Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, i shkoi në zyrë presidentes së Kosovës Vjosa Osmani për të folur për shtensionimin e situatës në veri të vendit. Në fokus të takimit ka qenë procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në njoftimin nga Presidenca, thuhet se në takim u diskutua edhe për vazhdimin e bashkërendimit me partnerët, duke e ditur që si institucionet tona ashtu edhe SHBA-të, kanë të njëjtin qëllim për shtensionimin e situatës në veri të vendit.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç u takuan dje ndaras në Bruksel me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak për të diskutuar uljen e tensioneve në veri të Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve.
Tensionet u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë pas zgjedhjeve lokale të muajit prill të cilat u bojkotuan nga serbët.
Bashkimi Evropian dhe SHBA kërkojnë uljen e tensioneve përmes një plani që parasheh pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.
Qeveria e Kosovës është pajtuar për hapat e parë të uljes së tensioneve, ndërsa kryeministri Albin Kurti ka thënë se tashmë është zvogëluar prania e policisë së Kosovës me 25 për qind në tre ndërtesat komunale në veri, duke u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme./m.j