Nga Monika Shoshori Stafa / JavaNews
Shekulli i 20-të, ai që lamë pas, ishte shekulli që i përkiste epokës së totalitarizmave. Ai prodhoi rrezikun që buronte prej dy ideologjive më të përkundërta por me sistemin që ngritën arritën të legjitimonin aksionet e tyre. Shkatërrimet, vrasjet masive apo dhe dëbimet ishin mjete lufte të cilat justifikonin qëllimin për të parandaluar kundërshtarët me bindje të ndryshme. Bëhet fjalë për nacional-socializmin e Adolf Hitler dhe ideologjinë komuniste të bolshevikëve rusë. Parë në një vështrim më të gjerë duket se studiuesit e totalitarizmit të shek. të 20-të shpjegojnë se ka një marrëdhënie të ndërsjellë mes krimeve të komunistëve dhe atyre të nacional-socialistëve nazistë. Një kulturë kujtese e cila sheh krimet vetëm në njërin prej këtyre sistemeve totalitare pashmangshmërisht i hap udhë rrezikut të shfrytëzimit të krimeve të sistemit të parë në shërbim të tjetrit dhe si pasojë bën që të justifikohen krimet e sistemit të dytë apo qëllimet dhe mjetet e tij. Në Shqipëri, është dënuar nga historiografia e pushtetit komunist diktatura nacional- socialiste e Hitlerit. Propaganda, një nga disiplinat e hekurta të diktaturës së proletariatit ishte një nga mënyrat më eficente të shpëlarjes së trurit të një kombi që doli nga lufta i varfër po aq sa dhe kur hyri, nëpërmjet së cilës mësuam se ekzistonte vetëm një diktaturë gjatë shek. të 20-të, ajo e nacional-socialistëve e nazistëve gjermanë, e cila erdhi në fuqi në vitin 1933. Pas 26 vjetësh studime të gjysmës së dytë të shek. të 20-të, kërkuesit shkencorë duket se kanë arritur në një pikë konvergjente sa i përket historiografisë moderne botërore. Sipas tyre, shekulli i 20-të jetoi dy sisteme totalitare, ikona simbolike e së cilës nuk mund të përfaqsohet më mirë se Shtëpia e Terrorit në Budapest.
Shtëpia në rrugën Andrassy 60, në Budapest u përcaktua që në fillim të kthehej në një muze sepse deri në vitin 1945, ajo kish qenë selia qendrore e drejtuesve nacional-socialistë të Hungarisë e më vonë ajo u mor nga policia sekrete komuniste deri në vitin 1989. Qeveria e nacionaliste e qendrës së djathtë e Viktor Orbán pa asnjë kosto më shumë se cfarë ishte investuar ndër vite, arriti t’i dhurojë Hungarisë në vitin 2002 një nga muzetë më madhështorë të 15 viteve të fundit. U projektua që në oborrin e muzeut të ngriheshin dy mure me fotografi; në njërin prej tyre autorët e krimeve dhe në tjetrin ata që përbënin viktimat e këtyre krimeve. Dhomat që mbajnë histori janë të vendosura mbi tre kate shkallësh dhe ato kryesisht janë të fokusuara në aspekte të caktuara të dy regjimeve diktatoriale: ajo e Partisë së Kryqit të Hekurt dhe e Partisë Komuniste hungareze me policinë e saj sekrete.
Duke u ngjitur shkallëve ngjyrë gri të ndërtesës të cilat nuk ishin shkallë të zakonshme por me një hapësirë të konsiderushme mes tyre, ciceronia që nuk mbante frymën kur fliste na shpjegoi se politikanët socialistë dhe liberalë e kritikonin idenë e ngritjes së një muzeumi në këtë shtëpi kështu si ne po e shohim. Një autoritet me emër në atë kohë, ministri i jashtëm i vendit shton ajo, László Kovács sugjeronte një variant tjetër muzeu, një “Shtëpi Kujtese dhe Pajtimi”. Por këtu emrat më të njohur që spikasnin në publicistikën hungareze, letërsi, kulturë apo ata që kishin qenë kundërshtarë politikë të regjimit komunist dhe kishin vuajtur krimet e tyre ndaj komunizmit, nuk ranë dakord sepse që të ndodhte pajtimi sipas tyre duhej të realizohej një njohje e plotë e fajit nga autorët dhe kjo praktikisht nuk kish ndodhur. Që këtej shtëpia muze nuk mund të konsiderohej një Shtëpi Pajtimi.
Dhoma e parë sa hyn brenda këtij muzeumi disa katësh të rrëfen mbi “pushtimin e dyfishtë” të Hungarisë, atë të nazizmit gjerman dhe regjimit komunist. Por përshkrimi i konsesusit që gjermanët nacional- socialistë të Hitlerit gjetën me lidershipin politik të kohës në Hungari nuk është rrëfyer në detaje në këtë shtëpi terrori. Një kërkues nga Spanja na shpjegoi se si qëndron në fakt ajo që mund dhe ta quajmë “manipulim” të historisë në këtë muze. Sipas tij, në atë kohë që muzeu u konceptua të ndërtohej duke përfshirë të dy sistemet totalitare një vendim unanim u mor për të mos “përfshirë” pavijonin e Holokaustit në këtë muze. Cuditërisht, kjo ishte pika e vetme ku bashkoheshin të gjitha partitë politike në Budapest gjatë viteve 2000. Ato propozuan dhe ranë dakord që t’ia besonin këtë cështje një muzeumi tjetër vendosur në një vend më të largët të Budapestit (edhe kjo për t’u konsideruar!!). Ky lloj këndvështrimi i këtij përshkrimi të shkurtuar të historisë natyrisht duhet të ketë kërkuar një kompromis kontroversial, nisur nga fakti se Shtëpisë së Terrorit nuk i është dhënë ekspozeja e së vërtetës. Spanjolli në mënyrë skrupuloze qëndron gjatë në shpjegimet e tij bazuar në këto hollësi. Sipas tij, ky variant që u lihet vizitorëve të besojnë, si dhe ne na kish ndodhur në fakt, tregonte se vetëm pak individë ishin ata të cilët mbanin përgjegjësi për sulmet ndaj hebrenjve, megjithëse në realitet në Hungari të gjithë e dimë se e kundërta kish ndodhur. Duke marrë parasysh faktin se disa qindra mijra hungarezë kishin përfituar prej vjedhjes së pronave hebreje, parave dhe gjithcka ata kishin lënë pas, ky lloj informacioni ishte më se i dëmshëm për imazhin e vendit. Historia është një pjellë e mendjes dinake të diktatorëve kryesisht kisha menduar përnjimend. Sa herë më shumë mësoj për të, gjithmonë e besoj këtë thënie i thashë vetes në cast.
Më tej vumë re se dhomat ishin të vendosura në një mënyrë të rregullt, ato vinin njëra pas tjetrës. Ajo që nuk mund të ta heqë në mendje se dhe popujt si hungarezët e habsburgasve do të ndërronin aq lehtë dy sisteme totalitare pa kundërshti të forta politike menjëherë pas lufte, është njëra prej tyre, dhoma e cila rrëfen nëpërmjet një videorealizimi në mur se sa lehtë hungarezët ndryshuan stilin e tyre të të veshurit nga ai i hungarezëve perandorakë në atë revolucianar. Historia është e bukur kur e studion dhe cdo kohë ti ke mundësinë të japësh përsiatjet e tua por kur atë e sheh teksa ecën brenda 4 minutave, mendon se ajo është kaq e gënjeshtërt. Dy figura shfaqen përballë sa hyn, secila me kurrizin ndaj njëra -tjetrës. Secila që vesh uniformën respektivisht të Partisë së Kryqit të Hekurt dhe atë pak më vonë të Policisë Sekrete Komuniste. Podiumi rrotullohet ndërsa ekrani tregon hijet e zbrazëta që ndryshojnë rrobën aq shpejt në varësi të ndryshimit të sistemeve politike. Sa të ngjashme sistemet ! Sa të kalkuluara mirë pranë njëra -tjetrës dy partitë totalitare! Një vazhdimësi politike që trashëgohet kaq lehtësisht, nuk i përcillet më qartë vizitorit pavarësisht se dikush pranë, më pëshpëriti në vesh se nuk ka qenë ky qëllimi i ekspozesë. Po cili ?, pyeta shkarazi. Që kemi vuajtur në dy sisteme totalitare, dhe nuk e kemi pasur ne fajin as për hebrenjtë e dorëzuar dhe as për ata që hyn aq shpejt në shërbim të policisë sekrete komuniste, u tërhoq i njëjti zë mënjanë.
Gjithcka që vizitorët mund të lexojnë lehtësisht rreth anëtarëve të policisë sekrete komuniste është pikërisht ky koment: “ kjo ishte një organizatë e elementëve të krahut të majtë radikal, kriminelë dhe xhelatë që kishin braktisur Partinë e Kryqit të Hekurt”. Por në të vërtetë mungonin në shumicë fotot e tyre (vec liderëve politikë) ndërsa kishte me shumicë komunistë të bindur por dhe të moderuar. Kjo ndoshta sepse anëtarët e parë që u përfshinë vullnetarisht në policinë sekrete të Hungarisë ishin hebrenjtë e përfshirë nga vala e madhe e hakmarrjes ndaj bashkëpunëtorëve të nazizmit dhe e autorëve të krimeve ndaj tyre. Kjo ka qenë dhe arsyeja përse shumë pak hebrenj u kthyen nga ekzili i luftës në vendin e tyre të origjinës. Një cudi më vete ishte që muzeu në të vërtetë nuk i kish dhënë një hapësirë të mundshme antifashizmit, atyre që ishin kundër luftës dhe i ishin bashkuar cetave partizane dhe forcave të Aleancës kundër Boshtit të së Keqes. Në dhomën ku përshkruhej rezistenca anti-komuniste, lexohej vetëm ky tekst i mëposhtëm:
“Disa mijëra njerëz të rekrutuar në organizata të ndryshme të armatosura të rezistencës. Emrat e shumë prej tyre janë të panjohur. Komunistët kanë gënjyer mbi historitë e tyre edhe pse ata janë heronjtë e vërtetë të luftës”.
Është pak e vështirë të interpretosh fjali të tilla vetëm se ajo që unë mendoj se duhet të kuptojmë është se të gjitha lëvizjet antikomuniste të luftës në Hungari, duke përfshirë edhe lëvizjet ekstreme të krahut të djathtë dhe ato raciste, ishin heroike dhe duhet të konsiderohen, pavarësisht se me cfarë mjetesh dhe me kë ata bashkëpunuan, me qëllim ardhjen në pushtet.
Pasi lë Shtëpinë e Terrorit në një nga rrugët kryesore në Budapest kupton se konceptimi i një projekti të tillë nuk ka pasur qëllim të përfshijë gjithcka dhe cdokënd që preku dhe bëri histori në të dyja sistemet e totalitarizmit në shek. e 20-të në Hungari, autorin dhe viktimën, gjykatësin dhe urdhëruesin, policin dhe gardianin, turmën dhe individin në një shtet apo pjesë të Europës sic është Hungaria. Koncepti i këtj projekti duket se shkontë më larg, Shtëpia e Terrorit duhet të përfaqsontë në historigrafinë moderne të Europës një simbol ikonë të përfshirjes së saj në dy sisteme totalitare që prodhuan secila nga një individ të klonuar. Njëra prej tyre ajo e doktrinës nacional- socialiste e cila ndërtoi makinerinë e shfarosjes së qënies njerëzorë (nuk kish ndodhur ndonjëherë një projekt i tillë mbarë botëror në historinë e njerëzimit) dhe tjetra, ajo e shkatërrimit të identitetit të individit dhe ngritjes së kultit të njeriut të ri. Nisur nga këto referenca, kjo Shtëpi Terrori në mes të Budapestit nuk mund ta fajësonte aspak klasën politike hungareze as për fajet e saj në dorëzimin e mijra hebrenjve dhe as për genocidin e ushtruar kundra kundërshtarëve politikë gjatë revolucionit të vitit 1956. Dhe kjo përforcohet më shumë nëse kërkojmë të lexojmë mes rreshtave, në një nga fjalimet që u mbajtën kur kjo ekspozitë u hap në shkurt të vitit 2002. Presidenti i Hungarisë, në atë kohë Viktor Orbán duket se e ka cliruar klasën politike të të dy sistemeve nga një peshë e madhe mundimi kur thoshte se “diktaturat në Hungari kanë ardhur gjithmonë në pushtet me ndihmën nga të huajve” duke lënë të nënkuptohet se ne nuk i kemi asnjë borxh viktimave të të dy sistemeve. Por cfarë mund të themi kur histora e vërtetë e shifrave dhe jo ajo e përpunuara, si kjo shtëpi na u paraqit nuk e justifikon deportimin e rreth 800. 000 hebrenjve nga Hungaria në pjesën më të madhe nga zyrtarët e lartë hungarezë?