bëj “vepra heroike”, duke thyer kutit dhe grisur fletët e votimit?! Nëse do ndodhte kjo, do shokoheshim të gjithë, që si nuk e paskemi ditur se shteti paska rënë me kohë dhe antishteti po bënka “dasëm”. Në fakt shteti nuk ka rënë dhe nuk ka për të rënë kurrë nga hakërrimat edhe kuisjet e “trimave të ngujuar” pa pasur hasëm.
Shteti dhe ligji nuk bien kurrë dhe në momente dramatike bëjnë gjithmonë detyrën: Mbrojnë liritë dhe të drejtat e qytetarëve, të cilët i’u kanë besuar. Të marrësh guximin që t’i konfliktosh dhe dhunosh qytetarët në derën e shtëpisë së tyre, nuk ke bërë asgjë më pak, nga ajo që bëri tutori Kryeçadrës në vitin e mbrapshtë ’97-të, kur armatosi dhe dërgoi “veriorët e gënjyer”, në një luftë vëllavrasëse me “jugorët e urryer”, duke luajtur me idenë e frikshme të nisjes së një luftë civile!
Ndaj, kur këto liri shkelen nga turma, ose njerëz të papërgjegjshëm edhe nëse janë të marrë apo të vetëdijshëm, shkopi i gomës është gjëja më e paktë që do valoi. Përfundimi do jetë i hidhur për secilin që do guxoi, sepse nuk do thyhen kutitë e as xhamat. Kushdo që kërkon anarkinë, do tu “thyhen dhëmbët”… përballë shtetit ligjor.
Por ta dini se pas thyerjes së dhëmbëve, do të “thyhet” edhe Shqipëria, e cila do të bëj hapa të mëdha mbrapa nga rruga e progresit europian. Kjo nuk ka gjasa të ndodhi, por nëse ndodh, nuk do ketë qeveri pajtimi, por qeveri burgimi.
Kryeçadrën, nuk ka burrë nëne që do ta shpëtoi, ashtu si Nano shpëtoi tutorin e atij dhe mikun e tij të vjetër komunist. Do jenë qytetarët e Kavajës ata, që do ta gjykojnë “demokratin e madh të Republikës së re”, me “skifterë dhe sorra” të vjetra. Këto janë hamendje, sepse askush nuk i merr seriozisht broçkullat e tij, por që vlejnë për kujtesë reflektive. Kryeçadra e di fare mirë se kanë “vdekur” kamikazët e partisë, që mund të sakrifikohen e të poshtërohen në emër të “asgjëje” dhe në mbrojtje të “askushit”.
Do të bënte mirë i çorodituri të dilte një xhiro nga “varrezat e të marrëve”, sepse vetëm atje mund të gjej të rrëshkitur, e përballë tyre do t’i duket vetja si gjenerali i ushtrisë së vdekur, që sapo është “vetëvrarë” dhe do të qetësohej, se më në fund e kishte realizuar ëndrrën… për të qenë “dikushi i askushëve”.
c.a