Mediat zvicerane i kanë dhënë një rëndësi shumë të veçantë takimit mes Shqipërisë dhe Kosovë në Zyrih, pasi komuniteti shqiptar është ndër më të mëdhenjtë në Zvicër.
E përditshmja zvicerane “NZZ” ka ndjekur ndeshjen e mbrëmshme, duke i kushtuar një reportazh të gjatë.
“Shqiptarët kundër shqiptarëve, në tokën e shqiptarëve”, ishte titulli i këtij artikulli i cili tregonte se në fakt mbrëmë në stadium ishte zhvilluar një festë gjigante ku mijëra tifozë nuk i shqetësonte aspak fakti se kush do ta fitonte takimin.
“Nuk ka rëndësi nëse veshin ngjyrat kuq e zi apo blu me të verdhë. Të gjithë janë shqiptarë”, deklaronin tifozët në stadium për gazetarin e “NZZ”. Edhe ata që visheshin me ngjyrat e Kosovës mbanin mbi shpatulla flamurin kuqezi, apo kishte prej atyre që kishin një shqiponjë të vizatuar sipër.
“Për 18700 spektatorët, ishte një moment i veçantë, pak para orës 20:00, kur u dëgjua himni i të dy skuadrave. Lojtarët e të dy skuadrave dhe të gjithë tifozët e kënduan bashkë atë të Shqipërisë.
Gjithsesi, momenti më emocional i mbrëmjes ndodhi disa minuta më përpara, kur një këngëtar hyri në fushë dhe këndoi ‘Xhamadani vija vija’, i cili vlerësohet si himni jozyrtar i Shqipërisë së Madhe.
Ajo është ëndrra që bashkon të gjithë etninë shqiptare të Ballkanit. Shumë fansa mbanin veshur fanella me hartën e këtij shteti imagjinar”, shkruante e përditshmja zvicerane.