Shkodër vijon të mbetet një nga qarqet ku kultivimi i kanabisit është i përhapur, por vitet e fundit fenomeni ka ndryshuar formë, duke u zhvendosur nga parcelat në ambiente të mbyllura, të njohura si “shtëpi bari”.
Gjatë një takimi të institucioneve përgjegjëse për luftën kundër drogës në Drejtorinë Vendore të Policisë, drejtuesit e uniformave blu prezantuan bilancin e operacioneve antidrogë për vitin 2026.
Sipas nëndrejtorit të policisë së Shkodrës, Akil Kalo, kontrollet dhe zbulueshmëria janë rritur ndjeshëm.
“Janë kryer 4470 kontrolle gjatë vitit 2026, nga 1624 kontrolle në vitin 2025. Kemi gjithashtu një tregues pozitiv sa i përket zbulimit të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura. Janë evidentuar 5 raste këtë vit, nga asnjë rast vitin e kaluar. Janë asgjësuar 1529 bimë dhe 555 kubikë, ndërsa 18 persona janë referuar në prokurori për këtë veprimtari kriminale”, u shpreh ai.
Megjithatë, përveç rezultateve të policisë, operacionet kundër drogës kanë nxitur edhe një përplasje me OSHEE.
Përfaqësuesi i këtij institucioni, Gjon Bala, ngriti shqetësimin se në shumë raste, gjatë aksioneve të policisë ku zbulohen “shtëpi bari”, ndalohen edhe punonjës të OSHEE-së, gjë që sipas tij po krijon vështirësi në punën e institucionit.
“Një problematikë mbetet ndalimi i punonjësve të OSHEE-së. Nga drejtoria rajonale janë bërë kërkesa në qeveri dhe kjo çështje është diskutuar edhe në takimet e fundit. Në çdo rast kur zbulohet një shtëpi bari, ndalohen edhe punonjësit e OSHEE-së, të cilët në shumicën e rasteve lirohen nga gjykata për mungesë provash ose hetohen në gjendje të lirë”, tha ai.
Sipas të dhënave të policisë, vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit 2026, janë zbuluar dhe goditur 5 raste të “shtëpive të barit”, një fenomen në rritje që po zëvendëson kultivimin tradicional të kanabisit në parcela të hapura, me qëllim shmangien e kontrolleve policore.











